Nga Klodiana Lala

TIRANE– Izet Haxhia doli triumfator në përballjen e parë me drejtësinë shqiptare. Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e të dënuarit për rivendosjen në afat të çështjes. Çka do të thotë, se ish-truproja e Sali Berishës, fitoi mundësinë që të ankimojë në Gjykatën e Apelit, vendimin  e dënimit me 25 vite në mungesë, si një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari në 1998. Verdikti u shpall nga gjykatësi Besnik Hoxha dhe u prit me duartrokitje nga të pranishmit në sallën e gjyqit.

Mbi bazën e këtij vendimi, brenda 15 ditësh, Haxhisë i lind e drejta të paraqesë në shkallën e dytë të gjyqësorit, ankimimin kundër vendimit dhe të paraqesë të gjitha provat në favor të tij.

Rigjykimi në Apel i njeriut që mbrojti jetën e Sali Berishës për vite me radhë, rihap një prej çështjeve më të përfolura në dy dekada atë të vrasjes së Azem Hajdarit. Po ndërsa për Izet Haxhinë rindizen shpresat për të vijuar përballjen me drejtësinë, për të dënuarit e tjerë të dosjes “Hajdari”, asgjë nuk ndryshon.

Kjo, pasi gjykatat duhet të gjykojnë vetëm rolin e ish-truprojës në ngjarje dhe jo të dënuarve të tjerë. Në përfundim të procesit, avokati Bashkim Nikolla  paralajmëroi se do kërkojë të thirren për të dëshmuar, të gjithë politikanët që refuzuan drejtësinë.

Më herët gjatë seancës, Izet Haxhia akuzoi ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha se ka paguar klanet e drogës për ta vrarë në Turqi. Ai këmbënguli për rihapjen e çështjes, duke argumentuar se nuk i është shmangur drejtësisë, por ka qenë në pamundësi për tu përballur me të. Prokuroria doli kundër kërkesës së të dënuarit, duke argumentuar se i dënuari ka pasur mundësinë për ta ankimuar vendimin, por nuk e ka shfrytëzuar atë. Debatet në seancë ishin të ashpra. Por në fund rezultoi se e enjtja ishte dita e Izet Haxhisë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: