TIRANË-Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer batutat ndaj aleatëve dhe rivalëve të tij në festën e 24-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Mbrëmja u zhvillua në ambientet e jashtme të Teatrit Kombëtar, ndërsa Rama nuk ka kursyer “ngacmimet” për Ilir Metën, Lulzim Bashën, Gramoz Ruçin etj. Më poshtë disa nga batutat e Ramës:

Për Ilir Metën: Nuk fituam vetëm, por edhe me socialistët e Ilirit (Metës), i cili vazhdon të heqë peshë nga vetja për t’ia shtuar LSI-së.
Për Lulzim Bashën: Gëzuar ditëlindjen dhe kryetarit të opozitës. E ka në të njëjtën ditë me PS-në. As këtë herë nuk ia urova dot në kohë reale, pasi ne ishim në fushatë për bashkitë. Ai ishte në fushatë për referendumin. E ftuam të ishte pjesë në këtë festë, të kishte ardhur për kontributin e tij. E përshëndes mikun e tij Tritan Shehu, i cili do t’ia përcjellë urimin.
Për Pandeli Majkon: Për një vit kjo parti mbush çerek shekulli, ndërsa unë për pak ditë e kaloj një gjysmë shekulli. Edhe Pandi e ka kaluar gjysmë shekulli, edhe pse ka çerekshekulli që duket sikur e ka kaluar gjysmë shekulli.
Për Gramoz Ruçin: Gramozit duket sikur i ka rënë për pjesë vargu: vitet ikin, ti tëhu. Gramozi gjithnjë më porosit, ‘lëri emrat, se do e harrosh ndonjë dhe më shumë do krijosh qejfmbetje’.
Për Arta Daden: Arta nuk e di a është këtu se do ikte jashtë. Arta, këtu je mes nesh gjithsesi, nuk je nga ato që shkojnë e vijnë.
Për Erjon Braçen: Bashkë me Erjon Braçen, që duke përfituar nga gjatësia, ecën më shpejt dhe konsumohet më ngadalë.
Për Shpëtim Idrizin: Idrizi që na jep mësimin: Çam nuk lind, por bëhesh.
Për aleatët e vegjël: Të gjithë këtyre u detyrohem një bluzë me numrin 23 në kujtim të shprehjes: Qengji i butë pi dy nëna.
Për Skënder Gjinushin: Sikur Skënderi të mos kishte dalë i vetëm në luftë, s’do kishte mbetur asnjë jashtë fitores.
Për Spartak Ngjelën: Vetëm avokat Ngjela, sigurisht që nuk ishte “qengj i butë që pi nga dy nëna”. Ai ka kontributin e vet në këtë fitore. Ngjela është mbështetësi dhe kundërshtari i Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Për Bamir Topin: Me demokratët e presidentit Topi, që këtë herë fitoi se besoi te shprehja: Trimi i mirë me shokë shumë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: