NGA ENIDA HIMAJ

Mund të konsiderohet një ndër femrat më të bukura në Shqipëri, si dhe jashtë kufijve. Flasim për Afërdita Dreshajn që po korr sukses me këngën e fundit, “Another1”. Për “Bluetooth”, biondja seksi rrëfen sesi erdhi ky projekt, si dhe komplimentet që ka marrë deri më tani nga fansat, por edhe nga kolegët. Jo rrallë herë kanë qarkulluar lajme të pavërteta rreth saj, lajme që shpesh herë edhe e kanë prekur, por këngëtarja tregon se ka zgjedhur ti injorojë.

Të tilla kanë qenë edhe lajmet që flisnin për ndarjen nga partneri, sportisti kroat. Megjithatë ajo zbulon se çifti është duke shijuar ditë të arta plot dashuri. Pas pushimeve Afërdita do ti rikthehet modelingut. Bukuroshja do të udhëtoj drejt Miamit, ku dhe do tu përkushtohet pasarelave…

Rivjen Afërdita, “Another1” është kënga juaj e re, si erdhi kënga, përse përzgjodhët këtë titull?
Kënga lindi edhe këtë herë si një bashkëpunim mes meje dhe Bleros, i cili është autori i saj. “Another 1”, për çdo ditë të re që vjen, për çdo njeri të ri që takojmë, për çdo buzëqeshje, çast të trishtë, këngë të re, foto… Për çdo moment që jetojmë.

Si është pritur deri më tani, ka pasur kritika?
Në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trevat shqipfolëse nuk ka kritikë, ka komente të mira ose të këqija, por jo kritikë profesionale. Kësisoj mund të them vetëm që jam e kënaqur me komentet e marra nga ndjekësit e mi, por kanë komplimentuar për këtë prodhim të ri.

Vini seksi në klip, mendoni se kjo i jep më shumë sukses një kënge?
Kjo e bën videoklipin të shihet më shumë, e përmes tij mund të bëjë që kënga t’u fiksohet më shumë njerëzve. Por nuk mendoj, që paraqitja ime seksi në videoklip është e lidhur ngushtë me suksesin e këngës. Një këngë mund të ketë sukses dhe të bëhet hit edhe vetëm nga radio.

I ka parë Afërdita klipet që kanë dalë këtë sezon, cila mund të quhet një “rivale” e denjë për ju?
Nuk do t’i klasifikoja në rivale të denja e të padenja… Përgjithësisht i kam ndjekur të gjitha prurjet e reja muzikore dhe kam disa të preferuar, por për të shmangur pakënaqësitë, duke qenë se shijet janë personale dhe subjektive, nuk po përmend emra.

Ndërkohë si çdo këngë e re, është shoqëruar me akuza, thuhej se ju keni kopjuar në këtë klip, edhe pse ju e përgënjeshtruat, çfarë mendoni kur lajmet rreth jush s’janë të vërteta?
Janë shumë të shpeshta rastet kur lexoj lajme të pavërteta, si në rastin e fundit, kur mjaftoi një shkëndijë për të bërë namin me tituj ‘kopjon Afërdita’, kur në të vërtetë unë vetëm kam veshur një veshje nga koleksioni i Beyonce. Nuk mendoj ndonjë gjë të veçantë, përpiqem t’i anashkaloj, por ndonjëherë nuk mundem.

Sa e prekin Afërditën thashethemet që dëgjon rreth vetes?
Sigurisht ka raste kur lëndohem, ku caku kalohet dhe shpifjet prekin limitet, por gjithmonë përpiqem të ruaj qetësinë. Me rëndësi është që familja, të afërmit dhe miqtë e mi më njohin shumë mirë.

Si reagoni ndaj tyre?
Nuk kam ndonjë reagim specifik, ka raste që zgjedh t’i përgënjeshtroj, sikundër ka të tjera kur thjesht i injoroj.

Gjithë këto vite karrierë, mendoni se keni bërë armiq?
Jo, nuk kam asnjë armik. Mund të ketë njerëz që nuk më pëlqejnë, por jo që më urrejnë.

Po miq?
Miq kam bërë disa dhe shumë të mirë.

Vitet e fundit ju kemi parë vetëm në muzikë, a e ka braktisur Afërdita modelingun?
Jo, madje me shpërnguljen në Miami kam vendosur t’i përkushtohem modelingut njësoj si më parë.

Si i shikoni modelet e reja në vendin tonë, sa premtuese janë ato?
Shqipëria nuk është parajsa për të bërë një karrierë si modele. Vende të zhvilluara të Europës, apo Amerika kanë një treg që ka çdo ditë nevojë për fytyra të reja. Megjithatë në to është shumë e vështirë të depërtosh. Shqipëria ka shumë vajza të bukura dhe koha e ka treguar që disa prej tyre ia kanë dalë të bëjnë karrierë si modele.

Mendoni se ka ende emra modelesh që mund të bëjnë karrierë jashtë kufijve?
Gjithmonë do të ketë.

Jeta juaj mes Amerikës dhe Shqipërisë, ku gjendeni më komode?
Është njësoj si të pyesësh, ku ndihesh më mirë në shtëpinë e verës apo në atë të dimrit… Përgjigja është e kuptueshme, në të dyja rastet jam në shtëpinë time dhe ngrohtësinë që ta jep shtëpia nuk e gjen askund tjetër.

Çfarë ju mungon nga Shqipëria?
Më merr malli për miqtë, për makiaton e gjatë në Tiranë, për ‘mëkatet’ që bëj hera herës me ushqimin… Ja, për pak ditë do të iki dhe një Zot e di si do jetoj pa patatet e skuqura, apo ëmbëlsirat që mi blejnë gjithmonë miqtë e mi.

Si po ecën lidhja me të dashurin?
Gjithçka po shkon shumë mirë në jetën time private. Kam në krah një njeri që më do dhe e dua, kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Është përfolur shpesh për një ndarje mes jush, përse mendoni se dalin këto lajme? Nuk kam ndonjë ide. Ndoshta ngaqë s’ka lajme dhe në ditë krize njeriu është i detyruar edhe të shpikë ndonjëherë.

A keni plane për martesë? Kur do ta shikojmë Afërditën nënë?
Çdo gjë në kohën e vet… Disa gjëra janë të shkruara nga Zoti dhe unë besoj që Ai di se si i sjell gjërat.

Më mirë një partner i huaj apo shqiptar?
Nuk ka lidhje kombësia.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: