TURQI-Zëvendëskryeministri turk, Recep Akdağ, në lidhje me premtimin e Bashkimit Evropian për ndihmën me 3 miliardë euro për refugjatët sirianë në Turqi tha se presin ndihmën shpejt dhe me sinqeritet, raporton Anadolu Agency (AA).

“Si vendi që ka pritur më shumë refugjatë në botë ne jemi shumë të suksesshëm në këtë çështje”, është shprehur Akdağ në një deklaratë për gazetarët, pas fjalimit të mbajtur në ditën e dytë të konferencës me temë “Mbështetja e Sirisë dhe e Ardhmja e Rajonit” të zhvilluar në Bruksel.

Ai ka rikujtuar se Turqia ka një rol shumë të veçantë për refugjatët sirianë, ku ajo ka pritur 3.5 milionë sirianë.

“Vendet që kanë mundësi duhet të marrin më shumë përgjegjësi”

Vendet që janë larg me Sirinë duke përfshirë edhe vendet e Evropës, kanë qëllimin e mirë për të ndihmuar, tha Akdağ, duke shtuar se “Por kur vjen puna për vepra, për ofruar me të vërtetë mbështetje në këtë çështje, pikërisht këtu është pika ku ne duhet të ulemi dhe të mendojmë”.

Akdağ, ka tërhequr vëmendjen se nga pikëpamja e ndihmave të drejtpërdrejta nuk mund të thuhet se bota dhe Evropa kanë kryer atë që është e nevojshme, dhe se pjesa më e madhe e barrës ka rënë mbi Turqinë, Jordaninë dhe Libanin.

Ai tha se konferenca ishte frytdhënëse nga pikëpamja e ndarjes së barrës dhe theksoi se vendet që kanë para dhe mundësitë duhet të marrin më shumë përgjegjësi.

Duke bërë të ditur se me BE-në kanë një marrëveshje për dhënien e 3 miliardë eurove për nevojat e emigrantëve në Turqi, Akdağ ka tërhequr vëmendjen se BE-ja ka një burokraci të madhe për përcjelljen e kësaj shume.

“Kemi përdorur rreth 1 miliard euro të kësaj shume. Po bisedojmë gjithashtu edhe mbi një marrëveshje të dytë për 3 miliardë euro. Duhet me patjetër të ulim burokracinë. Ne nuk presim që ata të mbajnë barrën në çështjen refugjatëve, por të paktën sado të kufizuar presim që ta kryejnë ndihmën shpejt dhe me sinqeritet”, tha zëvendëskryeministri i Turqisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: