NGA EDI LESI*

Ka zene pak ndryshk shigjeta që thotë rruga e Katalinës, po ajo dhe troshitja e makinës në urën mbi Drin të ndërmendin se po hyn në Shkodër. Tabela e madhe në të majtë ku shkruhet Lubjane, Zagreb, Vjene, Berlin, është pak më shumë se një orientim për shoferët, është si një vulë përkatësie, kaq shumë ky qytet ka gjakuar kah Europa.
Po sot është 2 prilli tragjik, një datë që ka ndalur humorin e shpotitë që prodhon paprere ky truall, atë ditë gri 25 vite më parë.
Ka një protestë në sheshin që mban këtë emër, përballë ish-komitetit të partisë. Mijëra qytetarë janë mbledhur, pritet të vijë Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. 4 të rinjtë 20 vjecarë që u vranë atë ditë, Arben Broci, Bujar Beshanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka janë krenaria e padyshimtë e shkodranëve, ndjenjë që dallohet në fytyra njerëzish e në ajri.

Tek pjesa e luleve u vra Arben Broci
uvrabroci
Zijai, 65 vjec, lidh bicikletën në një copë hekur ngjitur me nje shkurre dekorative ku ra pa jete Arben Broci. “Këtu kam qënë, nuk e prisnim se skena ba gja. Ishim tu protestu në paqe. Si nji natë ma parë, vec kur krisën armët. U ba si luftë”, kujton ai.
Agimi ka qënë 20 vjec atë kohë. Të tregon me gisht ndërtesën e vjetër pas memorialit ku feks një dritare e lënë pas dore.
“Prej atje gjujti snajperi, tek plumb”, thotë ai. Sot është degë e universitetit të Shkodrës godina përballë që ishte zyra e Partisë së Punës, që mori 4 jetë të pafajshme.

Nga kjo godine u qellua me snajper
uqelluamesnajper
Te Fillimet e Prec Zogajt, shkruhet gjatë për 2 prillin. Shkodranët ishin ngritur në këmbë një ditë ndërmjet, pas zgjedhjeve të 31 marsit, kur PD kish fituar bindshëm aty e po prapë komunistët duket se vononin rezultatin e donin të tregonin se ata ishin sërish në pushtet, pasi kishin marrë shumicën e votave në rang vendi.
Ahmet Kryeziu është vëllai i njërit prej dëshmorëve. Ngjitet në podium me emocion e flet shkurt.
“Duam të vërtetën, pse ndodhi. Kush e dha urdhërin. Duam drejtësi”. Ai përmend dhe emrin e Gramoz Rucit, atëbote Ministër i Brendshëm. “Mos të bëjë si engjëll në televizor, të flasë, të tregojë”.
Vita është sot 32 vjec. Ka ardhur me shumë shokë e shoqe të lagjes ku jeton në Xhabie. “Duam të dimë më shumë, kam qënë në fillore atë ditë, e morëm vesh se një ngjarje e rëndë ndodhi, erdhën prindërit më moren në klasë”. Në pedonalen veneciane të Shkodrës ka pak lëvizje. Qyteti është në shesh dhe thirrjet mbërrijnë aty prej megafonëve.
Jetmiri, 19 vjec punon kamarier në një bar të lezetshëm. Ai sdi shumë për 2 prillin. Thotë se ka një shok me të mencur për këto punë. Po ka dëgjuar nga prindërit se është bërë një masakër nga komunistët dhe ka parë dhe një dokumentar.

Kryetari i Partisë Demokratike ngre ovacionet kur shpall se 4 dëshmorët na kanë lënë një sprovë të përjetshme. Sprovën për të treguar të njëjtën vendosmëri e kurajo në përballje me të keqen që njësoj sot ka zënë rrugën e lirisë dhe mirëqënies. Basha angazhohet para qytetarëve se projekti i atyre që sakrifikuan më të shtrenjtën gjë, nuk do të ndryshket.
Në këtë marshim merr pjesë dhe historiani Romeo Gurakuqi.
Ka qënë me 1 prill të 1991 deri në orën 10 të natës, me mijëra të tjerë para komitetit. Ishte gjithë qyteti, kujton ai. Romeo të nesërmen iku në Gruemirë ku punonte. Kur u kthye në mesditë gjëma kishte ndodhur.
“Ishte padyshim ndëshkim për anti-komunizmin e Shkodrës, i urdhëruar nga Tirana”, thotë Gurakuqi.
Ky qytet e ka tëhuajtur regjimin që në fillesë. Kryengritjet e para anti-komuniste pas luftës aty u zhvilluan. Dhe demonstrata e parë në vitin 90 për të hedhur bustin e Stalinit. Aty në Shkodër kanë lindur ëndrrat për liri e europë, që fluturuan më tej në qiejt e gjithë vendit. Në kthim, nuk mund të mos vësh re tabelën e madhe që thotë Lubjanë, Zagreb, Vjenë, Berlin. Më poshtë sikur vigjëlon mbi Dri, shigjeta me pak ndryshk, Rruga e Katalinës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb