Ndërsa shumë evropianë shikojnë me ankth nga Greqia, disa kanë frikë tani për të ardhmen e Italisë. E megjithatë kryeministri energjik Renzi do të krijojë përshtypjen se ekonomia italiane ka nisur kursin e zhvillimit.

Borxhe të mëdha, një ekonomi në stanjacion, një shërbim publik i fryrë dhe joefikas – para disa vitesh dukej sikur Italia mund të hynte në krizë dhe të merrte me vete të gjithë Evropën, shkruan “Deutsche Welle”.

Që atëherë profetët e kësaj fatkeqësie vërtetë nuk po ndihen më me kaq zë të lartë dhe në tregjet financiare kanë rënë bastet kundër Italisë. Por ekonomia e tretë më e madhe në Evropë vazhdon të jetë ende në gjendje të vështirë dhe pa një drejtim të qartë për të ardhmen.

Cinzia, pronare e një picerie dhe e një pastiçerie në veri të Romës, tregon se kohët kur klintët vinin dhe porosinin për festa familjare torta dhe biskota, kanë marrë fund prej kohësh dhe është e vështirë të zgjerosh rrethin e klientëve. Po ashtu ajo thotë se këtë vit do të shkojë vetëm ca ditë për pushime në Greqi dhe se familja e saj ka disa vjet që nuk e ndjek më traditën dikur të shenjtë shumëvjeçare për ta mbyllur dyqanin gjatë gjithë gushtit.

Normaliteti i ri?
Cinzia, si shumë italianë në tjerë, është mësuar me rrethanat e reja. Dhe si shumë italianë të tjerë, ajo e sheh këtë gjendje si një gjë normale dhe jo si ndryshime të përkohëshme, megjithë shenjat e para të një çlodhjeje të lehtë ekonomike.

Kështu prodhimi industrial është rritur në tremujorin e fundit me tre për qind, kryesisht për shkak të industrisë së rëndë si ajo e automobilave dhe industria mekanike.

Kryeministri Matteo Renzi e sheh këtë si provë e efektivitetit të reformave të tij. Për të ringjallur tregun e punës, qeveria e tij futi stimuj dhe përfitime fiskale për investimet, si dhe lehtësime tatimore prej 80 eurosh në muaj për njerëzit me të ardhura të ulëta. Renzi gjithashtu vë në dukje se tani ka më pak të papunë dhe më shumë kontrata punësimi afatgjata.

Por disa vëzhgues mendojnë se kjo është vetëm kozmetikë politike: shumë të papunë nuk janë të përfshirë në statistika, sepse ata nuk janë regjistruar zyrtarisht tek autoritetet si punëkërkues. Dhe më shumë kontrata afatgjata nuk do të thotë më shumë vende të reja pune, por thjesht zgjatjen e kontratave ekzistuese.

Edhe për rritjen e vogël të prodhimit industrial, ka sipas tyre shpjegime të tjera: nafta është më e lirë, euro e dobët përmirëson mundësitë për eksport, si dhe kreditë që janë vënë në dispozicion, pasi Banka Qendrore Evropiane i furnizon bankat me parata të lira. Por e gjithë kjo mund të ndryshojë shpejt.

Një pakt i ri
E megjithatë kryeministri i ri dhe energjik Renzi do të krijojë përshtypjen se ekonomia italiane ka nisur kursin e zhvillimit dhe shpalli madje edhe një “Pakt të ri me italianët” që parashikon lehtësime fiskale prej më tepër se 50 miliardë euro brenda 50 vjetëve të ardhshme.

Ndërkohë borxhi i shtetit italian ka arritur shifrën e frikshme prej 130% të prodhimit ekonomik – vetëm borxhi i Greqisë është më i lartë. Dhe Renzi e di se në rast se Greqia falimenton dhe del nga eurozona, Italia do të humbasë edhe deri në 40 miliardë euro, prandaj nguli këmbë në Bruksel që Athina të pranojë kushtet e BE-së dhe të kreditorëve të tjerë.

Por edhe pse italianë janë të nervozuar me burokracinë jo efikase në vendin e tyre, me taksat e larta dhe korrupsionin e vazhdueshëm, ata nuk besojnë se Italia mund të bëhet Greqia e radhës. Kështu mendojnë jo vetëm kometatorët politikë, por edhe njerëzit e thjeshtë. Cincia thotë se “edhe Italia ka problemet e saj, por jo si Greqia.” Ajo kujton se gjatë gjithë viteve që shkon për pushime në Greqi nuk i kujtohet të ketë marrë ndonjëherë ndonjë faturë hoteli apo restoranti. Greqia – thotë Cinzia – ka një rrugë shumë të gjatë përpara për t’u bashkuar me Italinë apo Evropën”.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: