DURRES– Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi masën ‘arrest në burg’ për ish kreun e ARRSH, Dashamir Xhika, ish drejtorin Andi Toma, administratorin e firmës Agron Hysa dhe mbikqyrësin e punimeve Rexhep Tarba, të cilët akuzohen për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘korrupsion’ me tenderin e aksit rrugor Elbasan-Gjinar.

Avokati i Andi Tomës kërkoi pavlefshmërinë e vendimit të gjykatës së Elbasanit, pasi sipas tij është i paarsyetuar.

“Prokurori i ka mbledhur provat në mënyrë manipulative. Klienti akuzohet për 5 miliard leke abuzim, por kjo nuk është e vërtetë dhe është gënjeshtër. Prokurorja duhet të vërtetojë nëse i ka shkaktuar dëm dhe çfarë dëmi”- tha ai.

Ndërkohë ish drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Andi Toma nuk i ka mbajtur dot lotët në seancë teksa u shpreh se ka 5 vjet pa funksion shtetëror.

“Kam 5 vjet pa funksion shtetëror kjo është absurde. Rruga është aty nuk ka ikur në drejtim të paditur. Unë nuk arratisem. Prokurorja Xhaferri dhe gjykatësja Maliqi janë në kufij të absurdit. Jam jurist dhe dy magjistratë shkelën ligjin, ndersa dhe Prokurorja e gjykatësja kanë shkelur ligjin. Janë fakte të rreme për abuzimin 5 miliard të vjetra”- tha ai, njofton për “BalkanWeb” gazetarja Klodjana Haxhiaj.
dashamir-xhika-ne-gjyq
Kallëzimi për abuzime ndaj Dashamir Xhikës dhe zyrtareve te tjere u bë nga prokuroria e Elbasanit, konkretisht shpërdorim fondesh në ndërtimin e rrugës së Gjinarit. Procedurat e rrugës së Gjinarit kanë nisur që në vitin 2009. Sipas prokurorisë ata i shkaktuan një dëm shtetit prej 5.3 miliardë lekësh pasi abuzuan me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar.

“Dashamir Xhika, i cili ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së në periudhën tetor 2013-shtator 2017, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Shpërdorim të detyrës’ të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhej në urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata për ish-kreun e ARRSH më 1 shkurt.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: