Nga: MATILDA DOKLE*KUKES-Fshatra e komuna të tëra në Kukës po shkojnë drejt boshatisjes. Eksodi masiv drejt perëndimit ka prekur Zapodin, Shishtavecin dhe Topojanin, të njohura ndryshe edhe si zona e Gorës, aty ku çdo ditë ka raste të banorëve që largohen për një jetë më të mirë. Edhe këtu Gjermania është një nga shtetet ku synohet marrja e një azili. Komuna Shishtavec, ka numrin më të lartë të të larguarve drejt Gjermanisë. Vetë banorët vetë pohojnë se vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti janë larguar rreth 200 familje, ndërkohë që shkaku është i njëjti: skamja dhe mungesa e një vendi pune.

Tahir Bela, është një nga banorët e larguar pak ditë më parë drejt Gjermanisë, duke lënë pas nënën e sëmurë në moshën 80 vjeçare. Kunata e tij rrëfen për News24, se largimi ka qenë e vetmja mundësi, përballë kushteve ekstreme të varfërisë dhe një shtëpie të pabanueshme.

Të larguarit janë të shumtë, kjo vihet re edhe tek shkolla e mesme e bashkuar në Shishtavec ku vite më parë ishin më shumë se 700 nxënës sot është reduktuar në dhjetra të tillë, ndërkohë që klasa e parë frekuentohet vetëm nga dy nxënës, nuk ka asnjë fëmijë të klasës së dytë e numërohen me gishtat e dorës nxënësit deri në klasën e pestë të cilët janë grupuar në një klasë të vetme.
Burime nga gjendja civile në Shishtavec bëjnë me dije se në 7 vjecarin e fundit nuk është shënuar asnjë lindje, kjo edhe për shkak se kjo zonë popullohet më së shumti nga të moshuarit, për shkak se të rinjtë janë larguar.

Edhe gjatë këtyre ditëve kanë vijuar radhët e gjata në zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike. Aplikantët janë kryesisht të rinjtë apo familje të zonave që disa ditë më parë ishin të izoluar për shkak të dëborës, si Shishtavc, Topojan, Surroj, Bushtricë etj. Vetëm në tre muajt e fundit janë lëshuar më shumë se 17oo pasaporta në të gjithë qarkun e Kukësit ndërsa nga janar 2015 e deri më datë 8 prill të këtij viti janë larguar rreth 4 mijë banorë të këtij qarku. Fenomeni i eksodit vihet re edhe në auditoret e universitetit të Kukësit, ku këtë vit mungojnë më shumë se 40 studentë, që mësohet se janë larguar drejt Gjermanisë. Shishtaveci por edhe zona e Gorës në përgjithësi është klasifikuar si zonë me resurse të mëdha turistike por të pashfrytëzuar deri më tani ndërsa qarku i Kukësit sot zyrtarisht klasifikohet si më i varfëri në vend më papunësinë më të madhe në vend.

(a.n/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: