TIRANE- Partia Socialiste është e vendosur që të shkojë me programin e saj në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Ndonëse opozita deklaron se i qëndron kërkesave të saj për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme, nga selia rozë nuk shprehet ndonjë qëndrim ndryshe.

LSI nga ana tjetër ka deklaruar se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë.

Por Partia Socialiste i qëndron datës së dekretuar të zgjedhjeve, duke theksuar se kjo është caktuar sipas ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.

Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, shuan zërat se në PS mund të jetë diskutuar për ndonjë shtyrje të kësaj date. Në emisionin “Njerëz në Fokus” me gazetaren Ola Bruko në “News24”, ministrja Xhaçka tha se për PS ka rëndësi zbatimi i Kushtetutës.

“Absolutisht jo. Nuk është diskutuar asnjëherë. Pasi ka ligje dhe Kushtetutë. Është vendosur me Kushtetutë data e zgjedhjeve. Dhe nuk është diskutuar asnjëherë për shtyrje të zgjedhjeve. Nuk e di se çfarë do të arrihet nesër me ardhjen e zyrtarit të PPE. Opozita ka rëndësi të madhe në një vend dhe duhet të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk mund të lërë të papërfaqësuar qytetarët që besojnë të opozita”, tha Xhaçka.

Ministrja e cilësoi të gabuar qëndrimin e opozitës, sidomos duke iu referuar deklaratave të kreut të PD, Lulzim Basha. Ajo theksoi se PD duhet të kërkojë votën e qytetarëve për ofertën e saj politike, dhe të mos kërcënojë me destabilitet.

“Shpresoj që zyrtari i PPE t’i japë pak sens liderit të opozitës. Mendoj se ka zgjedhur mënyrën e gabuar për të bërë kërkesat e opozitës. Zgjedhjet nuk janë për partitë politike, por për popullin. Duhet që përmes një platforme politike, një programi dhe një ideje të kërkojë votën e popullit. Mendoj se ka zgjedhur mënyrën e gabuar duke kërkuar të arrijë atë çka do duke kërcënuar me destabilitet. Edhe ndërkombëtarët ia kanë shprehur se nuk e mbështetin këtë formë proteste. Bojkoti i zgjedhjeve është i gabuar. Fakti që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje duhet t’i shqetësojë ata dhe jo ne. Opozita e shfrytëzon situatën për të mbrojtur gjyqtarët dhe prokurorët e rrezikuar nga vettingu. Nuk mund të kërkosh ndërrim pushteti në tavolinë, e vetmja mundësi për të fituar besimin e njerëzve është të futesh në zgjedhje me një alternative tënden. Ne do të shkojmë në zgjedhjet e 18 qershorit, ashtu siç do të shkojë çdo forcë politike që ka një ofertë për qytetarët”.

Teksa komentoi zgjedhjen e presidentit dhe dy raunde të dështuara deri më tani, ministrja Xhaçka tha se “Do të kemi një President të Republikës kur të vijë koha. Në këto dy raunde nuk kemi patur një emër për të cilin palët mund të votonin”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: