NGA KLODIANA LALA

TIRANE– Ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dashamir Xhika, dhe dy ish-vartësit e tij do të përballen me Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku do t’iu komunikohet masa e sigurisë.

Të dielën që lamë pas, gjykatësja Ilirjana Olldashi firmosi masën e “arrestit me burg” për Xhikën, pas dyshimeve për korrupsion me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan, dhe dy ish-zyrtarët e tjerë të Transporteve, Albens Alite dhe Aksel Qurduka.

Avokatët e ish-zyrtarëve i kundërshtojnë akuzat, dhe pritet që gjatë seancës që do të zhvillohet me dyer të mbyllura, të ketë debate të forta.

Prokuroria thotë se Xhika në bashkëpunim me vartësit e tij, kanë abuzuar me fondet e rrugës, duke i shkaktuar arkës së shtetit një dëm prej afro 54 milionë dollarë.

Në kuadër të kësaj çështje, Krimet e Rënda po kryejnë hetime edhe në drejtim të disa ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Transporteve, ndërsa po verifikohet roli i ish-ministrit Edmond Haxhinasto.

Burimet thonë se ka dyshime që Haxhinasto, në shpërdorim të detyrës nuk ka ngritur një komision të brendshëm për të bërë vlerësimin e situatës, në një kohë që nga audite të brendshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ishin konstatuar se kishte keqmenaxhim të projektit.

Vetë deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se është i gatshëm për t’u verifikuar nga Prokuroria, por “nëse sulmohet politikisht, përgjigjen do ta kthejë me të njëjtën monedhë”.

Përgjatë ditëve të fundit, janë firmosur nga Prokuroria e Elbasanit dhe ajo e Krimeve, disa urdhër-arreste për ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve, për abuzime me fondet e rrugëve Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Gjinar. Në të dyja këto çështje, i dyshuari kryesor është ish-drejtori i Rrugëve, Dashamir Xhika.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb