TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar 22 marsin, ditën e parë të demokracisë kur shqiptarët sipas tij, njerëzit më të shtypur hapën rrugën e ndërtimit të sistemit demokratik. Por ndërsa vlerëson simbolikën e kësaj dite, Berisha thotë se sot vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm.

Ai iu bën thirrje shqiptarëve të ngrihen dhe të përmbysin, ‘narkoshtetin e Edvin Ramës dhe klikës së tij’. Berisha ka publikuar edhe një video nga urimi i tij në vitin 1992.

STATUSI I BERISHËS
Gëzuar 22 marsin, Ditën e parë të Demokracisë!
Të dashur miq, sot mbarë kombi ynë nderon 22 marsin e vitit 1992 si ditën e parë të lirisë së tij, ditën në të cilën nën udhëheqjen e PD shqiptarët, njerëzit me të shtypur dhe më të mjeruar, më të izoluar të globit çelen me votën e tyre të lirë rrugën e ndërtimit të sistemit demokratik të bazuar në shtetin ligjor dhe vlerat e lirisë.

Si sot 26 vite më parë mbi 1.7 milionë të rinj, të reja, burra dhe gra, përmbysen me votën tyre të lirë diktaturën e genocidit, shtypjes më të egër dhe krimeve kundër njerëzimit që Shqipëria dhe Europa kishin njohur më parë, diktaturën mizore të Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të Pasluftës. Më 22 mars të vitit 1992 ne nisëm udhëtimin tonë në rrugën e lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar, të mbrojtjes së interesit tonë kombëtar dhe çështjes shqiptare të daljes nga izolimi dhe të renditjes së Shqipërisë në anën aleatëve të saj perëndimorë.

Si sot 26 vite më parë ne nisëm rrugën integrimit të vendit në institucionet europiane dhe euroatlantike, Këshillin e Evropës, Bashkimin Europian dhe NATO!

Sot pas 26 vitesh, me gjithë vështirësitë serioze në udhëtimin e saj, Shqipëria, nga njeri prej tre vendeve më të varfra të botës, renditet me vendet më të ardhura të mesme të larta. Ajo është anëtare e NATO-s, Këshillit të Europës dhe vend kandidat për anëtar të BE, Kosova është e lire dhe e pavarur, shqiptarët në tërësi janë më të lirë se kurrë në historinë e tyre.

Por sot përsëri vendi ndodhet në një udhëkryq tejet të rrezikshëm. Si në asnjë vend tjetër të Europës dhe botës, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama me narkoqeverinë e tij në pushtet ka vendosur narkoshtetin e tij dhe shndërruar Shqipërinë në vendin e sunduar nga droga, krimi, trafiqet kriminale, vendin e braktisjes masive nga qytetarët e tij!

Duke shprehur me nderimin më të madh para të gjithë atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që me votën e tyre me 22 mars të vitit 1992 shemben sistemin barbar komunist të Enver Hoxhës, iu bëj thirrje shqiptarëve të ngrihemi dhe me guximin tonë të përmbysim, të flakim në koshin e plehrave të historisë narkoshtetin e Edvin Ramës dhe klikës së tij. Edhe njëherë Gëzuar 22 Marsin, ditën e bardhë, ditën e parë të Demokracisë!

Berisha fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb