Qëndroi për rreth 4 muaj si Ministëri i Brendshëm, por Dritan Demiraj arriti të kuptojë të gjithë skemën, sesi mbijetojnë grupet kriminale në vendin tonë. Në një intervistë ekskluzive për Tpz.al, Demiraj hodhi akuza të forta, duke thënë se bandat janë në mbështetje të hapur të Partisë Socialiste, dhe se interesi mes njëra-tjetrës, është i ndërsjelltë.

“Prej kohësh, Shqipëria, jo sot, por prej 4 vitesh, e vërteta është se në territorin e Shqipërisë komandojnë disa banda, të cilat dolën haptazi në mbështetje të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore. Ngjarje, të cilat janë identifikuar nga ne dhe janë raportuar në të gjitha raportet, por dhe në raportet e OSBE ODHIRi-t, i cili doli 4 ditë përpara. Në këtë konteks,t kemi pasur disa mbledhje të taks-forcës unë i kam raportuar zv.kryeministres dhe pjesëtareve të tjerë të taks-forcës për përfshirjen e tyre në afera politike. Në bashkëveprim me Policinë e Shtetit, disa drejtues të Policisë së Shteti, të cilët haptazi e kanë mbështetur Partinë Socialiste, këto banda kanë pasur lirinë e veprimit, pasi dihet që prej kohësh një pjesë e tyre ka siguruar një sasi jo të vogël votash për Partinë Socialiste. “– u shpreh Demiraj për Tpz.al.

Demiraj evidenton edhe katër komisariatet më problematike në vend, aty ku krimi ka dorë të lirë dhe është mbi forcën e ligjit. Ish Ministri pohon gjithashtu se ai ka marrë rolin e efektivit të policisë, duke arrestuar në flagrancë, persona me armë.

“E në këtë kontekst, do vinte një ditë që sot, Ministri i Brendshëm z.Xhafa ka filluar të shtrëngojë masat dhe krimi duke qenë nën presionin e Policisë së Shtetit, ka filluar të reagoje. Kemi pasur komisariate, si komisariatet e Dibrës, komisariatet e Shkodrës, Lezhës, Komisariatin e Pukës, të cilat në kuptimin e keq të fjalës, janë shquar në raport me komisariatet e tjera për mos ushtrimin e kontrollit të territorit, mos zbatimin e ligjit, mos arrestimit.” – deklaron ish Ministri i Brendshëm.

“Madje në disa raste kam qenë i detyruar vetë, me pjesëtaret e sigurimit eskortës që të bëjnë ndalimin e personave me armë.” – shton ai më tej.

Aksioni “Vjeshtë 2017” u pompua me sukses nga Policia e Shtetit, ku u sekuestruan 84 makina luksoze në gjithë Shqipërinë, por sipas ish Ministrit të Brendshëm, vetëm në qytetin bregdetar të Durrësit, 64 persona mbajnë makina të blinduara. Ndërkohë, në qytetin më të madh në veri, Shkodër, fenomeni i gjobëvënies është i dukshëm.

“Kemi situatë problematike në rrethin e Durrësit, kemi rreth 64 persona me makina të blinduara. Kemi situatë problematike në qytetin e Shkodrës, ku disa klane të caktuara, vendosin gjoba tregtarëve dhe një pjesë e mirë e tregtarëve, nuk guxojnë të mos paguajnë haraçe.”– thekson Demiraj për Tpz.al.

Duke folur për ngjarjet e fundit në Elbasan, ish Ministri i Brendshëm, deklaron grupet kriminale në këtë qytetet kanë pasur gjithmon mbështetje politike. Kjo është parë tek kryeministri-thotë Demiraj-i cili nuk ka urdhëruar asnjëherë kontrollin e territorit.

“Kemi probleme në qytetin e Elbasanit, e kemi bërë prezent në disa raste, të cilët kanë mbështetje politike. Nuk ka asnjë lloj shansi, as një person, asnjë grup kriminal në Shqipëri që të dale mbi Policinë dhe Shtetin. Në asnjë rast, nuk mundet, që grupe të tilla kriminale, të veprojnë në rast se nuk kanë mbështetje politike. Unë nuk mund të them konkretisht nga kryeministri, por kryeministri ka për detyrë, që të urdhërojë policinë, të urdhërojë Ministrin e Brendshëm, që të ushtrojë kontroll të territorit. Kemi disa ngjarje që nuk ka persona të ndaluar, madje, madje një pjesë të rasteve dhe emra konkret. Kjo është e pafalshme.” – përfundon intervistën, Dritan Demiraj.

Sipas tij, të gjitha grupet kriminale në Elbasan, kanë qënë gjithë kohës në vëzhgim, por problemet kanë filluar të dalin këto tre javët e fundit./tpz.al

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: