NGA VALENTINA MADANI*
TIRANE- 
Agron Duka do të jetë kandidati i Partisë Republikane për kryetar të Bashkisë së Durrësit. Lajmin e konfirmoi dje për “Gazeta Shqiptare” vetë Duka, i cili tha se në këtë garë hyn me besimin se do ta mbështesë edhe Partia Demokratike. Duka bën me dije se ka pasur ditët e fundit një konsultë mes kreut të PR-së, Fatmir Mediu dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha për emrin e tij si kandidat i përbashkët i opozitës. Por sipas tij, ende nuk ka vendim zyrtar, pasi deri atëherë ka ende shumë kohë. Aktualisht republikani Agron Duka ka hedhur hapin e parë në garën e kryebashkiakut të Durrësit, duke marrë bekimin e kreu të PR-së, Fatmir Mediu. “PR mendon se zoti Duka është një nga kandidaturat më të plotë përsa i përket Bashkisë së Durrësit dhe do të jetë në gjykimin tonë kandidati për kryetar bashkie i qytetarëve të Durrësit në radhë të parë, i të djathtës dhe të gjithë atyre që duan një Durrës të zhvillohet në një mënyrë krejt ndryshe, me një koncept europian, jashtë interesave klanore. Z.Duka ka një mbështetje të madhe të votuesve të këtij qarku, ka treguar që është mjaft korrekt si me votuesit, edhe me angazhimet e tij politike”, – u shpreh dje Mediu.
Z.Duka, pse vendosët të kandidoni për kreun e Bashkisë së Durrësit?
Më është bërë propozimi për të hyrë në këtë garë dhe unë jam gati të kandidoj në zgjedhjet lokale për postin e kryebashkiakut të Durrësit.
Kush ua kërkoi kandidimin?
Propozimi më është bërë nga baza e partisë, më është bërë nga kryetari i PR-së, z.Mediu, nga miq të shumtë të mitë dhe mendoj të mos e refuzoj, nëse përfundimisht do të jem unë kandidatura zyrtare.
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, tashmë e konfirmuar kandidimin tuaj për kreun e Bashkisë së Durrësit…
Po, dhe kandidimi im më është kërkuar nga vetë z.Mediu. Kjo është një konsultë edhe me forumet e Partisë Republikane. Por dua të përmend që shpesh nëpër zonën time në qarkun e Durrësit përflitej emri im si kandidat, gjithsesi unë jam i hapur për këtë garë.
Ju keni mbështetjen e PR-së, por a mendoni se do t’ju mbështesë edhe PD-në në këtë garë?
Është shpejt për të folur për këtë që thoni ju, sepse deri në momentin e dorëzimit të emrit në KQZ ka shumë kohë përpara.
Fakti që kandidimin tuaj e konfirmoi vetë z.Mediu do të thotë se realisht ka një dakordësi me PD?
Ka ende kohë deri në respektimin e afateve ligjore.
Megjithatë, deri tani a keni pasur ndonjë sinjal nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, për mbështetjen e tij?
Me sa di unë, kryetari i partisë, z.Mediu ka pasur një konsultë me z.Basha për emrin tim, por gjithsesi është shpejt për të folur për kandidaturën përfundimtare. Nëse vetë PD-ja ka ndonjë emër më të mirë, ju siguroj se unë do të jem i pari që do ta mbështes kandidatin tjetër, gjithnjë nëse vendosin për një kandidaturë tjetër. Por të jeni të bindur se unë nuk i kam hyrë kësaj gare pa qenë i bindur se do të më mbështesë edhe Partia Demokratike.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: