TIRANE– Deputeti Alfred Peza teksa komentoi aktualitetin politik në vend, ku kryefjala ishin zgjedhjet e 18 qershorit ka dhënë opinionin e tij për faktin nëse do të ketë apo jo një rivovim të ‘kontratës’ mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gjatë një interviste për rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, Peza theksoi se PS ka shprehur qëndrimin e saj të hapur gjatë këtyre kohëve për të firmosur sërish marrëveshjen me LSI, e cila u bë më 1 prill të 2013-ës, raporton ‘BalkanWeb‘.

“Ka dy qëndrime; një me deklarim dhe një me mosdeklarim nga dy palët kryesore, nga PS dhe LSI. PS është shprehur hapur, qartë dhe prej kohësh në lidhje me këtë gjë. Ndërkohë që LSI nuk ka një deklaratë të qartë dhe të prerë në lidhje me koalicionin, është e mirëkuptueshme për aq kohë sa një parti bën kalkulimet e veta. Nuk është sekret që tashmë LSI me qëndrimet e liderëve të saj dhe ministrave apo aktorëve të tjerë më pak apo shumë të rëndësishëm është shprehur për një lloj protagonizmi më të madh në zgjedhje, deri në daljen e saj e vetme në zgjedhje. Kjo është krejt normale. Informacioni im është se ajo çfarë ndodh në jetën fizike, ndodh dhe në jetën metafizike. Ka një boshllëk në terren, ku elektorati është fokusuar tek PS. PD ka një boshllëk dhe partitë e tjera politike po e shfrytëzojnë këtë terren”, tha Peza, shkruan ‘BalkanWeb’.

Ai shtoi më tej se: “Në politikë ju e dini që procesi i negocimit është permanent dhe është aty për sa kohë kur palët politike në distancë apo undergroun apo publikisht japin e marrin mesazhe. Procesi politik në tërësinë e vet është një negociatë në vijim. Ka një dhënie topi, nëse e keni lexuar deklaratën e zoti Rama për zgjedhjen e presidentit, thuhet se ai të zgjidhet në mënyrë konsensuale. Është një dritare. Nuk e di nëse është lexuar siç duhet”.

Po ashtu, Peza nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarit sa i takon faktit nëse brenda PS ka zëra që kundërshtojnë bashkëpunimin për këto zgjedhje me LSI. Deputeti i majtë u shpreh se deri tani nuk ka pasur asnjë zë zyrtar kundër këtij bashkëpunimi. Por lë të hapur dhe opsionin tjetër që PS mund të dalë e vetme në zgjedhje, pasi kujton shprehjen ‘Kurrë mos thuaj kurrë’. “Nuk kam dëgjuar në zë të tillë kundër koalicionit. Zyrtarisht në asnjë rast nuk është diskutuar brenda PS për ndarje. Në politikë është akoma thënia: Kurrë mos thuaj kurrë. Si e tillë nuk do thotë se ka lajm që ne po mendojmë këtë apo atë. Ditën e diel lançohet dhe Kongresi Elektoral.”, pohoi Peza.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb