Nga: KIÇO BLUSHI*
Po flitet shumë këto ditë për humbjen e radhës të PD-së. Ka jo pak analistë që thonë se PD duhet të ringrihet që të mbijetojë. Në fakt humbja qe e pritur, dramatike, e paralajmëruar, ndaj nuk solli e nuk mbolli habi te votuesit, te militantët dhe as te ndërkombëtarët. Në kupolën e PD-së, deri tani, nuk ka ndonjë reagim kritik dhe analitik: si, pse e qysh “ra ky mort” mbi një nga dy partitë më të mëdha të vendit? Foli Topalli, reagoi Mhilli, lëshoi pe edhe Basha në grupin parlamentar, duke pranuar të metat e duke premtuar hapjen e partisë, por dihet që edhe kësaj here nuk do të ketë përgjegjës, as fajtorë. Berisha po e shtyn PD-në, pas fjalës së tij në Kuvend, në mosnjohje të zgjedhjeve. Fajin e ka “armiku”. Ky është një avaz i vjetër ballkanik. E sigurt është që askush nga brenda partisë nuk do të fajësojë Bashën, aq më pak Berishën, i cili, për herë të parë qëndroi në distancë, në hije, pa u përfshirë direkt në fushatë. Duket e vështirë që të vetët t’ia faturojnë atij, qoftë edhe me nëntekst, këtë humbje. Sepse fushata e Aleancës së PD-së, njëlloj si ajo e ASHE-së, qe tërësisht e personalizuar nga kryetarët përkatës, si të ishin zgjedhje parlamentare.
Por të gjithë e dimë që Berisha nuk ishte e nuk mund të mbetej duarjashtë. Dorëheqja e tij “e parevokueshme” që mallëngjeu e përloti shumëkënd nga ndjekësit qe formale, aspak “përfundimtare”. Ai nuk shkoi në shtëpi, nuk u bë njeri i zakontë, nuk iku në “drejtim të paditur”, sigurisht jo si kriminelët e këtushëm, por si burrat e shtetit që nuk i tremben së kaluarës së tyre e tërhiqen përfundimisht e denjësisht nga skena, shumë-shumë mund të shkruajnë kujtime, të cilat, për të mos sjellë ngatërresa e për të mos e lënë “litarin jashtë”, i botojnë pas vdekjes. Por Berisha, edhe pse një ambasador amerikan e cilësoi “burrë shteti”, nuk është nga ky soj politikanësh. Ky stalinist demokrat nuk heq dorë nga parimi: sulmi është gjysma e fitores. Nëse ky parim në vitet e para të instalimit të demokracisë bënte efekt, sot, prej shpërdorimit, krijon alergji. Humbja e PD-së erdhi edhe prej kësaj klisheje mediatike të stamposur me zërin e sjelljen e Berishës të inatosur.
Ndikimi i padiskutueshëm i Berishës jo vetëm mbi PD-në, por edhe mbi të gjitha partitë, d.m.th. në klimën politike, është njëlloj si më parë, kur ishte ‘de jure’ kryetar i plotfuqishëm. Trysnia e tij ndihet jo vetëm në emërimin e kandidatëve, në deklaratat e përditshme në “Facebook”, në “luftën” e egër e të përjavshme në Kuvend, si zëri i vetëm e më autoritar i PD-së, po edhe në mënyrën e të bërit politikë e fushatë. Tensionet dhe mosmarrëveshjet, konfliktet dhe akuzat e ndërsjella kultivohen dhe imponohen më së shumti prej tij e modelit të tij, sesa prej Bashës dhe forumeve të partisë. Ky është “bereqeti”, kapitali i tij politik: të jetë në ballë të luftës, përherë me tritol në gojë. Berisha nuk është e nuk sillet dot si një deputet i thjeshtë në Kuvend. Aq më pak ai nuk bëhet dot qytetar i zakontë si ne, qoftë edhe për të pirë një kafe me ish-shokët e kolegët e spitalit nëpër kafet e Bllokut. Ai është i dënuar të jetë i famshëm, të flasë si i famshëm, të gjykojë si i famshëm, të shohë shoqërinë nga lart, të jetë i pagabueshëm e i pagjykueshëm, njëkohësisht edhe i izoluar dhe aq i kujdesshëm (më sak: i frikur), sa të mos guxojë të shkelë edhe në Tropojën e vet. Ai hiqet sikur nuk ka frikë nga historia, por në fakt është në hasmëri me të, jo në paqe, në prehje. Ky “shqisë makbethjane” nuk e lejon t’i shteren energjitë. Ja përse nuk ka për ta lëshuar kurrë partinë. Edhe sikur mosha, sëmundjet apo të afërmit ta lusin të tërhiqet, ai nuk do të dorëhiqet nga politika. Ai i ngjan atij që kishte kapur hajdutin dhe prej frikës bërtiste: dua ta lëshoj, por nuk më lëshon hajduti. Berishën nuk e lëshon pushteti. Nuk është ai që ka pushtet mbi veten, përkundrazi, atë e komandon instinkti i pushtetit. Sundimi i tejzgjatur, pushteti i pakufizuar, dehja me vetveten, me sa duket e tjetërsojnë njeriun më fort se çdo ves njerëzor. Për të partia është pushtet, është lavdi, është motiv, i vetmi badigard besnik që garanton imunitet të sigurt, shpresë se mund t’i detyrojë shoqërinë dhe historinë, me kalimin e kohës, “të harrojnë” bëmat e tij, duke i kthyer në legjendë e folklor, si ka ndodhur rëndom te ne. Ai u ngjan faraonëve që edhe kur vdesin, i detyrojnë oborrtarët të varrosen për së gjalli me të.
Me Berishën nëpër këmbë, afërmendsh, nuk mund të ketë në PD as rilindje, as ringritje, aq më pak rithemelim. E natyrisht as paqe, normalitet dhe qetësi në shoqëri.
***
Më kot i kërkohet Bashës, forumeve e anëtarësisë së PD-së mënjanimi apo distancimi nga Berisha si kusht për ringritje dhe identitet të ri. Në gjallje të tij kjo pandehmë nuk ka për të ndodhur. Sepse Berisha e di fort mirë fatin ogurzi të të gjithë pararendësve të tij, të cilët, pa asnjë përjashtim, pasi janë dorëhequr përfundimisht nga partitë përkatëse, e kanë pësuar keqemoskeq.
Kështu Ismail Qemali, pasi dha dorëheqje, u arratis dhe u gjend i helmuar në Peruxhia, në hotel “Brufani”. Zogu iku nga Shqipëria, e la “Legalitetin” këtu në dorë të Abaz Kupit dhe u end si çifuti në shkretëtirë nëpër Evropë, i vetmuar, i rrezikuar, i përsëndyer e i braktisur. Noli, pasi u dorëhoq, iku në arrati dhe u detyrua të shërbejë jo si politikan, por si prift. Hoxha që mbijetoi më gjatë në pushtet e që kishte krijuar bindjen se qe i pavdekshëm, u zhvarros dhe iu tërhoq shtatorja zvarrë, kur vdekja e detyroi të dorëhiqej në mënyrë të parevokueshme. Alia u bë president, dha edhe ky dorëheqje nga partia e po ashtu u burgos nga ish-të përzgjedhurit e kanakarët e partisë së tij që i zunë vendin. Nano doli nga burgu se ishte kryetar i partisë, e cila e mbrojti, duke e bërë simbol, por u braktis dhe nuk shkel dot as në kongreset e festimet e partisë së tij, edhe pse quhet lider historik, kur pa kinse dha dorëheqje të parevokueshme. Po ashtu dhe Mejdani. Të gjithë e kanë pësuar nga brenda, nga pasardhësit, nga të vetët. Shkurtimisht, këta shembuj provojnë se dorëheqja te ne ka krijuar këtë trashëgimi: kush dorëhiqet pa kthim, ka përgatitur jo vetëm harresën e mospërfilljen, po funeralin e emrit të vet.
Modeli i mbijetesës politike me çdo kusht, përgjatë një çerek shekulli, duke mos dhënë dorëheqje nga kryetarllëku, për të mos falimentuar, për të mos e pësuar, për të mos u ndëshkuar, ka përfshirë tanimë të gjitha partitë, minipartitë e shoqatat. Në asnjë syresh, falë shembullit të Berishës, nuk do të ketë dorëheqje të kryetarit edhe në rast humbjesh e disfatash të turpshme. Nuk pi ujë as statuti dhe as morali. Sikur qameti të bëhet, brenda partive nuk do të dëgjohen kërkesa llogarie, nuk do të ketë rotacion, nuk do të kufizohen mandatet e kryetarit me statut e me moral. Pikërisht kjo hierarki vertikale, brenda partive, kur pas njëshit vijnë zero, është arma që e ka vrarë demokracinë që në djep.
Tash edhe nëpër miniparti e shoqata të ashtuquajtura civile zëri i kryetarit është vendimtar, absolut, autoritar, sipas modelit “Berisha”, “Vdes dhe nuk dorëzohem”. Në Shqipërinë e sotme me ligj, me kod zgjedhor, n’dac me apo pa statut partie, figura e kryetarit është e plotfuqishme, e padiskutueshme. Edhe kur në parti mbeten vetëm familjarët e kryetarit, partia “funksionon për bukuri”, hyn nëpër koalicione, mbetet “në tavë”, me shpresë se një ditë kryetari do të kapë postin e një ministri. A nuk u bë kësisoj ministër Shëndetësie Nard Noka? Milo, Idrizi, Mehdiu, Gjinushi etj., janë shembuj të mbijetesës së kësollojtë. Të gjithë e shajnë Berishën, kur nuk janë në koalicion me të, pavarësisht se ndjekin shembullin e tij.
Ja përse hija e Berishës nuk është një “xhaketë” e lënë varur, si kujtim i ditëve të lavdishme në korridoret e PD-së, por një model “suksesi” i kastës të sotme politike, në të dy krahët. Vështruar me këtë sy, jo vetëm humbja e PD-së ka lidhje me Berishën, por edhe fitorja “plebishitare” e ASHE-së, konkretisht e Ramës dhe e Metës, është edhe meritë e tij, ndoshta më tepër se ndikimi i fushatave të tyre luksoze e pompoze. Sepse shumica e votës edhe kësaj here ishte frikë nga një rikthim, për herë të tretë, i modelit “Berisha”, sesa entuziazëm dhe duartrokitje njëmilionëshe për reformat e Rilindjes.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: