NGA XHENSILA KODRA*

TIRANË- Për 44 vite ka menaxhuar trafikun në qendrën e kryeqytetit shqiptar. Janë përmbysur sistemet, janë ndërruar qeveritë, por ai u ka rezistuar të gjitha kohërave, duke e kryer detyrën me pasion dhe profesionalizëm. Ai është Xhemil Haluli, me origjinë nga Gjirokastra dhe banues në Tiranë, i cili dje u nderua nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Me rastin e daljes në pension, 65-vjeçarit i është bërë një surprizë, e cila e ka lënë pa fjalë.

Efektivit të Policisë Rrugore iu dha dekorata, ndërsa iu dhurua motori me të cilin ka punuar për 22 vite. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mes emocioneve dhe lotëve, Xhemil Haluli tregon sprovat e vështira që ka kaluar gjatë karrierës në radhët e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, gjatë 25 viteve të fundit, ky është një rast i veçantë që Ministria e Brendshme i bën surprizë një efektivi të policisë.

Kur keni filluar punë në radhët e Policisë së Shtetit?
Më 1 shtator të 1973.

Çfarë arsimi keni mbaruar?
Të mesmen.

Si ka qenë puna punonjësve të Policisë Rrugore në kohën e monizmit?
Në kohën e monizmit, puna e Policisë së Shtetit ishte e njëjtë për të gjithë. Vlerësoheshin të gjithë njësoj.

Sa ka qenë rroga bazë në atë kohë dhe si ka ndryshuar deri në këto vitet e fundit?
Rroga në atë kohë ishte 5 mijë e 600 lekë të vjetra. Deri në vitin 1991 ka qenë po kjo rrogë. Ndërsa nga 1991 e deri më tani rroga ka ndryshuar mbi bazën e standardit të jetesës.

Çfarë gjobash ka pasur në kohën e monizmit?
Gjoba më e madhe ishte 100 lekë të vjetra. Për këmbësorin kur nuk kalonte në trotuar apo kur nuk kalonte te vizat e bardha, ishte 10 lekë të vjetra. Për biçikletat ishte 50 lekë të vjetra.

Si ka qenë sinjalistika rrugore e asaj kohe në krahasim me vitet e fundit? Keni pasur probleme?
Në atë kohë nuk kishte ngarkesë në mjete dhe kush shofer kapej në gjendje të dehur, i hiqej patenta.

Ju keni gati gjysmë shekulli që punoni në Policinë Rrugore, si ka mundësi që i keni rezistuar kaq shumë viteve, kur sa herë që ndërroheshin qeveritë kishte shkarkime edhe në radhët e policisë?
Unë u kam shërbyer sistemeve të ndryshme. Puna ime ka qenë vetëm të parandaloj aksidentet me pasoja dhe të vendos rregull. Por, me kushtet dhe standardet që kanë hyrë kohët e fundit në Policinë e Shtetit është rritur edhe cilësia e policisë.

Cilat janë momentet më të vështira që keni kaluar gjatë karrierës suaj?
Dy momentet më të vështira kanë qenë nga kthimi i sistemit, nga monizmi në demokraci dhe vitin ‘98, kur u armatos populli. Pra, nga vrasja e Azem Hajdarit, që u kthye edhe armatosja e popullit.

Si ka qenë viti ’97, kur pothuajse çdo qytet i Shqipërisë kishte bandën e tij? Si i keni rezistuar asaj kohe dhe a jeni kërcënuar me jetë?
Kam rezistuar si e gjithë Policia e Shtetit. Unë personalisht nuk jam kërcënuar, por në Sheshin “Skënderbej” ku unë shërbeja, fishekët kanë kaluar edhe mbi kokën time.

Po përveç Tiranës, në cilin qytet keni punuar tjetër?
Që nga momenti që unë kam filluar karrierën në Policinë e Shtetit e deri më tani kam punuar vetëm në Tiranë, kryesisht në Sheshin “Skënderbej”.

Sa është numri i gjobave që keni vendosur ju gjatë karrierës suaj?
Nuk numërohen. Çdo gjobë që kam vendosur, ka qenë brenda ligjit.

Kur janë vendosur më shumë gjoba, në qeverisjen e Berishës apo në qeverisjen e Ramës?
Gjobat janë vendosur në çdo kohë dhe për këdo që ka shkelur ligjin, por kohët e fundit policia e ka rritur standardin. Nuk është më ajo polici e viteve ‘91. Në atë kohë asnjë polic nuk përdorte fjalën “të lutem”.

Po personave VIP, kryesisht deputetëve, ministrave, gjyqtarëve apo prokurorëve a i keni vendosur gjoba?
Para 2-3 vitesh nuk gjobitej asnjë prej këtyre, ndërsa tani çdo njeri mund të gjobitet kur shkel ligjin. Edhe unë kam gjobitur në sektorin ku kam punuar. Gjobat kanë qenë kryesisht për parkim të gabuar.

Ke pasur ndonjë moment që ke menduar të tërhiqesh nga policia, duke qenë se ju punoni në shi e në diell?
Këto momente kanë qenë shumë të vështira, por asnjëherë nuk kam menduar të largohesha. Unë i kam kaluar të gjitha sistemet që vërenin se si bëhej puna e çdo polici.

Me cilin ministër të Brendshëm jeni ndjerë më komod gjatë karrierës suaj?
Me Saimir Tahirin.

Keni ndonjë arsye të veçantë?
Sepse shpërblen punonjësit e policisë. Madje edhe unë vetë u shpërbleva sot (dje) prej tij, me një dekoratë dhe me një motor që kam punuar gjithë jetën.

Çfarë mendoni për brezin e ri që do të hyjë në Policinë e Shtetit, e kryesisht në atë Rrugore?
Mendoj se nëse Policia e Shtetit do të vijojë kështu siç po punon tani, ka për të ecur përpara. Dhe brezi i ri duhet të arsimohet që të ecë përpara. Shpeshherë efektivët e policisë bëhen objekt barsoletash për shkak edhe të formimit të tyre arsimor.

Si ndihesh në momentin që dëgjon diçka të tillë?
Më vjen keq sa herë i dëgjoj ato barsoleta.

Kanë tentuar t’ju japin ryshfet persona që do të gjobiteshin dhe si keni reaguar ju?
Raste ka pasur. Por asnjëherë nuk mund ta bëja diçka të tillë. Nuk i kam përlyer duart kurrë.

Si u ndjetë sot (dje) nga surpriza dhe vlerësimi që iu bëri ministri Saimir Tahiri?
Për mua është një nder shumë i madh, është një surprizë që rrallëherë bëhet nga Ministria e Brendshme. Madje, motori që mu dhurua sot është ai që unë kam punuar për 22 vite me radhë. Më ka pyetur sesi ka pasur mundësi që ai motor edhe pas 22 vitesh ishte ende i ri dhe i kam thënë se i kam qëndruar në kokë e nuk e kam dëmtuar. Ai motor është që në kohën kur ka qenë kryeministër Aleksandër Meksi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: