NGA REZARTA DELISULA

Kanë kaluar 20 vjet që nga ng jarjet e mbrapshta të 1997-s, ndërsa dhuna, shkatërrimi, vjedhjet ende kanë gjurmë në jetët e shqiptarëve. Rrëzimi i firmave piramidale ku mijëra familje humbën gjithçka zgjoi një revoltë të madhe popullore. Situata politike ziente, ndërsa qeveria drejtohej nga Aleksandër Meksi dhe presidenca nga Sali Berisha. Pikërisht në këtë kohë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së me datën 12 shkurt 1997, një grup deputetësh e funksionarësh të lartë në Partinë Demokratike paraqitën një ndër dokumentet më të rëndësishme politike për të shpëtuar vendin nga kaosi.

Dashamir Shehi, Alfred Serreqi, Tomor Malasi, Bashkim Kopliku, Genc Ruli, anëtarë të KPD-së dhe Kuvendit, hartuan planin e veprimit për kalimin e situatës së jashtëzakonshme, me bazë hapjen e dialogut me të gjitha partitë për gjetjen e një konsensusi politik, që duhej të niste me dorëheqjen e qeverisë “Meksi” si përgjegjëse për situatën e krijuar, dhe shkëputjen e presidentit Berisha nga partia për të garantuar asnjanësinë e debatit ndërpartiak.

Në paketën e propozimeve politike ishin të mirëpërcaktuara dhe masat ekonomiko-ligjore për shmangien e greminës ekonomiko-sociale, që më pas rënduan vendin e shqiptarët. Dokumenti iu bë i njohur përfaqësive diplomatike në vend dhe mori OKAY-n e zv/sekretares së shtetit, Medlin Ollbrajt, e cila në ato kohë ndodhej në Romë. Sigurisht që kjo formulë nuk gjeti mbështetje nga drejtuesit e PD-së, ndërsa pak muaj më vonë i gjithi ky grup u veçua nga Partia Demokratike dhe doli në zgjedhje si një grupim i djathtë veçmas tyre. Më poshtë po botojmë të plotë këtë dokument politik, që mund të kishte stopuar sadopak pasojat e rënda të vitit 1997.
DOKUMENTYI PER MEKSIN

DEKLARATË

Ne, një grup anëtarësh të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, duke parë situatën e rëndë politike dhe ekonomike që është krijuar në vend dhe duke ndjerë përgjegjësinë e madhe që kemi përpara Shqipërisë dhe historisë, i parashtrojmë Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, por edhe opinionit publik në përgjithësi, idetë tona për gjetjen e rrugëzgjidhjeve dhe kalimit të situatës së jashtëzakonshme që ekziston sot në Shqipëri: Për një forcë politike serioze dhe të ndërgjegjshme, momenti i një krize të thellë është edhe momenti i një analize të thellë nga e cila duhet të dalin domosdoshmërisht vendime të rëndësishme që të përçojnë një kthesë të ndjeshme në jetën e Shqipërisë, demokracisë dhe të vetë Partisë Demokratike. Jemi të bindur plotësisht se brenda Partisë Demokratike ekziston ende potenciali i idealeve dhe energjive që krijuan dhe zhvilluan PD-në dhe demokracinë shqiptare deri më sot, kuraja dhe impenjimi historik i bazës popullore të saj.

Partia Demokratike si partia me konsensusin më të madh elektoral dhe me kontroll të plotë të institucioneve themelore të shtetit, mund dhe duhet të mbajë peshën më të madhe të përgjegjësisë së situatës së krijuar dhe të shprehet publikisht dhe me kurajë për gabimet dhe përgjegjësitë që i takojnë. Brenda partisë duhet të rivendoset në mënyrë emergjente demokracia dhe funksionimi i hapur e transparent i të gjitha organizmave partiake statutore në qendër e në bazë, të cilat janë cenuar rëndë dhe në mënyrë të përsëritur. Qëndrimet e PD-së duhet të jenë qëndrime rezultante e kolegjiale të gjithë partisë dhe jo vetëm të disa individëve që shfaqin egoizëm dhe mungesë largpamësie e gjykimi politik.

Të hapet dialogu i sinqertë dhe impenjues me të gjitha forcat politike shqiptare për gjetjen e zgjidhjeve mbi bazën e një konsensusi sa më të gjerë politik. Krahas parlamentit, të funksionojë rregullisht tryeza e përbashkët e partive si institucion i këtij konsensusi. Të përgatitet sa më shpejt nga një komision mbarëpartiak projekti i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili më vonë t’i nënshtrohet miratimit parlamentar dhe referendar. Presidenti i Republikës të shkëputet nga partitë në këtë periudhë kritike dhe duke ruajtur rolin e asnjanësit të bëhet garantuesi i debatit ndërpartiak dhe i paketës kushtetuese.

Kjo presupozon largimin e tij nga ndikimi që ka ushtruar deri tani mbi pushtetet e tjera. Të japë dorëheqjen qeveria “Meksi”, duke pasur përgjegjësi për situatën e krijuar, dhe të diskutohen të gjitha opsionet e mundshme të krijimit të një qeverie të re, si e vetmja zgjidhje e shpejtë politike për rikthimin e besimit për institucionet e qeverisjes. Qeveria e re që do të krijohet nga Partia Demokratike të ketë të gjitha prerogativat dhe kompetencat e një qeverie të “Shpëtimit Publik”.

Kjo qeveri të ketë si prioritete:
a) masat ekonomike-ligjore për shmangien e katastrofës ekonomike dhe sociale:
-vënien nën kontroll transparent dhe të hapur të skemave huamarrëse ende të pafalimentuara për të shmangur ndërkohë abuzimet financiare, shpërdorimet apo transfertat e parave nga ana e tyre.
-hartimin e një programi financiar afatshkurtër për ndihmën ekonomike ndaj familjeve të dëmtuara që ndodhen në kushtet më të vështira.
-sigurimin e mbështetjes politike dhe financiare nga qeveritë e vendeve të ndryshme dhe institucionet ndërkombëtare për kapërcimin e gjendjes së krizës.
-fillimin e një procesi të hetimit të përgjegjësive të personave publikë dhe privatë të përfshirë në mashtrimin e skemave huamarrëse si dhe deklarimin e pasurive të tyre dhe ndriçimin e mënyrës së krijimit të tyre.
-marrjen e masave emergjente nga organet financiare dhe monetare të shtetit për stabilizimin dhe kontrollin e situatës makroekonomike, të inflacionit, çmimeve dhe vlerës së lekut.
b) rikthimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, i cili u dëmtua rëndë kohët e fundit dhe u përkeqësua më tej me situatën që po kalon sot. Orientimi definitiv perëndimor i Shqipërisë në politikën e jashtme si dhe në veçanti përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-të, të dëmtuara rëndë së fundmi nga kokëfortësia dhe inkompetenca e drejtuesve aktualë të politikës sonë të jashtme.
c) përmirësimin e marrëdhënieve me komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë, për të rivendosur besimin e lëkundur nga ekuivoket e qëndrimeve të fundit të politikës së shtetit shqiptar. Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe të Parlamentit!

Ne mendojmë se PD-ja ndodhet në një moment të vështirë, por jo të pashpresë. Ne mendojmë se partia dhe mijëra militantë të saj në mbarë vendin kanë forcën të dalin nga impasi politik ku jemi futur. Kjo sepse ndjejmë të gjithë përgjegjësinë dhe impenjimin e madh për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize tepër të rëndë. Mendojmë se në alternativën që po ju ofrojmë do të jemi të mbështetur nga shumica e Partisë Demokratike, popullit shqiptar dhe komunitetit ndërkombëtar. Ju ftojmë të bashkoheni me propozimin tonë politik, sepse mendojmë që sot është dita për të vendosur me guxim dhe ndershmëri për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

NËNSHKRUESIT E DOKUMENTIT QË U PARAQIT NË KPD
DASHAMIR SHEHI
ALFRED SERREQI
TOMORR MALASI
LEKA TOTO
TOMORR DOSTI
ZAFER YPI
MAKSIM KONOMI
BASHKIM KOPLIKU
GENC RULI
DRITAN OSMANI
ARJANA NATI
PETRIT BERHAMI
SHPËTIM MEZINI
GËZIM ZILJA

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: