TIRANE– Presidenti Bujar Nishani ka shprehur qëndrimin e tij sa i takon kërkesës për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e ndershme. Në një konferencë me gazetarët, presidenti ka sqaruar nëse mund të realizohet shtyrja e zgjedhjeve të 18 qershorit, të dekretuara tashmë.

Kreu i Shtetit tha se tashmë ai ka përmbushur detyrën e tij duke dekretuar datën e zgjedhjeve, dhe sipas tij janë vetëm palët politike ato që mund të kërkojnë ndryshim të saj në Parlament.

“Tensioni i lartë politik që është në vend nuk favorizon fushatën e pritshme elektorale, kjo është evidente. Ajo që do i bëja thirrje aktorëve politikë është të gjejnë gjuhën e përbashkët për të ulur këtë tension të lartë dhe të mos eskalonin vendin në një situatë krize politike.

Shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk varet nga presidenti. Presidenti është i gatshëm të ofrojë kontributin e tij për sa e lejon Kushtetuta dhe tagri kushtetues. Presidenti e ka përmbushur detyrën e tij duke dekretuar datën e zgjedhjeve. Shtyrja e zgjedhjeve mund të bëhet vetëm në dakordësi të palëve politike ne Parlament. Edhe në këtë rast në Shqipëri ka precedentë. Ajo që unë do kërkoja ka të bëjë me angazhime konkrete të aktorëve politikë në vend për të ulur tensionin politik dhe jo për ta eskaluar atë. Kjo situatë nuk është në shërbim të partive e popullit”, tha Presidenti Nishani.

I pyetur për qeverinë teknike, Nishani tha se kjo është një çështje që u përket partive politike.

“Nëse palët kërkojnë që një tryezë politike të drejtohet nga Presidenti, Presidenti i Republikës do të jetë i gatshëm për të lehtësuar procesin”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb