TIRANE-Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e 10 kilometrave korsi të dedikuara për lëvizjen e biçikletave.

Ky synim u bë publik nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi të zhvilluar me Ambasadoren e Hollandes, Dewi De Weerd, profesorë të ardhur nga Hollanda dhe Unversiteti i Tiranës, ku u prezantua edhe një studim i posaçëm mbi mundësitë e lëvizjes me biçikleta në Tiranë. Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se për herë të parë është vendosur një fond i posaçëm për këtë qëllim edhe në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe se rrugët e reja po ndërtohen duke pasur edhe një korsi të dedikuar për biçikletat. Sipas tij, shumë shpejt do të fillojë përcaktimi i korsive për biçikletat në disa nga rrugët kryesore ekzistuese të kryeqytetit.

“Do të fillojmë me aksin bulevardi “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu me rrugën e re të Kombinatit. Duke pasur një rrjet prej 10 kilometrash, besoj se mund të flasim seriozisht për kulturën e rikthyer të biçikletës në Tiranë”, shtoi Veliaj.

Ambasadorja holandeze, Dewi De Weerd siguroi mbështetje për çdo projekt që Bashkia e Tiranës do të kërkojë të zbatojë për ndërtimin e korsive dhe stacioneve të qëndrimit të biçikletave. “Të rinjtë janë shumë pozitivë përsa i përket ecjes me biçikletë (çiklizmit) dhe ju do të keni një mbështetje të madhe, nëse bëni zona për biçikletat dhe jo vendparkime makinash”, tha ambasadorja Dewi De Weerd.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: