Vala e refugjatëve sirianë është duke vazhduar çdo ditë dhe kjo po pasqyrohet nëpër media çdo herë e më shumë, duke u bërë kështu temë kryesore për ditë me radhë për mediat botërore.

Sipas mediave ndërkombëtare kohëve të fundit, e në numër më të madh gjatë muajit gusht dhe shtator janë larguar mbi 350 mijë sirianë nga vendi i tyre, pas konfliktit që është duke ndodhur atje. Shumë nga vendet europiane kanë hapur dyert për të strehuar një numër të madh të tyre.

Por, një gjë të tillë ende nuk e ka bërë asnjë vend i Ballkanit, madje as Kosova, e cila posedon vetëm një qendër të azilkërkuesve. Kjo qendër e cila gjendet në Magure të komunës së Lipjanit, ka kapacitet me mundësi akomodimi për 60 persona deri në mundësi maksimale rreth 120 persona. Kushtet në këtë qendër janë të standardeve Evropiane dhe konsiderohet si njëra ndër qendrat më të mira në Evropë. Ajo përveç strehimit, ofron edhe kënde të lojërave për fëmijë dhe të rritur, bibliotekën si dhe qasje në internet.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, udhëheqësi i Qendrës së Azilkërkuesve, Fitim Zariqi, i cili tha se gjatë këtij viti nga 55 azilkërkues sa kanë qenë në këtë qendër, 80 % e tyre kanë qenë nga Siria, por për momentin aty nuk ndodhet asnjë.

“Për momentin nuk kemi sirian në qendër. Të gjithë që kanë qenë janë larguar nga qendra, për ne nuk dihet vendndodhja e tyre… Sipas informatave që kemi ata largohen drejt vendeve perëndimore për një jetë më të mirë. Sigurisht dihet që shumica e atyre që vijnë këtu, Kosovën e shfrytëzojnë si vend tranzit që të kalojnë në vende të tjera evropiane që kanë ekonomi më të zhvilluar, sepse shpeshherë ankohen ata se nuk mund të gjejnë punë këtu ose nuk janë pagat e mëdha edhe në rast se gjejnë punë”, tha Zariqi.

Por sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme tani është duke u përgatitur në rast se do të ketë fluks të madh të refugjatëve, duke bërë kështu identifikimin e disa objekteve të tjera dhe duke u marrë me përllogaritjet se sa do t’i kushtonte Kosovës në rast se do të ketë një fluks të madh.
Edhe pse ende nuk dihet shuma e këtyre përllogaritjeve, ai bëri të ditur se refugjatëve do t’u garantohen shërbime dhe produkte në vlerë prej 21 euro në ditë, shumë kjo që u ofrohet azilantëve të tanishëm.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim nëse do të pranojë apo jo refugjatë nga Siria, shumë personalitete të larta të vendit, duke filluar nga presidentja Atifete Jahjaga, ministra e këshilltarë të ndryshëm, madje edhe vetë qytetarët kanë kërkuar nga ky institucion që të japë dritën e gjelbër për këta refugjatë.

Këshilltari i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu ka bërë të ditur përmes telefonit për KosovaPress, se presidentja ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të bëjnë vlerësimin e kapaciteteve që ka Kosova për të pranuar refugjatë.

“Presidentja Jahjaga ka kërkuar që të bëhen vlerësimet duke marrë parasysh edhe kufizimet si dhe resurset që ka vendi ynë, pas konsultave me faktorin ndërkombëtarë në Kosovë dhe njëkohësisht edhe duke marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për t’ju dalë në ndihmë këtyre refugjatëve”, ka thënë Vllahiu.

Gjithashtu, edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se ata si komision duhet të kërkojnë nga shteti dhe qytetarët që të shohin mundësitë për pranimin e refugjatëve sirianë.

Në anën tjetër, këshilltari i sigurisë ne zyrën e kryeministrit, Edon Myftari, thotë se Kosova nuk mund të përballojë një fluks të madh të refugjatëve, për shkak të gjendjes ekonomiko-sociale. Por megjithatë, edhe ai mendon se Kosova duhet të ndihmojë.

Edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, javë më parë ka shprehur qëndrimin e saj se Kosova duhet të solidarizohet me këta refugjatë, duke thënë se Kosova duhet t’i kuptojë ata më mirë se askush, pasi vite më parë edhe shteti ynë ka pasur një histori të ngjashme.

Gjithashtu, KosovaPress ka kontaktuar përmes telefonit edhe me Kryqin e Kuq në Prishtinë, të cilët u shprehën se janë të gatshëm që menjëherë të pranojnë refugjatët nga Siria. Sekretari i Kryqit të Kuq, Agron Humolli ka thënë se ata kanë kapacitet të mjaftueshëm dhe se gjithmonë janë në gjendje gatishmërie për t’u ndihmuar njerëzve që kanë nevojë për raste të tilla. Ai shtoi se edhe më parë ata e kanë bërë një gjë të tillë, duke ndihmuar qytetarët e Luginës së Preshevës dhe të Maqedonisë dhe se një sfide të tillë ia kanë dal me sukses.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: