TIRANE– Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar sërish lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama në mbledhjen e kaluar të grupit të PS, ku komentoi audiopërgjimin e publikuar nga PD. Ky i fundit implikonte vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës, teksa dëgjohej duke biseduar me një tjetër person.

Kreu i qeverisë tha se pasi i kishte kërkuar një agjencie të posaçme për ekspertizën verifikimin e materialet, e ka cilësuar jo autentik.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i LSI Petrit Vasili ngre disa pikëpyetje për Prokurorinë, pasi materialin origjinal të audiopërgjimit, e dispononte vetëm PD. Ndërkohë që kryeministri Rama për të bërë një ekspertizë të materialit, duhet ta dispononte atë.

“Kryeministri i cili ka bërtitur për drejtësi të re, kishte ndërmend vetëm stabilizimin e një reformë të errët në drejtësi, e cila i shërben vetëm, atij mbron vetëm atë, dhe është armike e qytetarëve të zakonshëm. Disa ditë më parë, për autodiopërgjimin, kryeministri tha se kishte kërkuar nga një agjenci për ekspertizë, duke deklaruar se materiali ishte jo autentik.

Por ka disa pyetje të mëdha, të cilat nuk janë tonat, por që gjithë opinioni publik, apo qytetarët shqiptarë i bëjnë.

Kush ia dha audiopërgjimin kryeministrit Rama, pasi atë e ka vetëm prokuroria?

Se dyti me ç’tagër e kërkoi kryeministri Rama që të bënte një verifikim të tillë, privatisht apo shtetërisht?

Pse kryeministri mashtroi për një çështje ku hetimi kish filluar nga prokuroria?”, tha deputeti Vasili.

 

E duke vijuar pikëpyetjet që ngre ndaj Prokurorisë, Vasili shtoi se ky institucion duhet ta merrte edhe kryeministrin në pyetje për ngjarjen. “Rama tha që e kishte videon, se e kishte analizuar, se kishte marrë përgjigje për autencitetin e videos. Po pse nuk e thërret Prokuroria si dëshmitar ketë kryeministër me gjithë këto gjëra që di”,- vijoi ai.

 

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së tha ndër të tjera se një nga arsyet që shqiptarët do dalin në protestë është pikërisht kjo, që nuk ndjehen të barabartë përpara ligjit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb