Ai është vetëm 16 vjeç, por me një botë dhe ambicie të madhe. Agjellos, ditët e fundit ka fituar çmimin e tretë në kompeticionin e bukurisë “Future Fashion Face World”. Për të ky trofe është vetëm fillimi i një rruge të suksesshme që e pret në modeling. Po ndryshe nga jemi mësuar, adoleshenti vjen me një apel për të gjithë moshatarët e tij, duke i këshilluar të jenë më pranë aktiviteteve artistike, si një mundësi për të përmirësuar shoqërinë shqiptare.

Kush është Agjellos dhe si e keni nisur karrierën tuaj?
Vazhdoj shkollën në gjimnazin “Ismail Qemali”, kam lindur në Athinë dhe kam jetuar atje deri në moshën 10-vjeç. Jam me origjinë nga Skrapari dhe prej 6 vjetësh jetoj në Tiranë.

Si u bëtë pjesë e “Future Fashion Face World”?
U njoha me zonjën Sose Bajraktari dhe drejtoreshën nacionale për Shqipërinë dhe Kosovën në garat ndërkombëtare Sidrita Sadikaj, e cila me propozoi të bëhem pjesë e agjencisë që ajo drejton “KSSID Models” dhe mora pjesë në një konkurs bukurie, ku aty fitova të drejtën të përfaqësoj Shqipërinë në “Future Fashion Face Word” dhe presidentja e këtij kompeticioni znj.Svetlana Shopova më dërgoi ftesën zyrtare.

Ktheheni nga ky kompeticion me çmimin e tretë, çfarë do të thotë kjo për ju?
Ky çmim është shumë i rëndësishëm për mua sepse në këtë moshë kaq të re mes 20 shteteve dhe 50 modelëve që konkurronin ishte një vlerësim shumë i madh për mua.

Si u ndjetë ndërkohë që përfaqësonit vendin tuaj në një kompeticion të tillë, çfarë ju bëri më së shumti krenar?
U ndjeva shumë krenar për shumë arsye. Përfaqësoja Shqipërinë në Botë, kulturën tonë dhe isha shumë i lumtur. Por momenti më i bukur dhe emocionues për mua ishte hapja e mbrëmjes finale me kostumet popullore ku unë prezantohesha me një kostum popullor me fustanellë të cilin ma mundësoi zoti Gergj Murollari nga Erseka. Ishte një kostum origjinal i zonës së jugut nga ku unë kam origjinën. U ndjeva shumë krenar në atë skenë të madhe.

Jeni vetëm 16 vjeç dhe keni tashmë një çmim ndërkombëtar të rëndësishëm, për çfarë mendoni se do t’ju shërbejë?
Unë mendoj dhe shpresoj që ky çmim ndërkombëtar që fitova të më ndihmojë në të ardhmen time në modeling dhe shpresoj të kem mundësinë të përfaqësoj Shqipërinë dhe në kompeticione të tjera të modës.

Si do të jetë vijimi i karrierës suaj, çfarë keni në ambicie?
Kam shumë ëndrra në lidhje me të ardhmen time dhe shpresoj të bëhen realitet. Njëra nga këto ëndrra është shumë e shpejtë. Kam fituar të drejtën për të qenë në juri duke përfaqësuar fëmijët shqiptarë që jetojnë në Greqi. Ma kanë mundësuar të drejtën për të qenë në juri zonja Svetlana Shopova dhe Sidrita Sadikaj. Kam marrë ftesën për të qenë drejtor nacional për fëmijët në Greqi në kompeticionin “Festival Model & Talent Show World”, i cili zhvillohet në maj në Antalia, Turqi.

A keni një mesazh për bashkëmoshatarët tuaj?
Kam një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e mi të cilët duhet të mësojnë sa më shumë, të merren me aktivitete sportive dhe artistike, sepse ashtu krijojmë një shoqëri më të denjë për këtë vend, që i duhet shumë një rini e shkolluar dhe e kulturuar për një të ardhme sa më të mirë për ne dhe brezat që do vijnë…
(ed.me/bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: