TIRANË- Pasi dëshmoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda gjithçka që dinte në lidhje me rastin e kërcënimit të rektorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule në prag të zgjedhjeve në universitet në prill të 2016-ës, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri iu përgjigj interesimit të mediave për pengjet e tij si ministër i Brendshëm.

Arrestimi i të ashtuquajturit Eskobari i Ballkanit, Klement Balilit, për Tahirin nuk ishte ndonjë peng. “Balili në kohën që ushtroja unë detyrën nga një drejtues institucioni u bë një person në kërkim me emrin që e dinë vetë ju dhe kjo është arritje e madhe. Nëse arrestohet nësër apo pas një viti ai është në kërkim”,- tha Tahiri.

Ndërsa i përmendën lidhjet me Emiljano Shullazin të artikuluara më së shumti nga opozita, Saimir Tahiri zgjodhi t’i japë një leksion ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Unë jam mësuar më akuzat e Saliut, vetëm më bëjnë më të fortë. Nuk jam si Saliu që vret njerëz si në Gërdec apo 21 janar dhe nuk paraqitet njëherë në Prokurori, unë jam ndeshe i konceptoj gjërat ndryshe”,- vijoi Tahiri.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: