Nga: MONIKA SHOSHORI STAFA*

Në një syqëmitje teksa i bëjmë shtypit të printuar çdo ditë, secili nga ne do të vërente gabime ortografi ke por dhe drejtshkrimore. Sot bota e shkrimeve i ka të pranuara gabimet pak më lehtësisht se dikur. Ndoshta për shkak se njerëzit nuk e kanë distancën mes tyre aq shumë të largët sa dikur. Ndoshta sepse teknologjia ka sjellë mosrespektim të rregullave të botës së shkrimit. Ndoshta edhe sepse sot të luftosh me fjalën apo shkrimin nuk është më një betejë kalorësish hijerëndë si te klasikët e mëdhenj, por dhe ndoshta sepse delikatesa e të shkruarit nuk bie më në sy si dikur, prej të cilit karakteret e brishta dallonin nga qeniet mesatare. Letrat nëpër postat elektronike nuk janë aspak të pastra prej korrigjimeve. Ndërsa shkresat zyrtare teksa vijnë prej postës shtetërore e paraqesin problemin dyherësh për t’u trajtuar. Duket sikur gjuha nuk e ka më vendin e merituar të dikurshëm dhe njerëzit të cilët ende e ruajnë me fanatizëm pastërtinë e të shkruarit po rrallohen gjithmonë e më shumë. Kam mbetur gjithmonë e mahnitur prej një letre të bukur e të shkruar pa gabime. Ndjesia që ajo lë pas është më shumë se respekt e ndjeshmëri për shkruesin. Ndaj, sado e bukur dhe me emocion të jetë përcjellë ajo në postën tënde, nuk do të prezantonte asnjëherë dinjitetin e duhur të shkruesit. E rëndë është kjo panoramë, kur e sheh të printuar shtypin e përditshëm në këto mëngjese të ëmbla vere. Dhe ndjesia bezdisëse rritet radhë-radhë kur ti mes rreshtave nuk dallon dot mesazhin e duhur të opinionbërësit. Sepse gabimet e paredaktuara ta kanë zhbërë imazhin e përftimit të qëllimit të shkrimit. Dikur historia e redaktimit ka qenë sektori nga ku shkrimi jo vetëm pastrohej nga moskuptimet dhe keqinterpretimet, por shpeshherë atij i jepej muzikaliteti i njomë dhe qëndisja e përkorë për të lënë më pas shijen emocionuese. Sot ky sektor jo vetëm që nuk nxitet më të bëjë të njëjtën gjë, por madje unë dyshoj shumë në ekzistencën e tij. E nisur që këtej nuk është vetëm kjo arsyeja e redaktimit të shkrimeve. Cilat janë ato? Pse dhe si mund të zhvillohet më tej redaktimi?! Megjithëse në disa të përditshme kemi hasur se titulli edhe mund të ndryshohet, pra të redaktohet, është parë kuptueshëm se problemi qëndron kokëfortë. Një çështje e cila ka mbetur shqetësuese për gazetarinë tonë bashkëkohëse, jo vetëm atë të printuar por edhe atë në internet. Po ju sjell një shembull nga një gazetë e jona e përditshme, e shtunë, 18 qershor 2016, f. 5. Titulli i lajmit apo kronikës, quajeni si të doni, është: Polici plagoset me kaçavidë, autorët grabisin armën; ndërsa mbititulli ose fjala italiane “Okielo” është: “Policia hesht. Nuk kemi raportim nga spitalet”. Nëse shkrimi do të ishte parë profesionalisht me kujdes, do të ishte redaktuar ky titull dhe fraza e dytë e tij. Po përse? Së pari, nga sasia e informacionit që i përcillet lexuesit. Gjithçka u tha që në krye e po të zbresim më poshtë nuk jepet asgjë më shumë se thuhet në titull. Pra, autori i kronikës nuk ka më shumë të dhëna se “një polici i kanë vjedhur pistoletën dhe në përleshje e kanë plagosur me një kaçavidë”.
Po çfarë vihet re me strukturën e shkrimit? Burimi ekziston, por ashtu si është dhënë profesionalisht nuk është korrekt dhe për lexuesin jo gjithaq i besueshëm. Burimi duhet dhënë pas përcaktimit të qytetit (Tiranë), duke shënuar edhe datën e ngjarjes. Thuhet se “lajmi konfirmohet për ‘të përditshmen’ nga banorët e zonës, të cilët ishin dëshmitarë në vendngjarje, ndërsa policia hezitoi ta konfirmonte”. Kemi të bëjmë me dy të dhëna aspak të plota për të ngritur një shkrim a kronikë lajmi: burimi, dëshmitarët në vendngjarje dhe policia e cila nuk konfirmon.
Pas burimit vjen paraqitja e ngjarjes, përmbajtjes së ndodhisë. Në këtë rast mungon qartësia dhe kthjelltësia e informimit. Citojmë: “Efektivi i identifikuar me emrin Alban është plagosur në krahun e majtë, ndërsa banonte pranë vendit ku ndodhi ngjarja”. Sipas këtij formulimi del se polic Albani (?) është plagosur ndërsa banonte ku (?!). Ndërtimi është krejtësisht i paqartë dhe alogjik, e që duhej redaktuar e riformuluar. Është detyra e gazetarit redaktor, ai i cili mund të qartësojë gjuhësisht edhe frazën pasuese: “Mësohet se efektivi (!) ka tentuar të marrë pistoletën që kishte në çantë, por autorët (!) ia kanë marrë duke ia drejtuar atij”. Çfarë i shtohet kronikës me frazën: “Autorët e dyshuar (epitet policesk e juridik) kanë marrë me vete pistoletën (u tha më sipër) dhe janë larguar me shpejtësi”. Ku bazohet autori i kronikës kur shkruan: “Paraprakisht konflikti dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta”. Pra, ky tekst duhej redaktuar para se të kalohej për botim, profesionalisht dhe gjuhësisht, madje që në titull ku del se “Polici plagoset me kaçavidë, ndërkohë që atë dikush e ka plagosur”.
Redaktimi është një proces pune me përgjegjësi profesionale gjatë kohës së përgatitjes për botim të një lajmi, kronike apo shkrimi të çdo zhanri gazetaresk. Ky proces synon të saktësojë faktet, idetë e përgjithësimet; të mënjanohen paqartësitë, përsëritjet etj., pa cenuar përmbajtjen dhe strukturën e shkrimit. Faik Konica, kur shkroi “Ca këshilla mbi artin e të shkruarit”, botuar në revistën “Albania”, që ai themeloi dhe drejtoi prej vitit 1897 deri më 1909, pati vërejtur se së pari është mirë të dimë mirë çfarë duam të rrëfejmë, pastaj të kërkojmë mënyrën se si ta themi atë. Më pas, tej hyrjes “shkëndijëse” të tij të japim mendimin tonë, jo përnjëherë, po dalëngadalë, sugjeron Konica, që çdo gjë të gëlltitet më lehtë. Një grup fjalësh të mbarsë një tjetër, në mënyrë që këndonjësi të frymëzohet e të ecë vetë më poshtë. Përmbyllja sipas tij, duhet shkruar me një mënyrë të ngjeshur e të fortë; të përsërisë me pak fjalë gjithë mendimet e mësipërme e të dalë më në fund cili do të ishte qëllimi i shkrimit. Këshillat e Konicës përfaqësojnë një sistem dijesh profesionale, a tërësi rregullash e normash orientuese në veprimtarinë praktike profesionale publicistike. Është shumë e rëndësishme që shkrimi të shkruhet me një stil krejt karakteristik për gjithsecilin e që duhet të dallojë për qartësi, çiltërsi e njomësi; të jetë ndikues në komunikim dhe të nxisë mendimin krijues të lexuesit. Nuk duhet të harrojmë se një punë krijuese, kur ajo bëhet publike nuk është më një punë individuale. Sepse pasi ajo prezanton shpirtin krijues të autorit, në fund të fundit mbetet një punë krijuese e redaksisë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: