Vaksinat kundër virusit HPV (virusi human papilloma), të cilat përdoren për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, dyshohen se shkaktojnë probleme shëndetësore në një pjesë të vajzave të vaksinuara. Këto probleme shëndetësore janë të ngjashme me fibromialginë, sindromën e lodhjes kronike dhe çrregullimin e konversionit.

Në dhjetor të vitit 2015, në parlamentin danez pati një dëgjesë publike lidhur me këtë problem. Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA), ka publikuar një raport në nëntor 2015, i cili konkludon se kjo vaksinë nuk është e rrezikshme për shëndetin. Agjencia është autoriteti përgjegjës për të mbrojtur shëndetin e publikut nga ilaçet. Raporti është kundërshtuar tek vetë Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) si dhe në tetor 2016 tek Ombudsmani Evropian, nga shoqata “Cochrane Nordic Centre”, me argumentin se ka shumë shkelje në procesin e aprovimit të tij. Ankesa mbështetet nga 8 shoqata, përfshirë Transparency International, Gjermani; HealthWatch, Britani e Madhe etj.

Disa nga shkeljet e kundërshtuara janë se:

Të dhënat e mbledhura nga agjencia për sigurinë e vaksinës, i kanë mbledhur vetë firmat farmaceutike që prodhojnë vaksinën dhe kanë bërë një xhiro prej 25 miliardë dollarësh deri më sot nga shitjet e vaksinës. Agjencia EMA nuk i kontrolloi bizneset farmaceutike për saktësinë e informacionit. Ka shembuj konkretë se si bizneset farmaceutike fshehin të dhënat. P.sh. në vitin 2014 autoriteti shëndetësor i Danimarkës i kërkoi firmës së madhe farmaceutike Sanofi Pasteur MSD që të nxjerrë nga databaza e saj rastet e raportuara me efekte anësore nga vaksina HPV. Kompania nxori vetëm 3 raste nga 26 të tilla. Kompania ishte orientuar të kërkonte simptomat e marramendjes, të rrahurave të shpejta të zemrës, dridhjeve, lodhjes dhe të fiktit, por kompania kishte kërkuar vetëm simptomat “marrje mendsh në këmbë, “intolerance ortostatike” dhe “të rrahura zemre dhe marrje mendsh”. Autoriteti shëndetësor danez e zbuloi fshehjen sepse një pjesë të rasteve të fshehura i kishte raportuar vetë. Sipas ekspertëve, të këshilluar gjatë vendimmarrjes së EMA-s, Luc Kiebooms dhe Andre Devos, të gjitha studimet mbi sigurinë e vaksinave i bën vetë industria farmaceutike. Nuk ka asnjë studim të pavarur. Prandaj, thonë ata, duhen kryer studime shtesë, të pavarura.

Agjencia EMA ka detyruar shkencëtarët, që kanë përgatitur raportin, të firmosin marrëveshje sekreti, sipas të cilës nuk do të nxjerrin asnjëherë informacion mbi mënyrën se si u aprovua raporti si dhe se çfarë u bisedua gjatë tij. Kjo e bën procesin e aprovimit të raportit jo transparent, jo demokratik, larg gjykimit të publikut.

Në raportin përfundimtar të autoritetit duket sikur të gjithë shkencëtarët kanë qenë dakord që vaksina nuk shkakton probleme në shëndet, ndërkohë që në një dokument të brendshëm të shpërndarë fshehurazi në shtyp, duket se disa prej shkencëtarëve kanë shprehur dyshimet e tyre për sigurinë e vaksinës dhe kanë kërkuar bërjen e studimeve shtesë, por kjo nuk pasqyrohet në raportin përfundimtar.

Mjekja, Louise Brinth, që ka diagnostikuar një pjesë të mirë të pacientëve të sëmurë nga vaksina në Danimarkë, kritikon përjashtimin e një pjese të rasteve klinike të evidentuara prej saj, nga agjencia EMA si raste jo të mirëqena klinike. Ajo kërkon sqarime nga EMA se mbi ç’baza i ka përjashtuar këto raste klinike nga shqyrtimi? Ajo nuk ka asnjë informacion sepse EMA ka mbajtur gjithçka sekret. Dokumenti i zbuluar tregon se EMA i ka përjashtuar rastet klinike pa parë historinë e tyre, por bazuar vetëm në raportet e shkurtra mbi to. Mjekja kritikon agjencinë se kjo sjellje me mjekët që raportojnë rastet e dëmtimeve nga vaksinat, mund të bëjë që ata mos të raportojnë më, çka do të ishte “tragjedi për shëndetin publik”.

Autoriteti Shëndetësor i Danimarkës ka kritikuar Agjencinë EMA se rastet e diagnostikuara në Danimarkë i ka paragjykuar për shkak se këto janë kategorizuar ndryshe në vendet e tjera, dhe duken si raste të izoluara vetëm për Danimarkën, kur në fakt bëhet fjalë për të njëjtat simptoma të vërejtura në të gjithë botën, veçse të emërtuara ndryshe në Danimarkë. Danimarka ka një sistem shumë serioz raportimi të problemeve në shëndet nga vaksinat.

Një pjesë e studimeve të shqyrtuara nga EMA për sigurinë e vaksinave, në vend të placebos së mirëfilltë, përdorin në grupin e kontrollit (krahasimit), “placebo” me alumin, i cili është substancë neurotoksike. Kjo bën që pasojat negative të vaksinës të duken më të zbutura.

Shoqata ankimuese tregon se si një numër të dhënash që figurojnë në raportin e paredaktuar të EMA-s, janë hequr nga raporti përfundimtar, me qëllimin e dyshuar që ta bëjnë më të vështirë verifikimin e vendim-marrjes.

Mjekët Luc Kiebooms dhe Andre Devos sugjerojnë që vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës të mos bëhet pjesë e programit të vaksinimit në Danimarkë. Dobishmëria e kësaj vaksine është e dyshimtë sipas tyre, sepse rastet e kancerit të qafës së mitrës mund të pakësohen më edukim seksual, me kontrolle periodike. Gjithashtu vaksina mbulon 80% të infeksioneve të qafës së mitrës, kështu që nevoja për kontrolle periodike mbetet edhe pas vaksinimit.

Kolegji Amerikan i Mjekëve në janar 2016 ka ngritur në vëmendjen e mjekëve dhe të opinionit publik se ka një numër të konsiderueshëm vajzash që kanë pësuar menopauzë të shpejtë pas vaksinimit me vaksinën HPV, dhe ky çrregullim mund të jetë shkak i vaksinimit.

Shkencëtarët prej vitesh dyshojnë se vaksinat shtojnë rastet e sëmundjeve autoimune (ka rreth 80 lloje të tilla). P.sh. vaksina e gripit Pandremix mendohet se shton rastet e narkolepsisë edhe disa vjet pas vaksinimit. Narkolepsia është një çrregullim autoimun i trurit, ku personi fle papritur dhe me kalimin e kohës kalon në demencë.

Pasiguria e publikut mbi pasojat në shëndet të vaksinës HPV ka bërë që në Danimarkë të ulet ndjeshëm numri i grave që vaksinohen me këtë vaksinë./ shendet+/
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: