Ndërkohë që media në internet kërcënon mbijetesën e mediave tradicionale, gazetarët përfundojnë në shënjestër të politikës dhe opinioni publik ve në dyshim besueshmërinë e informacionit, një tjetër skandal përfshin botën e mediave: manipulimi i audiencës së televizioneve. Një sektor i lënë në mëshirë të një anarkie totale dhe pa asnjë lloj rregulli, pavarësisht se rëndësia e tij është jetike, pasi pikërisht nga matja e shikimeve shpesh varen edhe investimet publicitare të kompanive të mëdha.
Shikimet televizive maten nëpërmjet një sistemi të sofistikuar njerëzor dhe teknologjik, që kërkon kompetenca të mëdha dhe investime të larta. Të dhënat e mbledhura më pas u shiten investitorëve të reklamave për t’u treguar se cilët televizione kanë shikueshmëri më të lartë dhe kështu që të dinë se ku të orjentojnë investimet e tyre publicitare. Në vendet e mëdha perëndimore kjo fazë delikate e zbulimit të shikimeve iu nënshtrohet ligjeve dhe kontrolleve të rrepta edhe nga ana e shtetit për të shmangur manipulimin e tregut apo dëmtimin e konkurrencës së lirë. Natyrisht që ndodh gjithandej kështu, me përjashtim të Shqipërisë.

Në tregun shqiptar, ku nuk ka asnjë ligj që të rregullojë sektorin, ekzistojnë dy kompani që operojnë në këtë fushë, por të paktën njera duket të funksionojë në mënyrë shumë të dyshimtë. Një investigim i thelluar i bërë nga Shqiptarja.com ka zbuluar se fjala është për një kompani, e cila nuk ka realizuar kurrë as investimin minimal të domosdoshëm për të bërë të mundur matjen e shikimeve, por megjithëkëtë vazhdon të manipulojë tregun televiziv, duke keqorjentuar edhe agjencitë dhe klientët publicitarë që e paguajnë, ndërkohë që asnjë institucion shtetëror nuk ka ndërhyrë deri tani. Kompania quhet Abacus shpk dhe, pavarësisht nga prania e saj e gjerë në treg, në realitet duket se fjala është për një kuti bosh.

Shoqëria duke filluar nga viti 2012 e këtej ka shpërndarë matje shikueshmërie, jo vetëm pa bërë asnjëherë asnjë investim teknologjik, por edhe pa patur as punonjës. Nga të dhënat e mbledhura nga Shqiptarja.com pranë Drejtorisë së Tatimeve del se shoqëria Abacus shpk ka një kapital prej vetëm 800 eurosh, ka vetëm një të punësuar, zero investime në teknologji dhe deklaron të ardhura prej më pak se 10.000 eurosh në vit.

E megjithatë pretendon se kryen matje shikueshmërie në gjithë territorin e vendit, duke vlerësuar se çfarë shikojnë 2 milionë e gjysmë shqiptarë; se ka instaluar një rrjet prej më shumë nga 1.000 aparatesh zbulues nëpër po aq familje dhe se prodhon çdo ditë një raport, me të cilin pretendon të matë shikimet e dhjetëra kanaleve televizive (nga rrjetet e mëdha kombëtare deri tek transmetuesit e vegjël lokalë) dhe të gjithë abonentëve të Digitalb-it dhe Tring-ut.

“Po të shohësh tabelën e të dhënave mbi shikimet, duket gjithshka normale. Besoj se është pikërisht ky faktori që mund të manipulojë atë që e lexon: në realitet në tabelë nuk kuptohet se nga vijnë këto të dhëna dhe as se si janë përpunuar ato – thotë një teknik informaticien, që ka lexuar një prej raporteve mbi shikimet, të shitur nga Abacus – Pika kyçe në fakt në një sistem matjesh të shikueshmërisë është besueshmëria e të dhënave të mbledhura

. Për të qenë të besueshme, këto të dhëna do të duhej të kishin nga pas një kompani të madhe, me shumë teknikë informaticienë, një server jashtëzakonisht të madh për mbledhjen dhe përpunimin, një studim të kushtueshëm demografik për të individualizuar kampionin e familjeve që do të monitorohen, një rrjet të gjerë lidhjesh në internet mes serverit qendror dhe 1.000 familjeve të përfshira në kërkimin dhe sidomos një investim të madh në teknologji.

Të gjitha këto janë kosto shumë të larta që duhet të pasqyrohen në bilancin e kompanisë”. Por Abacus shpk nuk deklaron asgjë nga gjithë kjo në bilancet e saj. Në të kundërt, bilancet e saj nxjerrin në pah shifra qesharake, më të ulta se ato të një kioske që shet banane.

Nuk ka kosto investimesh, nuk ka kosto personeli, nuk ka shpenzime për mirëmbajtjen e lidhjeve në internet dhe i vetmi shpenzim i rëndësishëm është ai i zyrës. Nga të gjitha anët ta kapësh, duket një shoqëri fantazëm. Megjithatë, një shoqëri, e cila funksionon si kuti bosh, rrezikon të manipulojë një treg publicitar, që vlen dhjetëra miliona euro.

Të dhëna të bilancit
Shoqëria Abacus shpk u themelua në nëntor të vitit 2011. Për vitin 2012 (është bilanci i parë i dorëzuar pas themelimit të saj) rezulton të ketë kryer ZERO investime. Shoqëria nuk rezulton as të ketë të punësuar, pasi kostoja e personelit për gjithë vitin është vetëm 144.000 lekë (dmth ka paguar 12.000 lekë paga në muaj).

Në vitin 2013, Abacus nuk regjistron në bilancin e saj asnjë lloj aktiviteti: as të ardhura, as kosto personeli, as investime (aktiviteti për gjithë vitin 2013 rezulton i pezulluar). Në vitin 2014, Abacus shpk kthehet në aktive dhe regjistron në bilanc të ardhura në masën 1.339.397 lekë, me kosto vjetore të punonjësve me vetëm 110.000 lekë (plus 1.870 lekë të paguara për sigurimet shoqërore) dhe një fitim në fund të vitit në masën 778.429 lekë.

Edhe për 2014-ën nuk ka shenja investimi.

Në vitin 2015, Abacus regjistron të ardhura në masën 1.208.233 lekë, me një kosto vjetore të punonjësve prej 268.488 lekësh (4.488 lekë sigurimet shoqërore) dhe një fitim në fund të vitit në masën 76.127 lekë. Asnjë kosto investimesh.

Në bilancin e vitit 2016, Abacus regjistron të ardhura me vlerë 1.416.098 lekë dhe prapë një kosto për punonjësit mbi baza vjetore prej vetëm 268.488 lekësh, me fitim 213.295 lekë. Edhe në 2016 nuk ka asnjë investim. E çuditshme që kostoja e punonjësve në vitet 2014 dhe 2015 del në bilancin e 2016-ës si “detyrime ndaj punonjësve”: thënë kështu, del se, edhe po të ketë patur një punonjës të vetëm, me pagë 22.000 lekë në muaj, ky punonjës i vetëm nuk ka marrë as rrogën.

Si pasojë, fjala është për një zë në bilanc krejtësisht virtual. Po aq e rëndësishme është të evidentohet edhe se Abacus nuk ka marrë asnjëherë asnjë lloj huaje dhe se kapitali i saj prej 100.000 lekësh nuk është derdhur asnjëherë: kjo shpjegon pse shoqëria nuk ka patur ASNJËHERË burimet ekonomike për të realizuar investimet e kërkuara për të ngritur një sistem matjesh të audiencës.

Po nëse nuk ka asnjë kosto investimesh, atëhere me çfarë aparatesh elektronike e kryen matjen e audiencës? Nëse nuk ka kosto nga transmetimet në internet, si i mbledh të dhënat nga 1.000 familje, që pretendon se i monitoron? Nëse nuk ka punonjës, me çfarë personeli teknik administron rrjetin e people meters-ave, përpunon të dhënat dhe siguron mirëmbajtjen e impianteve teknologjike?

Pavarësisht nga këto, shoqëria vijon të operojë në treg dhe t’u shesë “të dhëna mbi shikueshmërinë” edhe investitorëve ndërkombëtarë që operojnë në Shqipëri dhe që paguajnë për një shërbim, i cili nuk ka asnjë bazë reale. Pra, duket se kemi të bëjmë me një operacion tregtar të paligjshëm që godet edhe tregun televiziv, duke deformuar në një mënyrë po aq të paligjshme tregun delikat të konkurrencës.

Burimi: http://shqiptarja.com/home/1/abacus-kompania-me-bilancin-e-nj–kioskemanipulon-tregun-e-tv-463910.html?pos_3

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: