Ka ushqime të yndyrshme të cilat nuk na bëjnë aspak mirë, por ka dhe ushqime me yndyrna të shëndetshme. Të shijshme, me shije intensive dhe na përmbushin edhe shijen, jo vetëm stomakun. Dhe besojeni ose jo, të integroni ushqime të tilla në regjimin tuaj ushqimor është një plus për t’u ndier më mirë. Jogurti grek. Kujdes, duhet të jetë pikërisht ai grek! E dini që është shumë i shëndetshëm?

Por edhe plot yndyra, veçanërisht me një acid yndyror special të quajtur CLA, që ndihmon sipas studimeve mjekësore, reduktimin e dhjamit në zonën e belit. Gjithashtu ul diabetin dhe parandalon sëmundjet kardiake. Është shumë i pasur me probiotikë për florën intestinale dhe kalcium për kockat tona. I kombinuar me fruta, bëhet një ëmbëlsirë e shkëlqyer.

Peshk me yndyrë
Salmoni, toni, trofta, janë peshq veçanërisht të yndyrshëm, por edhe shumë të pasur me acide yndyrore omega-3, EPA dhe DHA që ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit në trup. Proteinat e tyre ndihmojnë në rritjen e masës muskulore. Me to realizohen gatime të shijshme edhe me pak përbërës.

Vaji i ullirit
Dihet që vaji i ullirit është mbreti i dietës mesdhetare. Ka shumë benefite për shëndetin, mes të cilave edhe një dozë të mirë “anti-plakjeje”. Vaji i ullirit mund të përdoret për të përgatitur perime të fërguara në tigan, salcë për makarona, ose i kombinuar me lëng limoni për një salcë sallate të shëndetshme.

Avokado
Ky frut zë një vend të veçantë për sa i përket përmbajtjes kalorike dhe yndyrnave, të cilat në fakt janë të pangopura dhe të shëndetshme, me benefite të mëdha për shëndetin. Trigliceridet dhe kolesteroli ulen në masë të ndjeshme me konsumimin e rregullt të saj. Mund të përdoret në salca, e freskët, ose e shtrydhur.

Vezë
Diskutimi i vjetër se nuk duhen konsumuar më shumë se një, ose dy vezë në javë, tashmë nuk ka kuptim. Tani është e sigurt që lidhja mes kolesterolit të ushqimeve dhe atij që ndërtohet në arterie, nuk është aq e fortë sa mendohej më parë. Aq më tepër nëse vezët janë të kontrolluara dhe biologjike. Gjithashtu, për shkak se janë një burim i madh proteinash, janë shumë të përshtatshme në gatim.

Fruta të thata
Arrat braziliane, bajamet, arrat janë një burim i mrekullueshëm yndyrash të pangopura dhe proteinash bimore e antioksidante si vitamina E dhe fibra dietike që ndihmojnë për të ruajtur një sistem tretës të shëndetshëm. Një studim i publikuar në “British Journal of Nutrition” ka zbuluar se një dietë e pasur me fruta të thata, mund të ndihmojë në reduktimin e riskut të sëmundjeve të zemrës me 30%, diabetit 50% dhe të iktusit me 50%.

Vaji i kokosit
Rreth 90% e një ushqimi të tillë është i ndërtuar nga MCFA, një acid yndyror i quajtur acidi laurik. Në studime të ndryshme, këto acide yndyrore kanë rezultuar të shkëlqyera për uljen e inflamacionit në të gjithë trupin dhe për të siguruar veti të rëndësishme antimikrobiale.

Çokollatë e zezë
Një studim i “Louisiana State University” ka zbuluar se personat që konsumojnë çokollatë të zezë të paktën një herë në javë, shfaqën 5 pika më të ulëta të indeksit të masës trupore (BMI), krahasuar me ata që nuk e konsumonin. Çokollata e zezë, siguron jo vetëm yndyrna të shëndetshme, por edhe veti antiplakjeje falë antioksidantëve të saj.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb