TIRANE- Agim Poshka rikthehet në media me një koncept revolte ndaj muzikës dhe patriotizmit. Projekti i ri i artistit nga Struga, sapo ka filluar fushatën në internet me moton “Aleanca Anti-Tallava”. Është ky një projekt ambicioz që ngre zërin rreth deformimit muzikor që i bëhet identitetit muzikor shqiptar. Një nga pasazhet që përdoret në këngë, teksti i së cilës ende nuk është publikuar, është: “Pashko Vasa ka thënë: Kultura shqiptare mbijetoi 3000 vite dhe përsëri e ruajti identitetin e vet”.

Po aty, Agimi pyet për absurdin në të cilin jetojmë, që është: “Po tani që jemi të lirë në gjithë këto troje, pse vjedhim muzikë nga popujt e tjerë?” Kënga është edhe mjaft kritike ndaj qasjes që disa shqiptarë kanë rreth konceptit të patriotizmit, duke thënë: “Kur ne shqiptarët pretendojmë që jemi popull patriot, atëherë, si sqarohet që, kur disa nga këta patriotë duan të përmallohen me muzikën e popullit të vet, shkojnë dhe dëgjojnë muzikë tallava, që është muzikë rome, cigane apo egjiptiane?! Ku është patriotizmi këtu?!”.

Për të anashkaluar keqkuptimet rreth tezës së patriotizmit si një arsye për të urryer popujt e tjerë Poshka e mbyll me frazën: Respekt për muzikantët romë, që mbase pa qëllim zaptuan muzikën shqipe nëpërmjet tallavasë! Turp për disa muzikantë shqiptarë që për 10 vite shkatërruan një traditë 3000-vjeçare muzikore!”.

(ma.ar/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: