PRISHTINE– Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, rastin e ndalimit të kreut të saj në Francë, Ramush Haradinaj, e cilëson si pengmarrje, pas të cilës sipas saj fshihen motive politike. Me anë të një komunikate drejtuar mediave, AAK kërcënoi se do të ketë destabilizim të Ballkanit nëse lideri i tyre nuk lirohet.

Nga ana tjetër AAK bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të bëjnë më shumë për lirimin e tij. Në të kundërte, AAK paralajmëron se fatin e kësaj çështjeje do ta marrë populli në dorë.

REAGIMI I AAK-SE
Ndaljen e mëtejshme të Kryetarit Ramush Haradinaj në Francë, tashme e tutje e konsiderojmë pengmarrje të pastër politik. Kryetari Haradinaj është ndaluar në Francë pas ndërhyrjes së Serbisë dhe në bashkëpunim me kundërshtarët e Kosovës. Mbajtja e tij tashme e dy muaj, nuk ka asnjë lidhje as me drejtësinë as me të shkuarën e Haradinajt, por me qëndrimet e tij parimore në raport me zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën.

Iu bëjmë me dije të gjithëve se Ramush Haradinaj nuk është vetëm dhe zvarritja e lirimit të tij, mund të prodhojë pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin. Kjo farsë gjyqësore me Haradinajn duhet të marrë fund menjëherë. Kërkojmë nga autoritet franceze që të mos vihen në shërbim të Serbisë, e cila është kthyer në mendësinë e vjetër dhe po do që sërish të shkaktojë trazira në Ballkan. Autoritetet e Kosovës ndërkaq, duhet që me urgjence të vihen në lëvizje, sepse ndalja e Haradinajt nuk ka të bëjë me individin por është sulm ordiner mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. AAK dhe shqiptarët, nuk do të qetësohen përderisa ai të mos i kthehet vendit të tij dhe punëve që e presin në Kosovë.

Kosova ka nevojë për Ramush Haradinajn dhe prandaj askush nuk ka të drejtë që ta pengojë atë që të punojë për vendin e tij. Nëse institucionet e Kosovës do të rezultojnë të pafuqishme në veprim, atëherë fatet e kësaj çështjeje do t’i marrë në dorë populli. Kosova ka dhënë boll për stabilitetin rajonal dhe nuk mund të japë më.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: