Për 2 ditë me radhë bë selinë e re të NATO-s u mbajt Samiti i 29-të i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shqipëria u përfaqësua me një delegacion të kryesuar nga Kryeministri, Edi Rama, me pjesëmarrjen e Ministrit për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Sipas Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Samiti u karakterizua kryesisht nga diskutimet e hapura dhe të drejtpërdrejta mbi domosdoshmërinë për të përmbushur vendimin e marrë në Samitin e Uellsit të katër viteve më parë, ku aleatët u zotuan që deri në vitin 2024 do të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në nivelin 2% të prodhimit të brendshëm bruto.

Samiti i NATO (1)

“Pavarësisht mendimeve të ndryshme mes aleatëve për çështje të veçanta, u rikonfirmua solidariteti dhe uniteti transatlantik i Aleancës, e cila do të vijojë të prodhojë dhe të jetë garantuese e sigurisë në hapësirën euroatlantike.
Për t’iu përgjigjur në mënyrë adeguate kërcënimeve e sfidave serioze e komplekse të sigurisë, si nga Lindja, ashtu dhe nga Jugu, Aleanca mori vendime të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kolektive dhe të shkurajimit, si dhe projektimin e stabilitetit dhe luftën kundër terrorizmit në hapësirën euro-atlantike dhe rreth saj.
Samiti i kushtoi rëndësi të posaçme mbështetjes dhe ndihmës ndaj partnerëve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, për aftësimin e tyre në përballimin e sfidave aktuale të sigurisë. Vendet aleate miratuan inicimin e Misionit të ri stërvitor jo-luftarak të NATO-s në Irak dhe vendosën paketat e reja të ndihmës për Jordaninë dhe Tunizinë”, thuhet në njoftimin e MPJ.

Në kontekstin e Samitit, Ministri Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e veçantë të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Koalicionit Global kundër të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mposhtja e terrorizmit në të gjitha format e tij, duke u përqendruar në parandalim dhe në adresim të faktorëvve ideorë mbetet një objektiv kyç për të gjitha vendet tona dhe një sfidë për stabilitetin e rajonit”, deklaroi ministri Bushati.

Thellimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ishte gjithashtu në fokus të Samitit. Ky angazhim u rikonfirmua me nënshkrimin e një deklaratë të përbashkët mes këtyre dy organizatave, ku ritheksuan partneritetin e tyre strategjik si dhe angazhimin reciprok për jetësimin e bashkëpunimit në një numër të konsiderueshëm drejtimesh në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, në përballjen e kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike dhe për të lehtësuar lëvizjen e trupave dhe mjeteve ushtarake në të gjithë hapësirën euroatlantike.

MEPJ deklaron se në Samit u rikonfirmua rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor për sigurinë e Aleancës, si dhe e peshës në rritje të Shqipërisë, e shprehur si nëpërmjet shumëfishimit të kontributeve për operacionet e NATO-s, ashtu dhe politikisht, në vendimmarrje dhe në politikë-bërjen e Aleancës, sidomos në kontekstin e rajonit dhe Politikës së Dyerve të Hapura.

“Rikonfirmimi i Politikës së Dyerve të Hapura të NATO-s ishte një nga elementët kryesorë të Samitit dhe me shumë rëndësi për rajonin tonë. Në emër të Aleancës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i dorëzoi Kryeministrit Zoran Zaev ftesën zyrtare për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, në vijim të arritjes të pak kohëve më parë së marrëveshjes për emrin mes Shkupit dhe Athinës.
Gjatë Samitit, liderët e vendeve aleate u takuan me Presidentët e Ukrainës dhe Gjeorgjisë dhe riafirmuan mbështetjen e plotë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të Aleancës dhe këtyre partnerëve.
Samiti rikonfirmoi vijimin e angazhimit të NATO-s në Afganistan lidhur me trajnimin, këshillimin dhe asistencën për Forcat Kombëtare Afgane të Sigurisë (ushtri dhe polici), përfshirë edhe angazhimin financiar të vendeve pjesëmarrëse në Misionin ‘Resolute Support'”, deklaron MEPJ.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb