Gjermania thotë se ka marrë 136 kërkesa për azil nga shtetas turq që mbajnë pasaporta diplomatike që prej tentativës së dështuar për grusht shteti në korrik të 2016.

Mediat gjermane raportojnë se kjo shifër është shtrirë në periudhën nga gushti i 2016 në janar të 2017.

Ministria e Brendshme gjermane nuk ka identifikuar 136 turqit që kanë kërkuar azil, të cilët nuk janë vetëm diplomatë, por edhe familjarë të tyre, si bashkëshortet e fëmijët që mbajnë pasaporta diplomatike.

Ende nuk është e qartë nëse ndonjë prej tyre ka arritur të fitojë të drejtën e azilit.

Turqia ndërkohë i ka bërë thirrje Gjermanisë të mos japë azil për asnjë oficer ushtarak, teksa mendohet se në mesin e atyre që kanë kërkuar azil janë edhe disa shtetas turq pjesë e bazave të NATO-s në Gjermani.

Sakaq në Greqi dy ushtarë turq kanë kërkuar azil. Dyshja raportohet se janë pjesë e komandove dhe besohet se kanë qenë pjesë e grushtit të dështuar kundër presidentit Erdogan.

Ata ndodhen në paraburgim dhe kanë aplikuar për azil javën e kaluar në Orestiada, një qytet i vogël kufitar pranë Turqisë.

Nga ana e saj Greqia ka deklaruar se po pret një kërkesë ekstradimi nga autoritetet turke për dy azilkërkuesit.

Tetë anëtarë të tjerë të ushtrisë turke u nisën më helikopter drejt Greqisë vitin e kaluar pas tentativës së dështuar të grushtit.

Gjykata e Lartë Greke vendosi për mos ekstradimin të tyre, gjë e cila ka tensionuar marrëdhëniet mes aleatëve të NATO-s Greqisë dhe Turqisë.

Që prej grushtit të korrikut, rreth 40,000 persona janë arrestuar në Turqi dhe më shumë se 100.000 janë shkarkuar ose pezulluar nga ushtria, shërbimi civil dhe sektori privat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb