Sergio Aguero prej 5 javësh nuk ka qenë në kondicionin e duhur fizik pasi është përballur me një dëmtim në gju që e ka kushtëzuar të jetë i gatshëm për skuadrën e tij.

Në fillim të javës u raportua se 29-vjeçari do t’i nënshtrohej një operacioni ku edhe mund të rrezikonte Botërorin, pasi për t’u kthyer me City-n këtë sezon ishte e pamundur.

Vetë sulmuesi deklaroi se do të bënte ç’është e mundur për të qenë në Kupën e Botës në Rusi, madje u shpreh me solemnitet se pjesëmarrje e tij nuk do të diskutohej.

Por fjalët e Aguero-s duket se kanë rënë poshtë, pasi mjeku i Argejntinës, Homero D’Agostino, nuk jep shumë shpresa. Kjo pas pastrit që futbollisti bëri së fundmi gjurit të majtë.

“Kur një futbollist kryen një artroskopi 60 ditë përpara finaleve të Kampionatit Botëror, sigurisht që është diçka shqetësuese – tha doktor D’Agostino në një intervistë për Radio 10 – Sepse rikuperimi pas një ndërhyrje të tillë kërkon 5 javë kohë. Kur dëmtimet janë të vjetra nuk mund të kryhen kaq shpejt rikuperimet”.

“Unë mendoj se nuk do të jetë në 100% të formës sepse anatomia është anatomi dhe dëmtimi është ai që kemi aktualisht. Do të provojmë, por nuk mendoj se do të arrijmë në kondicionin më të mirë”, përfundoi mjeku argjentinas. Një skenar ky që argjentinasit nuk e urojnë, por kjo është një mundësi shumë e mirë për Paulo Dybala dhe Mauro Icardi, që duket se janë të përjashtuar për momentin nga lista e futbollistëve që do të udhëtojnë në Rusi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb