TIRANË- Në konferencën e dhënë me të mbërritur nga Sofja në Rinas, kryeministri Rama nuk nguroi të deklarojë se shfaqja e djeshme e video-dëshmisë së të ashtuquajturit dëshmitari X, i cili pranonte të kishte trafikuar drogë me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte një maskaradë e motivuar nga frymëzimi malinj, për të penguar rrugën e integrimit në BE.

“Unë nuk mund t’ju ndihmoj për asgjë, përgjigjja ime është e qartë dhe e prerë. Ajo që i është servirur publikut si material autentik është një manipulim i shëmtuar. Detajet se si dhe pse janë çështje të prokurorisë dhe të debatit kur diskutojmë pse u bë kjo dhe pse u bë pikërisht në këtë moment”,- tha ai.

I pyetur nëse kishte informacione të tjera shtesë për të mos besuar në dëshminë e dëshmitarit X, Rama tha se mbi të gjitha kishte sy për të parë e veshë për të dëgjuar.
“Ka vlerë të diskutojmë për këtë? Unë nuk kam më përgjigje për këtë. Kam sy, kam dhe vesh. Kur pashë dhe dëgjova nuk iu besova syve dhe veshëve. Pastaj u detyrova. E pashë, edhe ju vetë e dini që kjo është për të qeshur dhe për të qarë. Për të qeshur me nivelin mizerabël të kësaj farse dhe për të qarë për faktin që këtë e organizon një parti politike me qëllimin e hapur për të mashtruar opinionin publik dhe vazhduar atë që ka nisur, ofensivë kundër çeljes së negociatave me BE”,- shtoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb