TIRANE- Ish-Presidneti Bamir Topia ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke u ndalur edhe tek audio-përgjimi i publikuar nga PD, i cili implikon vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës. Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili në “News24”, ai tha se prokuroria duhet të jetë transparente në lidhje me këtë çështje.
“Prokuroria duhet të dalë dhe të thotë kemi administruar një kallëzim penal, deri këtu është ecura. Pra duhet të ketë transparencë. Koha ka treguar që Prokuroria ka qenë institucioni që është sulmuar më shumë”, tha ish-Presidenti Bamir Topi.


Teksa po komentonte aktualin politik në vend, ish-presidenti i pyetur “nëse Xhafaj duhet të japë dorëheqjen”, deklaroi se problemi nuk është te Xhafaj, por te vetë kryeministri.
PJESE NGA INTERVISTA
E vlerësoni si një investim gazetaresk apo shkojmë përtej kësaj?
Gazetarët duhen përgëzuar, pasi në një farë mënyre ka marrë rolin e politikës. Studiot janë mbushur, gazetarët flasin dhe një javë pas daljes së kësaj videoje, ende nuk dihet e vërteta.

Kush duhet ta thotë të vërtetën?
Niçja thoshtë që e vërteta është një iluzion që gjendet vetëm atëherë kur gjithçka ka mbaruar dhe thotë që atëherë kur vdiq e vërteta e gënjeshtra mbajti një fjalim mbresëlënës. E vërteta është varrosur nga partitë politike. Nuk mund të mbaj qëndrim për autenticitetin e videos, por veprimi i kryeministrit pasi erdhi nga Bullgaria ishte i papjekur.

A është e paragjykuar prokuroria në çfarëdolloj pozicioni të qëndrojë ajo?
Koha ka treguar që po.

Nëse flet prokuroria, duhet ta marrim si të vërtetë?
Jo, ndaj kemi gjykatat e institucionet e tjera.

Pse po vonon përgjigja nga prokuroria?
Paradoksi i madh është që kryeministri e merr vesh në orët e vona të natës, ndërkohë prokuroria ka një javë se zbulon dot”

Besoni se është Agron Xhafaj në audiopërgjim?
Nuk dua të përzihem fare këtu. Do ishte më e ndershme të thuash që ka ndodhur kjo situatë dhe të thuhej arsyeja. Unë kam pritur që Rama të japë arsyet pse vendi precipitoi në këtë situatë me kanabisin. Po i jap Ramës një përgjigje për Lazaratin. Lazarati është një fenomen lokal, por me qeverinë Rama u përhap. Rama kapet me gjëra që nuk ekzistojnë. Prisja që të fliste dhe të pranonte realitetin siç është. Në rast se ai vetëm mohon, ky vend s’ka shanse.

Audiopërgjimi është lojë politike, apo është investigim gazetaresk?
Fakti që është një kontradiksion brenda saj, kam dyshime që të jetë e përdoru nga politika për segmente që i interesojnë.

Si e vlerësoni përgjimin?
Përgjimi nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Historia e përgjimit, me kopca e çimka, historia e intimidimit dhe shantazhit është histori e njerëzve pa vlerë. Fakti që ka kaq shumë kontradiksion, që ëshët humbur besimi, pse ka humbur besimi?

Në kohën kur keni qenë president,a ka pasur informacione për vëllain e ministrit Xhafaj?
Jo nuk kam pasur asnjë informacion.

Nuk ka rezultuar asnjëherë me precedentë?
Me dijeninë time jo.

Mendoni që z.Xhafaj duhet të japë dorëheqjen?
Problemi nuk është te Xhafaj, por te kryeministri, sepse Xhafaj kishte gjithë delegimin politik që PS i kishte dhënë për të drejtuar një reformë shumë të rëndësishme siç është Reforma në Drejtësi.

Hap i duhur apo i gabuar largimi i Agron Xhafaj?
Përderisa bëri një kallzim në Prokurori, duhej të qëndronte këtu, nuk duhej të largohej.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb