Nga: DARINA TANUSHI

Disa socialistë të vjetër i janë bashkuar dje Agron Dukës në Partinë Agrare Ambientaliste. Ndërsa jemi futur në vitin elektoral, ish-deputetët Marko Bello, Gazmir Bizhga apo edhe ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u bashkuan dje me këtë parti. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, një prej ish-deputetëve dhe ish-ministri socialist, Marko Bello pohoi se ishte ftuar në këtë parti për të dhënë kontributin e tij. “Po, është e vërtetë që i jemi bashkuar. Na është kërkuar që të japim kontributin tonë në organizimin e Partisë Agrare, e cila do të ketë një dimension të ri”, – u shpreh Bello. Ish-deputeti socialist ka mbajtur poste të rëndësishme në kryesinë e PS-së, por edhe në qeveritë e saj.

Shkëputja e tij me PS-në erdhi pasi u pozicionua hapur kundër kryetarit Edi Rama në lëvizjen e ashtuquajtur “LMN”, të drejtuar nga Ben Blushi. Pas kësaj ai nuk u kandidua më si deputet nga kryetari Rama, duke përcaktuar edhe largimin e Bellos nga strukturat drejtuese të PS-së. Gazmir Bizhga gjithashtu ka qenë një nga funksionarët e PS-së ndër vite, ndërkohë që PS-ja drejtohej nga Fatos Nano. Edhe largimi i tij erdhi në të njëjtën kohë kur shumë nanoistë u mënjanuan me ardhjen e të rinjve “proRama” në PS. Sa i përket ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, për të cilin u hap edhe një çështje penale, rrjedha e ngjarjeve ka qenë po njësoj. Prej vitesh atij i ishte besuar drejtimi i Bashkisë së Vlorës si përfaqësues i PS-së. Më pas ishte vetë Rama që e afroi edhe në kryesinë e partisë. Por më pas mes tyre pati mosmarrëveshje, të cilat krijuan ndarjen përfundimtare në fund, kur punët shkuan në dyert e drejtësisë.

Të tre këta ish-socialistë të vjetër janë kërkuar nga Agron Duka për të kontribuar në një organizim të ri të agrarëve, e cila tashmë kërkon të forcohet si parti. Aktualisht Partia Agrare është në opozitë me Partinë Demokratike. Vetëm pak muaj më parë, themeluesi i PAA-së, Lefter Xhuveli u tërhoq nga politika, duke e lënë partinë e krijuar dhe drejtuar prej tij prej gati 25 vitesh në duart e Agron Dukës, që më parë ka mbajtur detyrën e ministrit të Bujqësisë. Ndër vite, agrarët e drejtuar prej Lufter Xhuvelit kanë qenë herë në koalicion majtas dhe herë djathtas. Vitet e fundit, PAA-ja, pasi u zhgënjye nga koalicioni me Ramën, u pozicionua me PD-në, kur kjo e fundit drejtohej nga Sali Berisha. Ndërsa tashmë agraro-ambientalistët do të drejtohen nga Duka, i cili duket se ka vendosur të afrojë rreth vetes edhe politikanë të vjetër. Ende nuk dihet se si do të pozicionohet në zgjidhjet e ardhshme parlamentare PAA-ja e Dukës, por ai ka vendosur që të organizojë strukturat në të gjithë vendin, shumë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat mund të jenë në qershor të vitit që vjen. Sipas sqarimit të Bellos, për shkak të përvojës së tyre të gjatë në politikë, do të mundësojnë hartimin e një programi shumëdimensional dhe të një strukturimi me të mirë të kësaj partie, e cila përfshin një masë të madhe popullore. Ndërkohë, Duka ka nisur takimet me qytetarë të ndryshëm, për të hapur sa më shumë anëtarësinë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb