Pas kërkesave të shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, qeveria e shtetit helen vendosi që të shtyjë aplikimet me 6 muaj për nënshtetësinë greke. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Fatos Malaj ndërmjetës kulturor pranë Drejtorisë të Emigracionit, njëkohësisht drejtues i organizatës Përkrahje-Arogji, tregon se cilat janë kategoritë që do të përfitojnë nga shtyrja e afatit si dhe iu bën thirrje që të paraqesin aplikimet deri në 31 dhjetor 2018. Përkatësisht bëhet fjalë për të gjithë ata që në korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe ata që po atë kohë, kishin kryer studimet e larta. Gjithashtu, Malaj bën me dije se kriteret që duhet të përmbushin emigrantët shqiptarë (që nuk përfshihen në kategoritë e sipërpërmendura) për të marrë pasaportën greke.

Qeveria greke kishte vendosur që të linte si afat të fundit të aplikimeve për nënshtetësinë greke datën 9 korrik të këtij viti. Cila ishte arsyeja që reaguan shoqatat e emigrantëve për shtyrjen e afatit?
Në mesin e muajit qershor, ne njoftuam se kush dëshironte të aplikonte për nënshtetësinë greke duhej ta bënte këtë deri më 9 korrik. Natyrisht, siç e theksonim qysh në fillim, fjala ishte për të ashtuquajturin brezi i dytë, pra për fëmijët tanë. Njoftimi ynë bazohej në shkresën urgjente të sekretarit të posaçëm për nënshtetësinë, që u drejtohej gjithë periferive dhe u kërkonte që të njoftojnë me çdo mjet e mënyrë të interesuarit se aplikimet do të pranohen ekskluzivisht deri më 9 korrik 2018. Si vërtetim për aplikimin brenda kësaj date do të merrej numri i protokollit që jep periferia apo fatura e postës apo e shërbimit korrier për dërgimin e aplikimit. Por kishte dy kategori specifike, që rrezikonin të mbeteshin jashtë dispozitave të nënshtetësisë, kështu që ne kërkuam shtyrjen e afatit të aplikimit. Menjëherë pas dhënies së këtij “ultimatumi”, të paktën dy organizata emigrantësh, “2 Generation” dhe “Arogji”, reaguan me insistim duke kërkuar që qeveria ta shtynte këtë afat, pasi këto dy kategori emigrantësh, nevojiteshin kohë që të grumbullonin dokumentacionin e nevojshëm.

A u pranua kërkesa juaj nga qeveria e shtetit helen?
Për fat të mirë, apeli jonë dhe reagimet intensive ndaj qeverisë greke nuk ranë në vesh të shurdhët. Qeveria ka dhënë një shtesë afati, deri më 31 dhjetor të këtij viti, kështu që dy kategoritë që rrezikonin të mbeteshin jashtë dispozitave të nënshtetësisë, do të kenë mundësinë të aplikojnë për nënshtetësinë greke.

Si u bë dekretimi i këtij vendimi mbi shtyrjen e afatit të aplikimeve për nënshtetësinë greke? A ka një nen të posaçëm që e njeh këtë të drejtë për emigrantët shqiptarë?
Shtyrja e afatit sanksionohet në një nen të vetëm, që përfshihet në një ligj, i cili u publikua në gazetën zyrtare në fund të korrikut. Është neni 272 që përcakton: Në nenin 2 të ligjit 4332/2015, bëhet ky ndryshim: “Për shtetasit e huaj që gjatë hyrjes në fuqi të këtij ligji (të 2015-s) përmbushin kushtet e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 1B to Kodit të Nënshtetësisë Greke dhe tashmë kanë moshë madhore, u jepet afat deri më 31 dhjetor 2018 që të paraqesin aplikimin që parashikohet nga këto dispozita”.

Cilat janë kategoritë që do të kenë mundësinë të aplikojnë deri në fund të 2018-ës?
Të gjithë ata që në korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe ata që po atë kohë, kishin kryer studimet e larta. Përkatësisht në dispozitat që u referohet amendamenti përfshihen: shtetas të huaj që më datën 9 korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe kishin përfunduar me sukses arsimimin në 9 klasë të nivelit të parë dhe të dytë, apo gjashtë klasë të nivelit të dytë, qoftë si të mitur, qoftë si të rritur; si dhe shtetas të huaj që më datën 9 korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe kishin përfunduar me sukses arsimimin në shkollën e lartë AEI ose TEI, përderisa disponojnë dëftesën e lirimit nga shkolla e nivelit të dytë. Bashkatdhetarët që u përkasin dy kategorive të lartpërmendura, të shkojnë menjëherë dhe të paraqesin aplikimin, pse në rast të kundërt e humbasin të drejtën e marrjes së nënshtetësisë greke mbi bazën e këtyre dispozitave.

Cilat janë kushtet për të marrë nënshtetësinë greke për emigrantët që nuk përfshihen në kategoritë e sipërpërmendura?
Kriteret për të marrë nënshtetësinë janë: nëse jeton 7 vjet ligjërisht në Greqi; nëse jeton 3 vjet rresht në Greqi dhe ke ardhur nga një vend i Bashkimit Europian; nëse je homogjen; nëse je refugjat politik; nëse ke buletin personi pa shtetësi; si dhe nëse ke një fëmijë, i cili është shtetas grek. Ndërkohë kërkesat formale për marrjen e shtetësisë greke me natyralizim janë: duhet të jeni në moshë madhore në kohën e deklarimit të natyralizimit; të mos jeni dënuar me burgim të parevokueshëm (përfundimtar), të paktën një vit në dekadën e fundit; të mos jetë në pritje një vendim deportimi (apelasi) kundër jush; si dhe të keni titull qëndrimi të ligjshëm.

APLIKIMI

Në dispozitat që u referohet amendamenti përfshihen:
• Shtetas të huaj që më datën 9 korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe kishin përfunduar me sukses arsimimin në 9 klasë të nivelit të parë dhe të dytë, apo gjashtë klasë të nivelit të dytë, qoftë si të mitur, qoftë si të rritur.
• Shtetas të huaj që më datën 9 korrik 2015 kishin mbushur moshën madhore dhe kishin përfunduar me sukses arsimimin në shkollën e lartë AEI ose TEI, përderisa disponojnë dëftesën e lirimit nga shkolla e nivelit të dytë.

Burimi: gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb