Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini e ka quajtur një fitore faktin që anija me emigrantë do të ankorohet në Spanjë. “Objektivi i parë u arrit, me sa duket ngritja e zërit shpërblehet”, tha Salvini që është edhe kreu i Ligës (ekstremi i djathtë) pas dy ditësh krizë në Mesdhe të 629 emigrantëve, të shpëtuar nga “Aquarius”, anije e përdorur nga një OJQ franceze në brigjet e Libisë.

“Do doja të kisha dhjetëra shuplaka të tilla”. Kështu iu përgjigj ministri i Brendshëm i Italisë atyre që e pyetën nëse vendimi i Spanjës për të pritur anijen Aquarius ishte një shuplakë për Italinë.

“Përkundrazi – shtoi ministri – nëse qeveria franceze, angleze, greke, qipriote apo finlandeze do duan të na ndihmojnë, jam gati të më kapin me shpulla nga mëngjesi deri në darkë”.

“Do të më pëlqente që Malta të merrte përgjegjësitë e saj, që Franca dhe Britania e Madhe të përfshiheshin, do doja që të gjithë të ndiheshin pak Itali”, shtoi Salvini që e përfundoi lidhjen ‘live’ në “Facebook” me gishtin e madh të ngritur në shenjë fitoreje.

Qeveria socialiste spanjolle e Pedro Sanchez është shprehur e gatshme të presë “Aquarius” në Valencia.
Italia pretendon se është lënë e vetme në menaxhimin e krizës migratore pa ndihmë nga partnerët e saj në Europë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb