NGA BENJAMIN W.COVINGTON III*

Për një periudhë të jashtëzakonshme prej 4 vitesh, nga 2008 e deri më 2012, isha këshilltari ushtarak i ministrit të Mbrojtjes. Detyra ime ishte që gjerësisht të “reformoja” Forcat e Armatosura Shqiptare. Disa gjëra kanë nevojë të qartësohen që në fillim përsa i përket titullit tim dhe zinxhirit tim të komandimit. Unë nuk isha këshilltari ushtarak amerikan te ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, por thjesht këshilltari ushtarak te ministri i Mbrojtjes (dhe kam punuar me tre ministra Mbrojtjeje ndërkohë, Mediun, Oketën dhe Imamin). Kjo do të thoshte që në takime me përfaqësuesit e NATO-s apo ata amerikanë, unë gjithnjë qëndroja në anën shqiptare të tavolinës.
Me vetëm shumë pak ditë para se të përfundojë koha në dispozicion, dhe ai mund të hiqet totalisht nga rolet ushtarake, kolonel Dritan Demiraj, ish-komandant i Forcave Speciale Shqiptare dhe komandant garnizoni, gjithashtu edhe për Batalionin Komando, mund të jetë duke u nxjerrë në mënyrë të pavullnetshme në pension.
Kolonel Dritan Demiraj, pa dyshim komandanti dhe stërvitësi/edukuesi/trajnuesi më i mirë në radhët e Forcave të Armatosura, është tashmë pranë sakrifikimit nga një sistem personeli ushtarak, i cili dështon sërish në vlerësimin e profesionalizmit si një prioritet kyç. Ai shumë drejt mund të quhet “babai” i Forcave Speciale Shqiptare, të cilat ai i organizoi, stërviti, pajisi si dhe udhëhoqi në misionin e tyre të parë luftarak në Afganistan, aty ku ai personalisht drejtoi në çdo mision të rrezikshëm, ashtu siç ai bënte gjithmonë gjatë stërvitjeve të rrezikshme e të vështira.
Unë besoj në parimin e “situatës më të vështirë”. Pra të jesh i përgatitur për skenarin më të keq. Periudhat e tranzicionit gjithnjë ngjyrosen me optimizëm. Në të njëjtën kohë ne marrim përsipër përgjegjësi të jashtëzakonshme për rezultatet. Një gjë e tillë kërkon vëmendje të veçantë në të gjitha nivelet te Forcat e Armatosura. Sigurisht që qëllimi duhet të jetë të mos hedhim jashtë gjithçka nga e kaluara, thjesht sepse është e lidhur me të kaluarën, por të studiojmë parametrat dhe realitetet e mbrojtjes dhe sigurisë dhe të aplikojmë këto masa, të cilat janë më të mirëpërshtatura për kushtet e Shqipërisë. Është gjithashtu një lloj e rëndësishme që kuadrot dhe i tërë personeli të jenë të integruar në këtë proces dhe të lejohen që të marrin pjesë në debate që kanë lidhje me sigurinë kombëtare. Ka shumë eksperiencë në radhët e Forcave të Armatosura që do të ishte e gabuar të shmangej apo mënjanohej.
Qeveria shqiptare ka bërë shumë pak për të mbështetur Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) ose pjesëtarët në të në vitin 2014. Perspektiva buxhetore për vitin 2015 është edhe më keq seç ishte në fillim të vitit 2014. Buxheti për 2015 u ul nga një tashmë teorik 2% e PBB (GDP) në një 0.87% të deklaruar.
Morali në FARSH është i ulët dhe në rënie. Kombinimi i pagave të ulëta, mbështetja e pamjaftueshme për ushtarakët (uniformat dhe pajimet bazë të ushtarakut) dhe mungesa e koherencës në programet e mbështetjes ka çuar gjithnjë e më shumë në humbjen e vazhdueshme të personelit kyç me aftësi të larta dhe një qëllim tashmë të qartë nga ana e oficerëve të gradave të ulëta dhe nënoficerëve, të largohen nga radhët e FARSH sapo t’u paraqitet mundësia e parë. Vetëm Batalioni i Forcave Speciale humbi shumë personel kyç dhe me eksperiencë gjatë vitit 2014 dhe Forca Ajrore humbi shumicën e pilotëve më me eksperiencë dhe personelit të mirëmbajtjes drejt sektorit civil apo ministrive të cilat paguajnë më shumë.
Në përgjithësi FARSH janë duke kryer një progres të ngadaltë dhe të dhimbshëm drejt një force profesioniste moderne, por shumë është akoma për t’u përmbushur që kjo forcë të arrijë një gjendje normale gatishmërie operacionale dhe të ndërmarrë rolin e saj të plotë si një Forcë totalisht e aftë dhe partnere në NATO. Viti 2015 tashmë është destinuar të jetë një vit i vështirë për FARSH, gjatë të cilit shumë pak progres do të bëhet për të modernizuar dhe pajisur njësitë operacionale.
Edhe pse janë hedhur disa hapa përpara, ushtria vazhdon të veprojë në një mjedis shumë të kufizuar, i cili rrit inefikasitetin, mbyt iniciativën, shpërdoron burimet, dekurajon koordinimin profesional dhe bashkëpunimin, si dhe nënvleftëson sjelljen etike.
Rrënjët e këtij mjedisi negativ qëndrojnë si në mentalitetin dhe në ligjet shumë kufizuese. Prapambetjet e sistemeve totalitare janë mbi të gjitha një mbledhje pushteti në majë, dhe kjo mbetet ende në efekt me Qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ku në mënyrë virtuale të gjitha vendimet merren nga ministri dhe në një shkallë më të vogël nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Miratimet me gojë dhe urdhrat tip misioni (apo udhëzimet) janë gati joekzistente dhe komandantët e shtabet janë gjithnjë të ngurruar në marrjen e veprimeve vetëm nëse këto janë me shkrim dhe të vulosur nga një autoritet më i lartë. Koncepti i delegimit të autoritetit në përgjithësi kuptohet, por shumë rrallë i përqafuar. Më shpesh refuzohet në baza të një besimi të përgjithshëm që çdo ligj e bën individin të përgjegjshëm për atë dhe kështu që ai/ajo duhet të menaxhojë përgjegjësinë në detaje dhe në këtë mënyrë të ndërmarrë çdo vendim që lidhet me të. Ajo çka rrjedh është që nëse agjenti i përgjegjshëm delegon, ai do të ketë përgjegjësinë e gabimeve. Fajësia në të tillë rast sjell ndër mend imazhet e gjobave apo burgimit – një imazh i cili u përforcua pas shpërthimeve në Gërdec.
FARSH nuk kanë një sistem personeli gjithëpërfshirës dhe ndërveprues. Në mungesë të një të tilli, sistemi, në mënyrën si ekziston, përbëhet nga një seri funksionesh shumë lehtë të thyeshme, të cilat nuk janë nën menaxhimin qendror dhe nuk aplikohen në mënyrë uniforme. Kjo është një formë e shprehur pakënaqësie në të tërë forcën. Nën këto rrethana, tri fenomene madhore nënvleftësojnë efikasitetin e forcave operacionale. E para, përzgjedhja në bazë të meritave për detyra, shkollim dhe rritjen në gradë nënvlerësohet. E dyta, rotacioni i arsyeshëm i personelit ndërmjet shkollave dhe personelit në njësitë operacionale as inkurajohet dhe as implementohet në mënyrë rutinë. E Treta, menaxhimi i funksioneve të forcës pengohen nga mangësia e informacionit të duhur dhe në kohë.
Një rezultat i aftësive të centralizuara të menaxhimit ishte që procesi i përcaktimit të personelit tek organizmat e sapokrijuar zgjati për muaj të tërë përtej çdo kufiri dhe u implementua kryesisht nga komandantët, të cilët përzgjidhnin, dhe në disa raste që grindeshin me njëri-tjetrin për individë të caktuar. Shumë oficerë, nënoficerë dhe ushtarë u lanë pa detyra për periudha të gjata kohe dhe një pjese të tyre iu tha që ta kërkonin vetë një punë për të kryer. Ndërsa ky jo-sistem i menaxhimit të personelit mund të kishte eliminuar të dobëtit nga të fortët në disa vende, vetëm ka shërbyer për të rritur tendencën e përkujdesjes ndaj miqve dhe farefisit, që është metoda kryesore e përzgjedhjes në të gjithë Shqipërinë.
Aftësia e përgjithshme e zonave stërvitore për të mbështetur stërvitjen u përmirësua mjaft gjatë vitit 2010 falë përfundimit të një fshati ose MOUT (Military Operations in Urban Terrain), si dhe një poligoni të sponsorizuar nga danezët prej 300 metrash në Zall-Herr. Këto projekte të dhuruara u shtuan gjithashtu edhe nga një seri përmirësimesh inovative të drejtuara nga komandanti i BOS, kolonel Demiraj, që përfshinin një kompleks tunelesh për luftën në shpella dhe pozicione hapje zjarri me plumba prej vërteti (Shoot House), një kullë stërvitore për sulmet vertikale, një avion për stërvitje pengjesh dhe një anije të vendosur në fundin e një pishine olimpike për sulme nga uji etj.
Ky ushtar i ushtarëve, ky kolonel që shumë shpejt mund të nxirret në pension, është një prej luftëtarëve më të zellshëm për përmirësimin e shkaqeve të mësipërme të regresit që vërehen në Forcat e Armatosura Shqiptare dhe për këtë arsye ai po luftohet me mish e me shpirt nga të prapambeturit e sistemit të lidhjeve të vjetra, të cilat janë të gjithë kundër meritokracisë. Batalioni i Forcave Speciale, për arsye të statusit të tij të veçantë si njësia prioritare operacionale, ishte në atë kohë veçantia e rregullit. Njësia kreu stërvitje shumë të vështira nën mbështetjen e një grupi shumë të talentuar nga General Dynamics (GD) i përbërë nga Forca Speciale Amerikane tashmë në lirim të kontraktuar nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (Office of Defense Cooperation-ODC), si dhe nga grupe aktive të Forcave Speciale Amerikane – A team dhe të tjerë. Stërvitja për më tepër ishte e fokusuar, dhe njësia ka kryer kurse bazë të Forcave Speciale shumë intensive, të cilat gjeneronin mesatarisht 57 të certifikuar nga mbi 300 kandidatë fillestarë.
Ky është kolonel Dritan Demiraj, një profesionist i pashembullt, i cili është i barabarti i drejtuesve më të mirë në çdo komb. Humbja nga radhët e Forcave të Armatosura e kolonel Demirajt do të ishte një goditje jo vetëm për Forcat e Armatosura, por edhe për kombin që ai kaq mirë i ka shërbyer.

*Ekipi i Ekipit të Modernizmit të Mbrojtjes në Shqipëri (2008-2012) në Ministrinë e Mbrojtjes.
Analist i vjetër stërvitjeje.
Kolonel (r) Ushtria Amerikane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: