Nga: ELVIS ZAIMI
Në datën 17 Janar 2017, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë në Karlsruhe mori një vendim të rëndësishëm,
atë në lidhje me kërkesën për shpalljen si antikushtetuese të NPD (Partisë Demokratike Kombëtare). Ishte hera e dytë që Gjykata Kushtetuese Gjermane merrte në shqyrtim një kërkesë për ndalimin si antikushtetues të NPD, një parti me profil politik dhe ideologji të afërt me nazizmin (tentativa e parë kishte dështuar në 2001), ndërkohë që ky vendim përfaqësonte edhe rastin e gjashtë në historinë e saj që kjo gjykatë merrte në shqyrtim procedura për deklarimin antikushtetues të partive. Në periudhën e pasluftës së dytë botërore, po kjo gjykatë, me dy vendime që i dhanë asaj famë, vendosi ndalimin si antikushtetues të Partisë së Reich-ut Socialist dhe Partinë Komuniste Gjermane (përkatësisht në vitet 1951 dhe 1956), në një përpjekje për ta distancuar këtë vend nga e kaluara totalitare, dhe konsoliduar zhvillimin e tij demokratik properëndimor.
Ndryshe nga vendet e tjera ku mbijetesa e partive në skenën politike është një zgjedhje që i lihet në dorë “mençurisë’ së votuesve, në Gjermani, Gjykatës Kushtetuese i njihet një rol i caktuar në formatimin e jetës politike, me kompetencën që i njeh Kushtetuta për ta deklaruar si jo kushtetuese një parti të caktuar dhe ndaluar veprimtarinë e saj të mëtejshme, nëse ajo përfaqëson një rrezik real dhe aktiv për “rendin e lirë demokratik”. Kjo shpjegohet me përvojën historike të atij vendi ku ardhja e nazistëve në pushtet ndodhi nëpërmjet procesit elektoral, mirëpo zgjedhja e tyre me pëlqimin e popullit gjerman nuk ishte e mjaftueshme për të parandaluar abuzimet skandaloze me pushtetin dhe nëpërkëmbjen e vlerave themelore të dinjitetit njerëzor. Ashtu si është shprehur vetë Kancelarja Merkel, me rastin e 60 vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane(cit): “Ishte përbuzja për ligjin që i parapriu tmerreve të parrëfyeshme të tiranisë nacional-socialiste. Në këtë mënyrë, ata që krijuan kushtetutën tonë, nxorën dy mësime nga historia; se ligji i paraprin pushtetit, dhe se pushteti duhet të jetë nën kontrollin efektiv të ligjit”
Kërkesa për ndalimin e një partie si jo kushtetuese bazohet në nenin 21 pika 2 të Kushtetutës gjermane, sipas të cilit(cit): “Partitë, të cilat me qëllimet ose me sjelljen e anëtarëve të tyre synojnë të dëmtojnë apo të eliminojnë rendin e lirë demokratik, janë antikushtetuese”. Thënë ndryshe, ndalimi i një partie si antikushtetuese mund të ndodhë mbi bazën e dy kritereve 1-kriterit ligjor, d.m.th të qëllimit të orientuar drejt “dëmtimit” ose “eliminimit” të rendit të lirë demokratik 2-kriterit të veprimtarisë faktike, d.m.th metodën ose sjelljen politike të anëtarëve ose liderëve të tyre në ndjekjen e këtij qëllimi, sesa e fuqishme është ajo për të themeluar një rrezik të mundshëm dhe real, për rendin e lirë demokratik.
Gjykata konstatoi se NPD mbron një koncept politik që shpërfill respektin për dinjitetin njerëzor dhe të papajtueshëm me parimin e demokracisë, por në mungesë të treguesve specifikë dhe me peshë për kërcënimin real që kjo forcë politike përfaqëson për “rendin e lirë demokratik” të Gjermanisë, arriti në përfundimin se kërkesa për ndalimin e saj si antikushtetuese ishte e pathemeltë, d.m.th se përpjekjet e NPD të drejtuara kundër “rendit të lirë demokratik”, edhe pse sistematike dhe me një intensitet të mjaftueshëm, vështirë se mund të jenë të suksesshme në një të ardhme të afërt. Thënë ndryshe, kriteri faktik, ai i rrezikshmërisë reale që NPD përfaqëson aktualisht për “rendin e lirë demokratik” gjerman, duket se pamundësoi një vendim që do të ndalonte si antikushtetuese veprimtarinë e mëtejshme të kësaj force politike.
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të përshkruajë as tendencat pro naziste të Gjermanisë së pasluftës, dhe as historinë dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese gjermane, një gjykatë e pushtetshme dhe e admiruar, e cila me inovacionet e saj jurisprudenciale të eksportueshme ndërkombëtarisht, konsiderohet, në sensin pozitiv të krahasimit, si një “kundër model pozitiv” i Gjykatës Supreme të ShBA, madje edhe nga studiuesit amerikanë. Në fakt, synoj të jap disa refleksione modeste juridike ndërmjet asaj që është perceptimi im i standardeve të sjelljes së udhëheqësisë së partive të ndryshme politike dhe të pushtetit shtetëror në realitetin shqiptar, në raport me përgjegjshmërinë që ata duhet të shfaqin ndaj ndjekësve të tyre, luajalitetit ndaj rendit kushtetues dhe normës së shtetit të së drejtës, si dhe në marrëdhënie me kundërshtarët politikë. Si kushtetuta gjermane, ashtu edhe ajo shqiptare, nuk janë politikisht neutrale, por vënë në majë të vlerave të tyre mbrojtjen e dinjitetit njerëzor (neni 1 i Kushtetutës gjermane dhe 15/1 i asaj shqiptare), si dhe shtetin e të drejtës (neni 4 i Kushtetutës shqiptare dhe parimet e nenit 20 të kushtetutës gjermane). Por ndërsa gjykata kushtetuese gjermane ka elaboruar nocionin kyç të “rendit të lirë demokratik” (Freiheitlich demokratische Grundnordgung), Gjykata Kushtetuese shqiptare ende sot nuk ka kristalizuar mjaftueshmërisht ndonjë gjë të ngjashme, përveç një referimi te norma/parimi universal I shtetit të së drejtës dhe ajo “deklarative” e “kushtetutshmërisë funksionale”. Më konkretisht, në optikën time shteti i së drejtës nënkupton më shumë sesa koherencën e sistemit normative me vlerat kushtetuese, në fakt, ambicia për shtetin e së drejtës lidhet me fakticitetin e sjelljes së institucioneve shtetërore dhe të aktorëve të jetës politike në demokraci, nëse ata dëshmojnë respekt të sinqertë ndaj vlerave kushtetuese. Me vendimin e saj të 1950 ndaj Partisë së Reich-ut Socialist, Gjykatës Federale Gjermane iu desh të përkufizonte termin “rendi i lirë kushtetues (demokratik)”. Kjo gjykatë pohoi se një rend I tillë e përjashton dhunën dhe arbitraritetin, duke e shfaqur vetveten në vetëvendosjen popullore jo vetëm sipas shumicës në fuqi, por edhe sipas lirisë dhe barazisë. Parimet themelore të këtij rendi sipas gjykatës ishin respekti për të drejtat e njeriut të specifikuara në Kushtetutën gjermane, mbi të gjitha e drejta për jetën dhe vetëvendosjen, sovraniteti popullor, ndarja e pushteteve, llogaridhënia e qeverisë, ligjshmëria e veprimtarisë së administratës shtetërore, pavarësia e gjykatave, sistemi shumë partiak me mundësi të barabarta për të gjitha partitë politike, jo vetëm për të fituar zgjedhjet dhe për të qeverisur, por edhe në të drejtën e tyre kushtetuese për të bërë opozitën.
Duke hequr disa paralele me vendimin e lartpërmendur të Gjykatës Kushtetuese gjermane, përtej analizës penale, ndoshta 21 janari meritonte edhe një vlerësim nga jurisprudenca kushtetuese shqiptare, bazuar në tre standarde:
1-Nocioni i “rendit të lirë demokratik” sipas nenit 21/2 të kushtetutës gjermane ka n ë themel të tij paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor, të sanksionuar në nenin 1 të kësaj kushtetute. Ai përfshin sigurinë mbi integritetin, identitetin, dhe individualitetin personal të individit, pjesë e pandashme e të cilit është barazia përpara ligjit dhe ajo në të drejtën për të marrë pjesë në jetën politike publike të çdo qytetari. Monopoli shtetëror në përdorimin e forcës, është i lidhur dhe i nënshtrohet jo vetëm ligjit, por edhe krye vlerës kushtetuese, mbrojtjes së jetës dhe dinjitetit njerëzor, vlera këto që janë të sanksionuara në nenet 4, 21, dhe 15/1 të Kushtetutës shqiptare.
2- Koncepti i “vënies në rrezik” të rendit të lirë demokratik, është një koncept sa politik aq edhe kushtetues, dhe rendi i lirë demokratik është vënë në rrezik jo vetëm kur sulmohen institucionet, por edhe kur forcat politike apo administrata shtetërore vënë në rrezik hierarkinë e vlerave kushtetuese, pra shpërfillin respektin që imponon dinjiteti dhe jeta njerëzore. Respekti për institucionet dhe ai për jetën apo dinjitetin njerëzor janë element konstitutivë të sistemit politik dhe të rendit kushtetues.
3-Nëse një parti, hapur ose në mënyrë të maskuar, “vë në rrezik” rendin e lirë kushtetues (demokratik), ky vullnet duhet të rezultojë nga qëllimet ose sjellja e anëtarëve të saj. Nëse sjellja e anëtarëve reflekton një prirje themelore në këtë parti ose, është e miratuar shprehimisht nga drejtuesit e saj, ajo ka nevojë të censurohet nga jurisprudenca kushtetuese, e cila në mungesë të përgjegjshmërisë morale të klasës politike, duhet t’i vendosë kësaj të fundit disa kufij sjellje që rezultojnë nga ligji më i lartë i vendit, Kushtetuta.
21 janari u gjykua si një kazus penal, por, për sa ngjarja solli humbjen e jetëve njerëzore në një ballafaqim politik ndërmjet ish-opozitës dhe administratës shtetërore nën kontrollin e opozitës aktuale, ai ishte në këndvështrimin tim një kazus kushtetues par excellence, sepse dimensioni penal e reduktoi problemin vetëm te përgjegjësia personale në shkeljen e ligjit, duke neglizhuar një rreth më të gjerë përgjegjësish në lidhje me humbjen e jetëve njerëzore. Problemi duhej parë jo vetëm në suazat e përgjegjësisë penale të individit, pra brenda kufijve të shtetit ligjor, të cilin e kemi pasur edhe në diktaturë, por edhe në optikën e korruptimit të kulturës politike dhe asaj të drejtimit të shtetit. Dihet që Shqipëria fitoi me shumë vështirësi, e fundmja në Evropën Lindore, lirinë nga komunizmi, dhe me shumë mundime ende nuk ka fituar një “rend të mirëfilltë kushtetues”, pra një rend republikan të qytetarëve të lirë dhe me mundësi thelbësore të barabarta për çdo qytetar që ta udhëheqë jetën e tij duke u bazuar te ligji, d.m.th po të huazonim shprehjen doktrinore gjermane, ende nuk kemi fituar “një rend të lirë demokratik” me standardet e një demokracie perëndimore. Nëse një forcë politike merr pushtetin, kufijtë ndërmjet standardit të sjelljes që imponon administrata shtetërore dhe frymës të militantizmit partiak, tentojnë të zhduken.
Ndaj 21 Janari do të duhej të ishte një kazus i standardeve kushtetuese që do të duhet të përvijonte në realitetin shqiptar se deri ku tendencat dhe ambiciet politike për marrjen e pushtetit janë të tolerueshme për rendin demokratik dhe të drejtat e njeriut, se cilat janë kufijtë kushtetues ku aktiviteti opozitar politik është demokratikisht i legjitimuar, dhe deri ku forca shtetërore e tolerueshme, veçanërisht kur pasojat janë ekstreme si ato të humbjes së jetëve njerëzore, një vlerë kushtetuese e paderogueshme. Ndonëse një detyrë e vështirë, monitorimi nga Gjykata Kushtetuese i sjelljes faktike dhe tendencave reale të asosacioneve politike dhe organeve të pushtetit shtetëror, në lidhje me nënshtrimin përmbajtësor që ata duhet të tregojnë ndaj vlerave themelore të kushtetutshmërisë, në kuptim të neneve 9 dhe 131/d të Kushtetutës, duke përpunuar rregulla sjelljeje dhe limite në veprimtarinë politike dhe shtetërore, madje, nëse do të ishte e nevojshme edhe duke e censuruar juridikisht këtë sjellje, do të ishte i dobishëm si një barrierë mbrojtëse ndaj invazioneve jolegjitime të politikës ne domenin e vlerave supreme të rendit juridik dhe të një sistemi të qëndrueshëm shtetëror dhe politik, të tilla si jeta e njeriut dhe të drejtat themelore të tij (neni 21 dhe 15/1 i Kushtetutës). Për më tepër, qëndrime të tilla të Gjykatës Kushtetuese shqiptare do të kishin një funksion parandalues për mos përsëritjen në të ardhmen të fakteve tragjike të humbjes së jetëve njerëzore në aktivitete politike, ose si rezultat i përdorimit të forcës shtetërore. Siç argumenton Gjykata Kushtetuese gjermane, me vendimin e lartpërmendur të 17 janarit, dinjiteti njerëzor është themeli i mirëfilltë i rendit të lirë demokratik. Ai përfshin veçanërisht sigurimin e jetës, integritetit, nderit, dinjitetit dhe identitetit personal të çdo qytetari, si dhe barazinë para ligjit. Nën parimin e demokracisë, këtyre garancive, i shtohet edhe mundësia e çdo qytetari për të marrë pjesë si i barabartë në jetën publike dhe për të formuar opinionet e tij politike. Opozitari nuk është as “i huaj” dhe as “armik” që duhet diskredituar moralisht apo asgjësuar fizikisht, vetëm një kulturë e korruptuar politike do ta konsideronte atë si të tillë. Ai është thjesht “kundërshtari në bindje dhe ide politike”. çdo sjellje politike apo shtetërore që ofendon apo vë në kërcënim vlerat themelore të jetës dhe dinjitetit njerëzor, që janë njëkohësisht edhe vlerat e rendit të lirë demokratik, është e papajtueshme me Kushtetutën. E drejta kushtetuese duhet të kufizojë pragmatizmin politik, në mënyrë që aksioni jo legjitim opozitar të mos maskohet dhe fshihet pas lirisë së tubimit dhe as përgjegjësia shtetërore pas asaj penale. Humbja e jetëve njerëzore në një ballafaqim të dhunshëm ndërmjet opozitës dhe administratës shtetërore nuk është thjesht kapërcimi i një pragu në legjislacionin penal, por është vënia në rrezik e rendit të lirë demokratik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: