NGA FATMIRA NIKOLLI
Një batutë e studiuesit Sabri Hamiti, karshi ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, mori vëmendjen e gjithë konferencës së mbajtur dje në Bibliotekën Kombëtare për 150-vjetorin e poetit Ndre Mjedja. Anipse batuta qe krejt dashamirëse dhe miqësore, leximi që iu dha si ‘debat’ së paku e riktheu njëfarësoj vëmendjen te leximi e kultura duke i marrë terren politikës së ditës, e së dyti, e çoi këtë vëmendje drejt lamisë së letrave e specifikisht te problemet e kësaj lamie.

Shkurtimisht, mbasi ministrja dhe jo vetëm ajo, lexuan vargje të Mjedjes (pse Mjedja e jo Mjeda sqarohet më poshtë), në një replikë miqësore, studiuesi i tha ministres se ai poet nuk recitohet ashtu. Replika kishte të bënte në fakt me problemin e hundorësisë (hundorja e gegnishtes) dhe gjatësisë së zanores (po të gegnishtes). “Mjedja nuk recitohet kështu. Mjedja recitohet duke respektuar gjatësinë e zanores dhe hundorësinë”, iu drejtua studiuesi Kumbaros, e në këmbim mori nga ministrja premtimin se do ta rilexonte.

Ajo çka në fakt të sjell ndërmend kjo batutë mes njerëzish të së njëjtës lami, pra atyre të letrave, është vendi që i është lënë gegnishtes e përtej saj, atyre që e kanë lëvruar, qoftë edhe Mjedjes, Fishtës a gjithë të singjashmëve të tyre, që shumë kanë dhënë e pak po marrin.

Mjaft të lexosh Fjalorin e Gazullit (fjalë të rralla të përdorura në Veri të Shqipërisë) për të kuptuar se sa shumë ka humbur shqipja tash e sa mot. Nëse del të jetë e vështirë të lexuemit, e të kuptuemit e Mjedjes e Fishtës, dy emra n’za të shqipes së shkrueme e t’letrave shqipe, bjerrja e gjuhës dhe e pasurisë së saj në fjalë e në terma (e zëvendësimi i tyre me fjalë të huaja!!), përmes kësaj dukurie, veçse del pak në pah, si do dilte maja e ajsbergut për të treguar se ka shumëçka që s’duket.

MBI MJEDJEN, PA BATUTA
Në takimin e djeshëm disa poezi i lexoi aktorja Ema Ndoja, ndërsa në tryezën e rrumbullakët: “Rilexime të Mjedjes” drejtuar nga Dhurata Shehri morën pjesë Persida Asllani, Sabri Hamiti, Kolec Topalli, Shaban Sinani, Kastriot Gjika, Edlira Tonuzi, Gazmend Krasniqi, Lisandri Kolas etj. Kumtesat e secilit, sollën Mjedjen si poeti i përsosmërisë, si gjuhëtari modern, si përkthyesi i hollë, si themeluesi i hagjiografisë shqipe, si atdhetari vetëflijues, si kleriku i përkushtuar dhe si mësuesi i apasionuar.
Përtej batutës që na shpie në shtigje të tjera dashje a pa dashje, dje, Sabri Hamiti solli në Bibliotekën Kombëtare librin “Ndre Mjedja”, botuar në Prishtinë më 2016; libër që erdhi si një udhëtim në leximet personale të poetit, ku, nga leximi më i hershëm e intim i “Vajit të bylbylit” më 1982 e deri te shqyrtimet më të fundit të Mjedjes si “liriku klasik” dhe “poeti ëndërrues” që përmbyllin librin më 2016-n, shpërfaqet mrekullia e leximit, por edhe sfida e përhershme e rileximit dhe riinterpretimit.

Duke kërkuar që fjala e mbajtur prej tij dje të merrej si “me dashuni si konfesion personal”, Prof. Hamiti tha se “ky libër është leximi i këtij autori me një kalendar mbi 35 vjet. Është lexim sistematik e i përhershëm. Janë tekste të komunikimit të vërtetë të dy qenieve që rrokin mosha e periudha të ndryshme. Nëse këtë rast rroja jo rraja- është Ndre Mjedja e ne të tjerët, unë së paku- jam rroji i tij, që nuk është pranë as afër”.

Tha se kur përdorte termin ‘kujtesa e fjalës’, “më kanë përqeshë se thoshin se fjala s’ka kujtesë, kujtesë ka njeriu”.

Studiuesi u shpreh se “me Mjedjen jam marrë gjatë dhe është mjeshtër që ndiqet dhe jipet për aq sa i jep ai që është rroji i tij. I vetëdijshëm që nuk po them të vërteta, sepse ai që pretendon se i thotë- e bën mashtrimin më të madh- autorët shpalosen për aq sa shpalosen dhe për aq sa u jep ti. Unë do thosha që nuk e dua të vërtetën në letërsi, sepse e dua Mjedjen para të vërtetës. Unë nuk kam të vërtetë për letërsinë por unë dua ta kërkoj, letërsinë për Mjedjen”.

Hamiti e cilësoi poetin si “lirik klasik” jo nga malli për klasifikime. “Unë thashë lirik klasik si veçim, pra, përtej formacionit letrar, përtej një drejtimi e përtej një kohe, sepse nuk është Mjeda poet bashkëkohor- qysh thonë këta, nuk është poet pra i një kohe, është poet i shumë kohëve. Në këtë kuptim, edhe po të duam të bëjmë spekulime si njerëz që e kanë mall klasifikimin, profesorët e kanë këtë punë për shkak të skolaritetit të studimeve që i bëjnë me nxënës e studentë. Ai nuk duhet vënë në asnjë cep, se Mjeda është kujdesur vetë që të mos vihet në asnjë cep, po ta luajmë lojën e një fare historizmi letrar ne do të shohim se ai vjen pas nja 12 romantikëve italo-shqiptarë, dhe vjen i pari para nja 12 modernëve shqiptarë”.

PSE MJEDJA E JO MJEDA?
Një problem që meriton diskutim, lidhet me vetë emrin e poetit: Mjeda apo Mjedja? Profesor Kolec Topalli, sqaroi gjatë fjalës së tij cili është mbiemri i saktë i poetit dhe pse forma e tij, ndryshe dihet dhe ndryshe ka qenë përdorur prej vetë poetit.

“Në pamje të parë duket si gjë pa rëndësi, vetëm një tingull i shtuar. Por e vërteta është ndryshe. Bashkëtingëllorja -j- ka një shpjegim shkencor dhe vetë autori e shkruan me këtë bashkëtingëllore. Pra, jo trajta Mjeda është më e hershme dhe kësaj i është shtuar bashkëtingëllorja -j-, por Mjedja është më e hershme, kurse Mjeda më e re dhe e dalë prej saj. Atëherë, si shpjegohet trajta Mjedja?

Dihet se poeti e mori patronimin prej emrit të fshatit. Po të shkosh në vendlindjen e poetit, të vjetrit e quajnë fshatin e tyre Mjed dhe në të shquarën Mjedja; domethënë emri bën pjesë në një paradigmë të zhdukur emrash të gjinisë femërore, që në të pashquarën dilnin me bashkëtingëllore njëlloj si mashkullorët, kurse në të shquarën merrnin nyjën -ja, si: shëndet ~ shëndedja, vullnet ~ vullnetja, short ~ shortja, gjeth ~ gjethja; në toponimi: Lesh ~ Lezhja, Shkup ~ Shkupja, Mat ~ Matja, që në rasën gjinore bën Matsë, Bregu i Matsë. Edhe sot në Shkodër thuhet: a të ka mbajtë shndedja?

Nga ana etimologjike, mjet ka kuptimin ndërmjet, siç e thotë Mjeda në një poezi: ‘Tue ra borë tue fry murrlani,/mjet dy vorreve si i lis,/ afër gropës që vetë e bani,/ djali i vogël u molis’.
Kjo mjet lidhet brenda gjuhës edhe me parafjalën me dhe me emrin mjet ‘vegël’, si në gjerm. që ka mit ‘me’ e Mittel ‘mjet’. Si u bë kalimi nga Mjedja në Mjeda? Shumë lehtë. Meqenëse emri përmban dy bashkëtingëllore të njëjta, njëra prej tyre ra me anë të zhdukjes disimilatore. Dhe ky evolucion ka prekur edhe emrin e fshatit, edhe patronimin, që gjendet me shumicë në qytetin e Shkodrës”.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb