TIRANE– Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre ish-zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët po hetohen për abuzime në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Në seancën e sotme u është komunikuar masa e sigurisë ish-kreut të ARRSH-së, Dashamir Xhika, dhe dy drejtuesve të menaxhimit të projektit të rrugës, Aksel Qurduka dhe Albens Alite.

Ish-kreu i ARRSH, Dashamir Xhika akuzohet për “korrupsion pasiv”, ndërsa dy ish-zyrtarët e tjerë akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Që në nisje të seancës së sotme, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Gjykata “arrest me burg” për tre ish-zyrtarët.

Pas vendimit të Gjyktaës, avokatët mbrojtës thanë se do ta apelojnë atë, pasi sipas tyre nuk prokuroria nuk ka kryer veprimet e duhura.

Dëmi për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan llogaritet 54 milionë dollarë nga një auditit i Ministrisë së Energjetikës, i përfunduar në dhjetor të vitit të shkuar. Auditi erdhi pas shirave të furishëm të dhjetorit, që shkaktuan shembje dhe bllokim në një pjesë të mirë të aksit.

Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, dërgoi pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të Dashamir Xhikës, si edhe dy punonjësve të tjerë. Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 USD.

Përveç kësaj, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 dollarë, me ndryshimin e kontratave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb