TIRANE– Kreu i Shtetit, Ilir Meta nuk ka vendosur ende mbi plotfuqishmërinë që kërkon ministri për Europën dhe Punët e Jashtme sa i takon fillimit zyrtar të negociatave me Greqinë. Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga letra që ministri Bushati i dërgoi presidentit Meta, ky i fundit nuk ka marrë ende një vendim.

“BalkanWeb”
mëson se Kreu i Shtetit do t’i dërgojë një letër kryeministrit Rama dhe ministrit Bushati përmes së cilës kërkon të saktësohet disa detaje në kërkesën e MEPJ.

Presidenti Meta kërkon të dijë përbërjen e ekipit negociator, si dhe nëse ka një tekst ku do të bazohen negociatat.

Mësohet se vetëm pas përmirësimit të këtyre problematikave të konstatuara në shkresën që një javë më parë iu drejtua Kreut të Shtetit, Presidenti Meta do të vendosë për këtë çështje.

Kujtojmë se Presidenti Meta, pas letrës së dërguar në 12 shkurt nga ministri Bushati, ka zhvilluar një sërë takimesh konsultative me paraardhësit e tij në detyrë, Nishani, Topi, Moisiu, Mejdani dhe Berisha, të cilët i kërkuan që qeveria të bëjë transparente negociatat me palën greke.

Në letrën dërguar Presidentit, ministri Bushati informonte mbi me ecurinë e negociatave me palën greke, si dhe kërkonte plotfuqishmërinë për ngritjen e një grupi negociator të qeverisë, për të konkretizuar marrëveshjen.

Në të njëjtën kërkesë, Bushati informonte Presidentin Meta se pjesë e grupit negociator do të ishin përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, por pa saktësuar emrat që qeveria do t’i besojë marrëveshjen me palën greke.

Gjithçka ndodh në frymën e krijuar se marrëveshja me Greqinë është drejt finalizimit të saj. Ministri i Jashtëm Kotzias ka bërë të ditur se parimisht çështjet e vjetra Shqipëri-Greqi janë mbyllur, dhe se firma përfundimtare pritet të hidhet kur kryeministri grek Aleksis Tsipras të vijë në Tiranë. Por deri atëherë Meta duhet t’i ketë dhënë ministrit të Jashtëm plotfuqishmërinë, që negociatat teknike për detin të mbyllen.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb