Nga: KIÇO BLUSHI*
Brenda dy apo tri ditësh, si në Kosovë, edhe këtu, në Shqipëri, dy ambasadorët e SHBA-ve, teksa iu drejtuan opinionit publik e klasave drejtuese politike përkatëse, lëshuan dy deklarata kryekrejt të pazakonta për gjuhën diplomatike. Kështu, ambasadori amerikan në Prishtinë, zoti Greg Delawie, i porsaakredituar, prej habisë e padurimit (më sak: ngaqë, me sa duket, edhe atij i patën ardhur në majë të hundës trazirat në Prishtinë), deklaroi: “Një gjë tjetër që desha ta them është – e dini – se është e qartë që kjo dhunë ka shkuar tepër larg. Jo pse unë isha prezent aty, ajo kishte shkuar tepër larg tashmë. Mendoj se zgjedhja këtu është mjaft e qartë: a dëshironi një Kosovë demokratike apo jo? Deputetët, policia dhe personeli këtu – ata qartësisht kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ata dëshirojnë një Kosovë demokratike”… Kurse Donald Lu citoi hapur, me emër e mbiemër, sigurisht jo rastësisht, kriminelët “e nivelit të lartë” të cilët janë lënë të lirë nga Drejtësia dhe politika të “shëtisin”, d.m.th. të bëjnë ligjin nëpër Shqipëri…
Por zërat e ambasadorëve shkuan “në drejtim të paditur”: Prishtina u përfshi nga flakët e rrëmuja, kurse në Tiranë Shullazi u shpall sërish i pafajshëm, “për mungesë provash”. Edhe pse ambasadori Lu pati paralajmëruar se, nëse disa nga deputetët, ministrat apo partitë nuk do ta votojnë Reformën dhe ndryshimet kushtetuese për Drejtësinë duke provuar automatikisht se nuk janë në anën e popullit por të kriminelëve, kërleshjet mes palëve në Kuvend dhe nëpër ekrane dëshmojnë se jo pak syresh do të sabotojnë Reformën, edhe po të vijë miratimi nga ekspertët e Venecias. Çështja pra shtrohet thjesht: a dëshirojnë përnjëmend krerët në Kosovë e në Shqipëri të integrohemi në Evropë, të rriten mirëqenia dhe mirëbesimi, të instalohet demokracia funksionale, të sigurohet pavarësia e institucioneve, përfshi, në krye të herës, Drejtësinë e munguar?
***
Të dyja qasjet e ambasadorëve provojnë që diplomacia amerikane, e nervozuar, tashmë i ka hequr dorezat dhe ka vendosur të flasë troç e po aq “shqip” sa foli edhe pararendësja e ambasadorit Delawie, gati një vit më parë, kur iu drejtua krerëve të Kosovës: “Mos e dh… punën!”
Vëmendja e shtuar e diplomacisë amerikane, si për Tiranën e për Prishtinën, tregon që Uashingtoni është seriozisht i shqetësuar për situatën në botën shqiptare, pasi me angazhimin e vet të drejtpërdrejtë, kaq “jo diplomatik”, po provon përditë se nuk ka për të toleruar destabilitet dhe dëmtim të standardeve të demokracisë për hir të “stabilitetit me çdo kusht në rajon”. Ata kanë investuar aq shumë për çështjen shqiptare, sa nuk mund të pajtohen me dështimin, d.m.th. me reminishencat e mendësisë hoxhiste të vetëvendosësve për sovranitetin. Pavarësia e Kosovës nuk është pavarësi e krerëve të Kosovës për të bërë zarare, zullume, konflikte e korrupsion. Pavarësia nga ndëshkueshmëria e krerëve të politikës, qofshin këta dhe ish-komandantë të UÇK-së, nuk mund të tolerohet më, aq sa të dëmtohen interesat afatgjata mbarëkombëtare. Sepse, kur teshtin Prishtina, kollitet edhe Tirana, dhe anasjelltas. Fakti që shqiptarët janë faktor demografik në disa shtete të Ballkanit nuk është arsye për vetëkënaqësi e delir, por për përgjegjësi historike. Nuk na lejohet më të humbasim shansin, si na ka ndodhur në të kaluarën.
***
Nuk ka dyshim që situata në Kosovë muajt e fundit po shkon keqemosmëkeq, më zi edhe se në Maqedoni e Shqipëri, duke e vënë në pikëpyetje pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës. Ndonëse ambasadori amerikan Delawie nuk pati thënë “a e meritoni Pavarësinë”, por “a e meritoni demokracinë”, ndërvarësia demokraci – pavarësi – sovranitet – stabilitet – gjithsesi qëndron e nuk është e vështirë të kuptohet edhe nga analfabetët.
Por, pavarësisht nga qëndrimet e prera të Brukselit dhe të Uashingtonit, kundër sjelljes absurde, antidemokratike të udhëheqësisë së atjeshme, sendërtuar me dhunë, me bojkot, me konfliktualitet, me destabilitet të tejzgjatur, me bomba molotov e gaz lotsjellës hedhur në Kuvend, a thua se Kuvendi i Kosovës është djepi i Serbisë, Kosova nuk duhet lejuar të rrëshqasë në kaos. Kosova nuk ka trazira e protesta për arsye ekonomike, të varfërisë dhe të papunësisë, që janë në shkallën më të lartë në rajon, por të ambicies së politikanëve për të ardhur ose për të mbetur me çdo çmim në pushtet. Sovranitetin që krerët e përmendin aq tepër si argument justifikonjës, nuk e kanë për të mbrothësuar Kosovën, por për sovranitet vetjak. Ashtu si edhe kur flasin për pavarësinë, ata e kanë hallin te pavarësia e vetes. Besojnë se lideromania bajraktarërore do t’u sigurojë imunitet, paprekshmëri, lavdi, përjetësi, plotfuqishmëri. Për arsye të kuptueshme, historike, të trashëgimisë së pakët qytetare, si dhe meqë aty shteti është në fazën e pubertetit, demagogjia “nacionaliste” në Kosovë ngjan më groteske e më dëmsjellëse se në Shqipëri.
“Ne bëmë luftën, ju bëni paqen”, pati thënë strategu i Kosovës, presidenti Klinton, me një profeci të pashembullt, fill pas mbarimit të luftës. Fatkeqësisht, klasa drejtuese në Kosovë ka provuar ndërkohë, se me veprimet dhe mosveprimet e saj nuk është e aftë mjaftueshëm ta ngjizë për së mbari demokracinë. Të sunduar nga mendësia bajraktarërore “kush je ti, e kush jam unë”, krerët e Kosovës, me sa duket, janë jo vetëm pa vizion, por edhe pa minimumin e përgjegjshmërisë historike për fatet e mëtutejme të Kosovës. Ata nuk e kuptojnë dot, se kësisoj po dëmtojnë jo vetëm popullin e Kosovës, duke u hasmosur me aleatët, duke sosur durimin dhe besimin e tyre, por mbarë çështjen kombëtare, pasi, qoftë edhe pa dashur (kjo, gjithsesi, ata nuk i shfajëson!) ata po provojnë si të mirëqenë tezën e kahershme antishqiptare se ne “nuk jemi të aftë të vetëqeverisemi”. Mjerisht ata nuk sillen si burra shteti, por si ca ish-katundarë të shndërruar nga rastësia e historisë në bejurçina fuqiplotë, të cilët vazhdojnë të maten me hijen e mëngjesit. Ndryshe nga krerët e Tiranës, që dinë të komunikojnë si puthadorë të përkorë e kokulur me ndërkombëtarët e, mëpastaj, sapo këta ikin në vendet e tyre, bëjnë si dinë vetë, bajraktarët partiakë të Prishtinës janë më kokorroçë, më fodullë, më kryeneçë, më të sinqertë në ambicien e tyre të shfrenuar për pushtet; ata sillen kinse më të pavarur e më me integritet, duke dëshmuar se, medemek, në Kosovë nuk kanë e nuk lipset të kenë asnjë ndikim institucionet e ndërkombëtarëve, përfshi edhe ambasadorët, pasi janë ata vetë zot e vetë shkop “të shtetit sovran”.
Duke u sjellë si pronarë të Kosovës e jo si aleatë e partnerë, ata, qoftë edhe pa dashje, prej tahmasë së shfrenuar për pushtet (kush do të jetë nesër kryeministër e president republike, Ramushi apo Thaçi), ata justifikojnë kënaqësinë e Serbisë për mosanëtarësimin e Kosovës në UNESCO si dhe vonesat për mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur, duke e shtyrë për në kalendat greke edhe anëtarësimin në OKB. Janë aq të papërgjegjshëm, sa nuk duan t’ia dinë se mos, pas trazirave, Këshilli i Sigurimit, shtyrë nga Kina dhe Rusia, mund të vendosë, për hir të “stabilitetit në rajon” dhe pasigurisë në rritje, sanksione më të forta se rezoluta 1244, e tejkaluar tashmë falë përkrahjes së SHBA-ve dhe BE-së, sesa politikëbërjes së frytshme të liderëve kosovarë.
Si rrjedhojë, qeveria, Kuvendi, policia, gjykatat, prokuroria, institucionet e shtetit janë të paralizuara prej disa muajsh nga ish- komandantët opozitarë të UÇK-së, që sillen si çlirimtarë kundër ca ish-komandantëve të tjerë të UÇK-së, të cilët trajtohen si pushtues, meqë janë në pushtet. Të dyja palët e konsiderojnë veten heronj të paprekshëm, trima të çartur pas beteje, atdhetarë të lavdishëm e të pabarabartë jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me qytetarët e zakontë, për hir të ca heroizmave të presupozuara e të glorifikuara të luftës, a thua se ishin ata që e çliruan dhe e pavarësuan Kosovën, pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Ndaj besojnë se i kërkojnë dhe i meritojnë trofetë e beneficet që u mungojnë “padrejtësisht” prej të mosqenit në pushtet; ndaj i shpërfillin me padurim, harbutëri dhe arrogancë këshillat dhe deklaratat miqësore të kancelarive të Evropës dhe SHBA-ve; ndaj sillen nj’ashtu si pati vepruar një shekull më parë edhe Haxhi Qamili, babai i tyre gjenetik, teksa thoshte me mburrje: “Unë nuk pyes për Evropën sa kohë kam me vete Peqinin”.
E pra, a u shkon ndonjëherë në mend haxhiqamilistëve të sotëm vetëvendosës e gazlotsjellës se ç’do të ndodhë vallë në Kosovë sikur të tërhiqen, prej sosjes së durimit, Brukseli dhe Uashingtoni, bashkë me NATO-n, duke deklaruar: ‘Ne po largohemi. Mbas sodit, zgjidhini ju vetë hallet e problemet tuaja’?!

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: