Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

90 minuta me vlerë të “artë”, Kukësi ndaj Sherifit tenton 1.2 milionë euro

Kukesi3-470x313

Të mërkurën, në “Elbasan Arena”, në orën 19:30, Kukësi luan ndeshjen më të rëndësishme të këtyre pesë viteve në elitën e futbollit shqiptar. Për herë të parë skuadra verilindore merr pjesë në Ligën e Kampioneve, duke e nisur nga turi i dytë paraeliminator.

Takimi debutues ndaj Sherif Tiraspolit përfundoi me fitoren minimale të moldavëve, 1-0, pas një penalltie të shkaktuar nga mbrojtësi spanjoll, Albert Serran. Megjithatë, duke parë kundërshtarin, por edhe cilësitë që Kukësi ka, besimi te skuadra e Ernest Gjokës është në shkallën maksimale për të përmbysur shifrat.

Të mërkurën duhet një fitore me dy gola diferencë për të arritur kualifikimin historik. Kukësi e ka eksperiencën në arenën ndërkombëtare, pasi që në debutim, pikërisht në edicionin 2013-2014 të Ligës së Europës, theu rekord sa i përket kalimit të tureve, pikërisht tre radhazi, duke u eliminuar vetëm nga turqit e Trabzonsporit.

Mirëpo, këtë herë ndeshja me moldavët merr një rëndësi edhe më të madhe, për faktin se në lojë janë jo pak, por 1 milion e 245 mijë euro. Është një shifër që vlen sa një sezon i tërë për Kukësin. Gjithçka është e parashikuar në bonuset që jep UEFA çdo sezon për klubet që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve.

Në rast se veriorët nuk arrijnë të kalojnë Sherif Tiraspolit, të sigurt kanë vetëm 580 mijë euro të ardhura. Por, me një kualifikim të mundshëm, shifra 1 milion euro mbush arkën e klubit verilindor, duke bërë që për herë të parë Kukësi të përfitojë një shifër kaq të majme, pa llogaritur këtu 100 milionë lekë të vjetër që i ka dhënë FSHF si ekip kampion apo të ardhurat që përfiton klubi nga shitja e së drejtës televizive.

BONUSET
Por si ndahen bonuset e UEFA-s. Së pari, qeveria e futbollit europian jep për çdo klub kampion një shifër prej 260 mijë eurosh. Këtë shpërblim nuk e akordon vetëm në rastin kur klubet që militojnë në Ligën e Kampioneve ose Ligën e Europës futen në fazën e grupeve të këtyre kompeticioneve, aty ku dhe bonuset janë me shifra shumë më të mëdha.

Kukësi merr gjithashtu si pjesëmarrës në turin e dytë të Champions-it një shifër prej 320 mijë eurosh. Tashmë, në rast se skuadra arrin të kualifikohet për në turin e tretë, duke eliminuar të mërkurën Sherifin, atëherë këtyre shumave u shtohet edhe 420 mijë euro. Këtë shifër UEFA e jep për klubet që shkojnë në turin e tretë.

Në rast se Kukësi shkon në këtë tur dhe eliminohet, sërish ka një mundësi tjetër, duke qenë se do të jetë pjesë e fazës “playoff” të Ligës së Europës. Edhe po u eliminua në këtë fazë që i përket kompeticionit tjetër, sërish përfiton një shumë prej 245 mijë eurosh. Këtë shifër arkëtoi sezonin e kaluar Partizani, i cili mori pjesë në Ligën e Kampioneve pas pezullimit të Skënderbeut nga UEFA. Tashmë Kukësit i duhet të bëjë një mrekulli, pasi në turin tjetër kalon vetëm nëse arrin të mposhtë moldavët me një diferencë prej dy golash./panoramasport/

(BalkanWeb)


Komente ( 1 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.