Nga: SONILA MUSAJ*
TIRANE – Farmacistët po dëmtojnë shëndetin e pacientëve me ilaçe, të cilët i shesin pa receta mjekësore. Qytetarët shqiptarë sapo kanë një shqetësim shëndetësor drejtohen menjëherë tek farmacitë, madje edhe në rastin kur mbeten shtatzënë dhe nuk duan që ta mbajnë fëmijën. Gazetarja e emisionit “Kaktus”, gjatë një investigimi u drejtua në farmaci të ndryshme të Tiranës, për të marrë ilaçe për abortin. Dhe nuk e pati aspak të vështirë që ti blinte këto ilaçe dhe pse nuk kishte një recetë mjekësore. Por jo të gjithë farmacistët u treguan të gatshëm pasi kishte nga ata farmaci që nuk i mbanin fare të tilla ilaçe madje të rekomandonin të shkoje tek gjinekologu pasi vetëpërdorimi i këtij medikamenti mund të kishte pasoja serioze për jetën e pacientit. Gjatë një interviste, Shefi i Qendrës së Shëndetit në Gruas në maternitetin e vjetër, Albert Cakoni shprehet se këto medikamente duhet të përdoren vetëm nën kujdesin e mjekut pasi vetëpërdorimi rrezikon që femra të mbetet sterile deri tek humbja e jetës. Por kush i kontrollon këto farmaci? Pyetja mbetet pa përgjigje pasi Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ia lë përgjegjësinë Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa kjo e fundit Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave.
Gazetarja jonë vajti të marrë dhe një përgjigje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, e cila duhet të marrë masa për farmacistët që shesin ilaçe në mënyrë të paligjshme dhe për një përgjigje të mundshme duhet të dërgonte një shkresë zyrtare ose email. Emisioni “Kaktus” denoncon farmacistët të cilët janë përgjegjës për shitjen ilaçeve në mënyrë të papërgjegjshme, pa recetë, duke u shndërruar në mjek dhe farmacist njëkohësisht ndërsa i bën thirrje institucioneve përkatëse që të mbajë përgjegjësitë që u takon.
(er.nu/kaktus/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb