TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për çështjen e Kryeprokurorit të ri tha se ajo nuk lejon asnjë hapësirë që të ketë funksione të pëkohshme apo tranzitore. Ai foli edhe për aksionin opozitar nëse maxhoranca vijon me zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të ishte krijuar 8 muaj më parë. Vetëm KLP mund të marrë vendimin për prokurorin e përgjithshëm. Kuvendi duhet të votojë 1 nga 3 kandidaturat që çon KLP dhe duhet të zgjidhet me 3/5 e votave. Nëse Kuvendi nuk e arrin konsensusin atëherë Kushtetuta ia heq të drejtën Kuvendit dhe ia kalon KLP-së. Kandidatët duhet të kenë kaluar vettingun. Kushtetuta nuk lejon asnjë hapësirë që të ketë funksione të përkohshme apo tranzitore. Këto janë faktet. Dua të theksoj diçka flagrante, që ka të bëjë me bllokimin antikushtetues të KLP që sjell si pasojë bllokimin e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të hetimit si instrument i SPAK. Është i vetmi ligj që PD votoi nga 7 ligjet e reformës në drejtësi”, deklaroi Basha.

I pyetur se cili do të jetë hapi i radhës i PD-së, ndërkohë që maxhoranca ka thirrur për të dëgjuar kandidatët për kryeprokuror, Basha tha se çdo veprim i mëtejshëm në shkelje të Kushtetutës është nul. Ai tha se PD do ndërmarrë çdo hap dhe madje edhe protesta.

“Një mandat i siguruar në kushtet e shkeljes së Kushtetutës është nul. Është fillimi i një rruge antikushtetueshmërie. Do marrim çdo hap institucional, do të denoncojmë, do të protestojmë. Nuk do të pranojmë një shkelje flagrante të Kushtetutës. Është dhunuar Kushtetuta. Kjo situatë prek çdo qytetar. Sepse një prokuror politik do të mbrojë dhe nuk do të luftojë politikanët e korruptuar”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: