PRISHTINE- Liderët e koalicionit opozitar AAK-NISMA, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë projektligjin për demarkacionin.

Sipas tyre, votimi do të ishte një tragjedi për vendin dhe do të shkaktonte krizë e tension.

Ata kanë thënë se qeveria po do t’ia bart këtë përgjegjësi Kuvendit, por deputetët nuk mund të fshihen më, e as nuk duhet të votojnë nëse kanë dyshime për marrëveshjen, pasi ata kanë dhënë një betim.

Edhe Lëvizja për Bashkim, që është pjesë e Qeverisë së Kosovës, përmes një deklarate për media, i ka bërë thirrje kuvendit të mos e votojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Ndërkohë, Haradinaj ka folur edhe për vizitën e paralajmëruar të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, për 17 gusht, duke thënë se qeveria do të mundohet ta shfrytëzojë atë.

Por, që sipas tij, qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është se kufiri duhet të jetë aty apo këtu, por se ju duhet të gjeni një zgjidhje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: