Nga: KRESHNIK ZEQAJ*
TIRANE –
Spitalet janë kthyer në tema diskutimi nga ne. Kjo ndodh sepse aty ka aq shumë probleme sa nuk dimë nga t’ia nisim. Qendra Shëndetësore në Roskovec ka 20 dhoma për pacientët, e pajisur edhe me laborator për analiza, si dhe kalorifera për ngrohje, pra mjekët nxehen për 7 palë qejfe, se energjinë e paguan shteti, nuk ka problem…Shteti?…Ah sikur të ishte kështu, që çdo gjë të funksiononte ashtu siç qeveria do, por jo se rrugës disa dalin nga rreshti. Mjeku Luan Pelo deklaron se kjo Qendër Shëndetësore nuk ka kushtet e përshtatshme për pacientët, pasi energjia ikën çdo ditë. Ah doktor jo për kushtet mos u anko se drejtoresha Irma Gishti t’i ka krijuar, kur s’ka drita ke qiri. Mjeku Pelo shprehet se në muaj Qendra Shëndetësore harxhon rreth 1 mijë kë energji elektrike. Sa energji harxhoni në një muaj, 1 mijë kë, jo s’ka mundësi, pasi unë e kam vërtetuar dhe ju harxhoni 0 kw, ja ku e keni faturën e cila shkruan në të gjitha rreshtat vetëm zero kilovat. Vlerën e energjisë fund ju e keni 2 mijë lekë, 400 lekë TVSH, tarifa e TV 1 mije lekë, pra ju paguani 3400 lekë të vjetra në muaj me gjithë atë institucion dhe askush nuk mban përgjegjësi, kur unë në shtëpinë time 1+1 paguaj në muaj mbi 30 mijë lekë, po si ka mundësi morë, se qytetarët për 10 mijë lekë debi po shkojnë në burg. Për këtë faturë të energjisë 3400 lekëshe në muaj të Qendrës Shëndetësore Roskovec, takova edhe atë mbi të cilën bie përgjegjësia, Drejtoreshën Irma Gishti, e cila na thotë se ka një mbifaturim dhe OSHEE, tani po i faturon vetëm 3400 lekë të vjetra. Çfarë, ke kontratë me OSHEE për mbifaturim, po habitem se ky mbifaturimi tek ty paska gjetur zbatim, pasi tek ne që e vuajmë prej vitesh nuk do t’ia di njeri. Zonjë e dashur, ne e kuptojmë që t’i do të na shmangesh por ato 2 milionë e gjysmë të buxhetit për energjinë ku shkojnë, apo në xhepin tënd, kjo është një vjedhje e hapur ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.
.Roskovec 1
Problemet në këtë Qendër Shëndetësore nuk mbarojnë me kaq, laborantja e gjakut Zana Çobo prej korrikut 2014 ajo nuk është në punë, por rrogën e ka marrë rregullisht deri më 15 tetor. Unë kam siguruar listat e pagesës të muajit korrik, gusht, shtator, tetor 2014 dhe listëprezencat e këtyre muajve, ku Zana Çobo ka ikur me pushime në Amerikë dhe Drejtoresha Irma Gishti nuk e largonte nga puna dhe të shpallte vendin vakant, por i kalonte rrogën në bankë, duke i vjedhur shtetit rreth 1 milion e gjysmë lekë. Drejtoresha Gishti ka punësuar edhe një kopshtar për lulishte në këtë Qendër Shëndetësore, ne e pamë që lulishte nuk ekzistonte, por edhe infermierët dhe mjekët aty rrinë gjithë ditën pasi pacientët i dërgojnë në Fier. Një thirrje kemi për këtë Drejtoreshë, për të gjitha këto probleme kush do të mbajë përgjegjësi?
TIRANE, MËSUESI I SHKOLLËS 9-VJEÇARE “DHORA LEKA”, KËRCËNOHET ME JETËN E VAJZËSMesuesi qe u kercenua
Nga: OLSI ÇALA*

Mësuesi Kristaq Viso, i është drejtuar emisionit “Kaktus” pasi është kërcënuar disa herë, lidhur me vendin e tij të punës, por edhe me jetën e fëmijës së tij. Zanafilla e problemeve ka nisur pas një mbledhjeje të zhvilluar në ambientet e shkollës, drejtoresha Mira Brahimi, dhe nëndrejtoresha Gentiana Hoxhallari, sipas rrëfimit të tij, kanë degraduar në ofendime dhe sharje. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje mësuesit refuzuan të kthehen në mësim, e për këtë u bë një mbledhje nga Drejtoria e Arsimit, me ish-Drejtoreshën Mira Kuqi. Në atë mbledhje u shtruan një sërë problemesh, një ndër personat që ngriti disa problem lidhur me drejtueset e shkollës, ku sipas tij, ato kanë shkelje te shumta. Menjëherë pas kësaj, profesori merr një kërcënim nga një efektiv policie, i cili i thotë të sillet mirë se do humbasë punën. Po atë ditë, drejtoresha e shkollës i dërgon numrin e telefonit personit që e kërcënon, “Përshëndetje …ky është numri i Kristaqit”, ka mjaftuar një lapsus dhe ky sms është dokumentuar në telefonin e profesorit. Disa ditë më pas, ky profesor, merr një tjteër mesazh kërcënimi në emër të nëndrejtoreshës së shkollës, këtë herë jo më për vendin e punës, por me jetën e vajzës, në tekst thuhej, “Për problemin e nëndrejtoreshës të marr në telefon. Sillu mirë se ke një gocë. Po do ta kesh mirë gocën sillu si burë me të…”. Për të sqaruar këtë situate problematike, emisioni “Kaktus”, hyri në ambientet e shkollës “Dhora Leka”, nga takimi me nëndrejtoreshën Gentiana Hoxhallari, ajo na bëri me dije se nuk ka dijeni për atë mesazh kërcënues, e nuk ka asnjë lidhje me të,  ajo ndihej e shokuar kur e thirrën në polici, pasi atje e mësoi. Nga ana e saj, nëndrejtoresha shprehet se në atë mbledhje, ku mësues refuzuan të hyjnë në mësim, ajo ishte kërcënuar nga bashkëshorti i një mësuese aty, ai është efektiv i SHIK-ut prej njëmbëdhjetë vitesh, e pas kësaj nëndrejtoresha ka bërë kallzëim në polici e prokurori. Drejtoresha e shkollës, Mira Brahimi, foli shkurt, ajo tha se ajo mesazhi është keqkuptuar, e Kristaq Viso është i njohur nga Drejtoria e Arsimit si problematik, ajo shprehet se nuk është kërcënuar nga askush me vendin e punës. Për këtë situatë të nderë, organet kompetente duhet të ndërhyjnë, e të merren masat përkatëse penalizuese.
ABORTI, FARMACISTËT SHESIN KOKRRAT PA RECETË NGA MJEKUAborti
Nga: SONILA MUSAJ*
Farmacistët po dëmtojnë shëndetin e pacientëve me ilaçe, të cilët i shesin pa receta mjekësore. Qytetarët shqiptarë sapo kanë një shqetësim shëndetësor drejtohen menjëherë tek farmacitë, madje edhe në rastin kur mbeten shtatzënë dhe nuk duan që ta mbajnë fëmijën. Gazetarja e emisionit “Kaktus”, gjatë një investigimi u drejtua në farmaci të ndryshme të Tiranës, për të marrë ilaçe për abortin. Dhe nuk e pati aspak të vështirë që ti blinte këto ilaçe dhe pse nuk kishte një recetë mjekësore. Por jo të gjithë farmacistët u treguan të gatshëm pasi kishte nga ata farmaci që nuk i mbanin fare të tilla ilaçe madje të rekomandonin të shkoje tek gjinekologu pasi vetëpërdorimi i këtij medikamenti mund të kishte pasoja serioze për jetën e pacientit. Gjatë një interviste, Shefi i Qendrës së Shëndetit në Gruas në maternitetin e vjetër, Albert Cakoni shprehet se këto medikamete duhet të përdoren vetëm nën kujdesin e mjekut pasi vetëpërdorimi rrezikon që femra të mbetet sterile deri tek humbja e jetës. Por kush i kontrollon këto farmaci? Pyetja mbetet pa përgjigje pasi Qendra Kombëtare e Kontrolllit të Barnave ia lë përgjegjësinë Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa kjo e fundit Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave.

Gazetarja jonë vajti të marrë dhe një përgjigje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, e cila duhet të marrë masa për farmacistët që shesin ilaçe në mënyrë të paligjshme dhe për një përgjigje të mundshme duhet të dërgonte një shkresë zyrtare ose email. Emisioni “Kaktus” denoncon farmacistët të cilët janë përgjegjës për shitjen ilaçeve në mënyrë të papërgjegjshme, pa recetë, duke u shndërruar në mjek dhe farmacist njëkohësisht ndërsa i bën thirrje institucioneve përkatëse që të mbajë përgjegjësitë që u takon.
NDIHMA EKONOMIKE, NËNA E 3 FËMIJËVE JETIM NUK MERR DOT NDIHMËN EKONOMIKEVlore 1
Nga: ZANA ÇAKAJ*
Rina Beqiri, është një zonjë nga Vlora, të cilës prej një viti i ka vdekur bashkëshorti dhe ka 3 fëmijë të vegjël. Duke qenë e papunë dhe e ve ajo ka kërkuar ndihmë ekonomike. Në muajt e parë e ka marrë ndihmën ndërsa më vonë në periudhën Nëntor-Dhjetor-Janar nuk e ka marrë. Ka shkuar dhe është ankuar por përgjigja e vetme që i është dhënë ishte sjellja e keqe e punonjëses sociale, madje i ka thënë të largohet sepse do lajmërojë policinë. Rina Beqiri ju drejtua emisionit tonë “Kaktus”. Gazetarja jonë shkoi atje së bashku me Rinën, dhe pyeti pse nuk ja jep ndihmën ekonomike, sepse i takon me të drejtë se zonja Ruzha Xhaferi nuk po ja jep nga xhepi i saj. Sërish Ruzha Xhaferi nuk jep përgjigje konkrete dhe pas insistimeve nga ana jonë ajo kërkon të largohemi se ndryshe do lajmërojë policinë. Kjo është sjellja në këtë institucion për njerëzit në nevojë dhe për këtë gjë kjo zonjë duhet të mbajë përgjegjësi dhe t’i japë zgjidhje Rina Beqirit, sepse tre fëmijët e vegjël me atë ndihmë ekonomike mbijetojnë.
(er.nu/kaktus/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: