Nga: Bedri ISLAMI

Disa ditë më parë, shefi i qeverisë, Edi Rama dhe kryetari i shtetit, Ilir Meta, dy miqtë e vjetër dhe armiqtë e rinj, kishin një takim kokë më kokë, që zgjati diçka më shumë se një orë. Ishte një takim i pritur, pasi, në gjithë paraqitjen e tij të jashtme, çështja e detit, e kërkonte një takim të tillë.

Presidenti Meta, i zgjedhur me votat e Edi Ramës, kishte kthyer dy herë kërkesën për dhënien e plotfuqishmërisë në marrëveshjet e rëndësishme me shtetin grek dhe, megjithëse deri asaj dite ai ishte politikani më i afirmuar dhe më i përkëdhelur i shtetit grek, ai mori parasysh edhe rrezikun e një ftohje me fqinjin jugor, për të dhënë leksionin e parë ndaj partnerit të djeshëm.

Pak kush e di se çfarë është biseduar mes tyre. Alibia e detit i mbyt të gjitha dallgët tjera që mund të jenë ende të nënujshme.

Por diçka është e qartë: pas këtij takimi, ndoshta edhe më një ndërhyrje nga jashtë, gjërat po qetësohen, gjakrat janë ftohur, deklaratat e nxehta janë mënjanuar, edhe një herë po vendoset me qetësi e dashuri një linjë komunikimi që, pas dy shefave faktikë të dy partive si motra që u përleshën tash sa muaj si “kunata”, tani e kanë marrë në dorë figura të tjera, të njohur me njëri tjetrin kur ishin në të njëjtën seli.

Deklarimet e fundit të zonjës Kryemadhi, sidomos se tani e tutje çdo marrëveshje do të jetë transparente dhe se më e rëndësishme për vendin është integrimi se sa protestat, janë kulaçi i parë publik që LSI i afron shumicës qeverisëse.

Nga ana tjetër, socialistët në pushtet, duke mbajtur tehun tek opozitari i madh, që po shpërthiqet, Basha dhe klani rreth tij, e ka “ harruar” se disa muaj më parë, si ishte pritur me ndërrimin e lidershipit lësëist, zhurmën më të madhe e bënin ata që kishin bashkëqeverisur. Duke qenë të brendshëm ata mund të goditnin më lehtë, pavarësisht se kishin qenë në të njëjtën godinë dhe, të mirat e të këqijat i kishin ndarë së bashku.

Edhe media të njohura si mbështetëse të lëvizjes lësëiste po e tundin kambanën e bashkëpunimit të ri.

I vetmi që deri tani nuk ka kuptuar asgjë, ose nuk ia kanë thënë ende, është Petrit Vasili. Një ditë edhe ai mund ta kuptojë se loja pas tij do të jetë shumë më e madhe.

Problemi, si duket, nuk shtrohet më, a do të bashkohen, a do të shkrihen akujt, a do të ketë një klimë më të butë, por kur do të ndodhë kjo.

Pyetja e shtruar, jo me ngut, do të ishte: çfarë do të shërbehet në vend të ngjalave: krap, qefull, kurban i rastit, apo qoka politike?

Janë tri shkaqe pse mund të ketë shkrirje akujsh. Deklarimi se mund të bëhet për hir të integrimit, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme, është i bukur, por i vështirë që të kapërdihet kaq lehtësisht.

Shkaku i parë është në qershorin e vitit të ardhshëm. Zgjedhjet lokale, që në fakt paraprijnë zgjedhjet e përgjithshme. Në pamjen e parë, asnjëra nga dy partitë e mëdha, në bisedat që kanë filluar, tani për tani, nuk sheh hapësirë boshe për kandidimin e kandidatëve të LSI-së, duke pasur mbështetjen e forcës tjetër. Kjo ka çuar në humbjen e besimit mes dy forcave opozitare, që edhe ashtu nuk ka qenë i fortë. Ka qenë një lidhje nga halli që nuk ia zgjidhi hallet asnjërës.

Me zgjedhjet e reja, nëse LSI nuk do të marrë asnjë drejtim bashkiak, dhe e vetme nuk do të mund të marrë, ajo edhe më tej humbet forcën e saj, që është punësimi dhe joshja e pushtetit.

Socialistët duan të jenë të sigurtë në disa bastione, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, ku luhatjet politike janë më të shpeshta dhe do të synojnë, për herë të parë seriozisht, të kenë edhe Shkodrën.

Për Shkodrën socialistët po mendojnë që tani. Mund ta fitojnë vetëm nëse sakrifikojnë dy gjëra: postin e zëvendës/kryeministres aktuale, figurë përbashkuese dhe tejet e denjë, dhe nëse votat e së majtës shkojnë të gjitha majtas.

Shkaku i dytë: Ramës i duhen më shumë vota se sa ka aktualisht në parlament. Të tashmet janë të mjaftueshme për të miratuar ato ligje që nuk kërkojnë një shumicë të cilësuar. Janë shumë të tilla para vetes. I duhen votat e dikujt dhe ato që mund të tërheqë më shumë janë të LSI-së.

Në këtë rast ai mund të kalojë ligjet që dëshiron, por duhet të llogaritë humbjet në elektoratin e tij, që nuk ishte fort i kënaqur, për të mos thënë aspak, nga bashkëpunimi katër vjeçar me LSI-në.

Sidomos me pas zgjedhjet, ku akuzat më të mëdha po i vijnë “ nga motra e vogël”.

Shkaku i tretë: LSI-së i duhet edhe më shumë kjo shkrirje akujsh. Ata e provuan me forcë, me grabitje kartonësh, me ton të egër, me piskama se u lënduan, me grifshërim politik, me belbëzime vasiliane, me grusht të hekurt, me çizme, me mallkim, mirëpo asgjë nuk ndodhi.

Tragjedia e perceptuar prej tyre si e tillë, shumë shpejt mund të jetë një komedi politike. Nëse ata që janë në selinë e rrugës “Sami Frashëri” ende nuk e kanë kuptuar, pas vetes kanë një mjeshtër të madh të lojës në politikë, që sa herë kanë menduar se u zhyt, ka dalë ndryshe në sipërfaqe.

Nëse LSI ecën në këtë ritëm, shaj e mallko, ndërkohë që njerëzit e saj largohen nga vendet e punës, disa mund të përgjigjen penalisht, dhe ajo mund të kthehet në një forcë minore, llogaritë nuk do i dalin.

Nga ana tjetër, edhe nga jashtë Tiranës, ka sugjerime për një kthesë në politikën e së majtës, që , në fakt, nuk është më e tillë.

Një personalitet i njohur nga Kosova, mik i përbashkët i Ramës dhe i Metës, ka hedhur idenë që koalicioni i mëparshëm të vazhdojë dhe në fillimin e mandatit tjetër të ketë një rokadë politike.

Edi Rama të kalojë në krye të pushtetit, si president i vendit, ndoshta ai konsensual , dhe Ilir Meta në krye të pushtetit, si kryeministër.

Sidoqoftë akujt po shkrihen. Stinët e nxehta janë përpara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: