Mund të keni dëgjuar për afshe të nxehta ose ndryshime në humor, por ja disa gjendje shëndetësore që nuk i dinit që shkaktohen nga menopauza. Ndërsa femrat kalojnë përmes këtij ndryshimi pa pasur asnjë efekt anësor, disa të tjera mund të lihen me problemet e mëposhtme.

Lëshimi i kockave të legenit
Kur jeni të reja, muskujt e legenit bëjnë një punë të mirë në kontraktim dhe në mbajtjen e gjithçkaje në rregull. Pas menopauzës, këto muskuj dobësohen, duke shkaktuar që fshikëza, mitra, zorra e trashë, ose vagina të lëshohen poshtë. Në rastet më të renda, një ose disa nga këto organe varen dhe shkaktojnë dhimbje, gjakderdhje dhe parehati të tjera. Gjithashtu mund të vështirësojë proceset e daljes jashtë.

Femrat të cilat kanë pasur një lindje natyrale janë dhe ato më të prekurat. Menopauza gjithashtu shoqërohet me rritje të peshës, e cila vendos më shumë presion rreth organeve që mbahen nga legeni.

Çfarë mund të bëni: Shprehuni. Shumë femra e vonojnë tepër trajtimin sepse kanë frikë të flasin, bëhen konfuze ose kanë turp. Nuk ka arsye pse, nuk jeni të vetme. Rreth 41 deri në 50 % e femrave mund të shfaqin disa nga këto pasoja të renda sipas një publikimi në Revistën Ndërkombëtare të Urogjinekologjisë. Nëse ndieni një si shtypje nga poshtë, ose keni vështirësi në dalje, duhet të bëni një vizitë tek mjeku. Në rastin më të lehtë, doktori juaj do t’ju rekomandojë disa ushtrime të lehta për të forcuar muskujt e legenit. Në raste më të komplikuara, mund të kërkohet ndihma e një operacioni.

Sëmundjet e mëlçisë
Kur jemi të rinj dhe të shëndetshëm, mëlçia ka tendencën t’i riparojë dëmet nga alkooli, infeksionet ose shëndeti i tepër, shumë shpejt. Ndonjëherë ky organ krijon qeliza të dëmtuara dhe jo të shëndetshme, të cilat me kalimin e kohës kanë tendencën të krijojnë pjesëza të dëmshme. Ky proces ndalohet deri diku nga estrogjeni, i cili në menopauzë ul prodhimtarinë. Me kalimin e kohës kjo mund të çojë në shfaqjen e sëmundjeve kronike në mëlçi. Estrogjeni gjithashtu mbron mitokondrinë e qelizave të mëlçisë. Kur fillon rënia e prodhimtarisë të këtij hormoni, mund të ndodhin dëmtime të mëtejshme, që çojnn në plakje të shpejtë të mëlçisë.

Çfarë mund të bëni: Herën tjetër që do jeni në spital duke bërë një analizë gjaku, kërkoni të bëni një analizë për të parë nivelin e enzimave të mëlçisë. Shumica e njerëzve nuk kanë shenja kur sëmuren nga mëlçia, deri sa është tepër vonë. Nëse keni lindur midis viteve 1945 dhe 1965, duhet të kërkoni të testoheni për hepatit C, një virus i cili mund të shkatërrojë mëlçinë.

Çrregullime të sistemit imunitar
Ndiheni të lodhur, jo në humor dhe po kaloni disa afshe të nxehta? Këto janë të gjitha simptoma normale të menopauzës, por mund të jenë edhe shenja të një çrregullimi të sistemit imunitar, si për shembull sklerozë e shumëfishtë ose artrit. Mund të jetë një problem i cili fillon gjatë menopauzës, ose vetë menopauza e përkeqëson këtë gjendje. Përsëri edhe në këtë rast duhet të fajësohet estrogjeni. Rënie të prodhimtarisë së këtij hormoni shkaktojnë inflamacione në trup ose i kthen disa sisteme mbrojtëse të trupit në të dëmshme.

Çfarë mund të bëni: Mbani shënim çdo simptomë që po përjetoni gjatë periudhës së menopauzës dhe pyesni doktorin tuaj për të gjitha ato. Nëse jeni në dijeni se keni pasur më përpara një çrregullim të sistemit imunitar, përpiquni t’ia shpjegoni këto simptoma që po përjetoni edhe një endokrinologu dhe gjinekologu. Ata do t’ju ndihmojnë si të përcaktoni më saktë gjendjen që keni dhe se si ta kuroni atë.

Sy të thatë
Estrogjeni nuk është i vetmi hormon që po largohet. Edhe niveli i testosteronit bie gjatë menopauzës dhe ndikon drejtpërdrejt në shikim. Këto hormone, të cilat njihen zakonisht si hormone që prodhohen nga meshkujt, luajnë një rol kritik në gjëndrën meibomian, e cila prodhon një përbërje lyrore që ndihmon në ruajtjen e lagështisë në sipërfaqen e syrit. Kur niveli i testosteronit bie, kjo shtresë vajore bëhet më e hollë. Si rezultat i kësaj avullon më shumë ujë dhe mbetet më shumë kripë. Gjithashtu edhe qelizat e gjëndrave të lotit në sy fillojnë dhe vdesin më shpejtë pas menopauzës. Kjo është dhe arsyeja se pse numri i femrave të moshuara që raportojnë sy të thatë është më i madh se ai i meshkujve.

Çfarë mund të bëni: Edhe njerëzit me shikim perfekt dhe që nuk kanë pasur asnjë problem duhet të fillojnë të vizitohen duke filluar nga mosha 40 vjeç. Nëse nuk e keni bërë më parë këtë gjë, është koha të filloni. Përdorimi i lubrifikantëve ndonjëherë është më se e mjaftueshme, por ndonjëherë mund të duhet të vendosen tuba që ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë dhe ndalojnë tharjen shumë të shpejtë të syve.

Humbje e dëgjimit
Me moshë, të gjithë kanë tendencën ta humbasin sado pak aftësinë e dëgjimit, por femrat mund të hasin probleme më të shpejta pas menopauzës. Kjo ndodh sepse estrogjeni luan një rol të rëndësishëm në organin që ndodhet në veshin e brendshëm dhe që ka formën e një kërmilli, i cili ka si detyrë të konvertojë dridhjet në sinjale elektrike të cilat truri mund t’i kuptojë dhe përpunojë.

Çfarë mund të bëni: Përpiquni të limitoni sa të mundni ekspozimin nga zhurmat e larta. Më pas fokusohuni në një dietë të pasur dhe shumë ushtrime. Mund të tingëllojë e çuditshme , por një stil jetese i shëndetshëm mund të të mbrojë nga dëmtimet e çdo pjese të trupit, duke përfshirë edhe veshët. Sipas një studimi femrat të cilat kryenin ushtrime rregullisht kishin një rrezik më të paktët, 17%, për të humbur dëgjimin. Kurse femrat të cilat konsumonin më shumë beta karoten në dietën e tyre e ulnin këtë rrezik me 12%. (Shendeti.com)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb